Gjatë ditës së sotme, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka shpalosur para mediave pakon e ligjeve që kjo parti i kontestuar Gjykatën Kushtetuese, të miratuar në atë që ai e quajti si seancë cirku, të mbajtura më datë 05 dhjetor 2024, seancë kjo si asnjëherë më parë kanë cenuar rolin, funksionin dhe mandatin e deputetëve në radhë të parë, por edhe të komisioneve parlamentare dhe Kuvendit gjithashtu.
“Siç e dini, më datë 05 dhjetor 2024, Kuvendi paraprakisht me vendim të kryesisë kishte caktuar mbajtjen e dy seancave: njërën për pikat e papërfunduara të seancave të mbajtura gjatë periudhës paraprake dhe e cila i kishte 27 pika të rendit të ditës, e caktuar për t’u mbajtur në ora 10:00/h dhe seanca e re plenare e caktuar të mbahet në ora 14:00/h, e cila kishte 28 pika të rendit të ditës. Dhe çfarë ndodhi atë ditë të gjithë e kemi parë.
Përveç këtyre seancave, u mbajtën edhe katër (4) seanca të tjera, nga të cilat njëra e Jashtëzakonshme. Në këtë mënyrë, dështimin dhe paaftësinë vendimmarrëse të shumicës parlamentare gjatë tërë vitit u munduan ta kompensojnë duke kontrbanduar ligje kundër çdo rregulli parlamentar. Në panikun e dështimeve të njëpasnjëshme dhe nën rrethanat e mungesës së plotë të rezultateve qeverisëse, listës së gjatë të shkeljeve kushtetuese tashmë të konfirmuara nga Gjykata Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje ia shtoi edhe të paktën 16 ligje të miratuara në gjashtë (6) seancat e mbajtura para një jave.
Këto 16 ligje të cilat sot i kontestuam në gjykatë, karakterizohen me dy lloj arsye të shkeljeve: e para, shkeljet që janë rezultat i paaftësisë dhe mosnjohjes elementare të Kushtetutës dhe rregullave të organizimit të jetës parlamentare dhe shkelje të cilat janë rezultat i qëllimeve që disa prej këtyre ligjeve të hartohen me shkelje, të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese dhe rrjedhimisht të mos hyjnë në fuqi. Por, para se të flasim konkretisht për këto ligje dhe për shkaqet që ne besojmë se na kanë sjellur këtu pranë kësaj gjykate, dëshiroj t’ju njoftoj se nga këto 16 ligje, 15 prej tyre i kemi kontestuar vetëm në procedurë por jo në përmbajtje, ndërsa njërin prej tyre edhe në procedurë, e edhe në përmbajtje.
Ligjin që e kemi kontestuar edhe në përmbajtje, edhe në procedurë është: 1. Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme;
Ndërsa, ligjet e tjera i kemi kontestuar vetëm në procedurë, të cilat janë:
1. Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.
2. Ligjin për Banka
3. Ligjin për Inspektoratin Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut
4. Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit
5. Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale.
6. Ligjin për shërbimet e pagesave
7. Ligjin për provimin e maturës shtetërore
8. Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”
9. Ligjin për Gjykatën Administrative
10. Ligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore,
11. Ligjin për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore
12. Ligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore
13. Ligjin kundër dukurive negative në sport
14. Ligjin për banim social dhe të përballueshëm
15. Ligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Në vijim, më lejoni të bëj një prezantim të çështjeve që ne i kemi kontestuar në këto ligje:
Sa i përket pretendimeve për kundërkushtetutshmëri të këtyre ligjeve në pikëpamje procedurale, ne vlerësojmë se shumica absolute e këtyre ligjeve, përderisa janë caktuar në mënyrë të atypëratyshme në seanca të njëpasnjëshme të improvizuara të shumicës parlamentare, kanë shkelur në mënyrë flagrante Rregulloren e punës së Kuvendit dhe praktikën e Gjykatës Kushtetutese të Republikës së Kosovës dhe praktikën e Gjykatave Kushtetuese evropiane, të cilat kanë vendosur standardet demokratike të shqyrtimeve parlamentare të ligjeve. Në rastin konkret, ligjet e kontestuara, pothuajse të gjitha në mënyrë identike janë miratuar në leximin e parë dhe në leximin e dytë, përbrenda të njëjtës ditë.
Siç e dijmë, me Kushtetutë dhe Rregullore, seancat ftohen dhe caktohen nga Kryetari i Kuvendit, mirëpo rendi i ditës së këtyre seancave miratohet me vendim të kryesisë. Siç e dijmë, për këto seanca kryesia nuk është mbledhur, e as nuk i ka miratuar pikat e rendit të ditës së këtyre seancave dhe në këto kushte, sipas Rregullores së Kuvendit, Kryetari do të duhej që në mungesë të vendimit të kryesisë, rendin e ditës së këtyre seancave fillimisht ta miratonte në Kuvend, para fillimit të çdo seance. Konjufca këtë nuk e ka bërë, në asnjërën prej këtyre seancave (kjo ishte e para).
E dyta, se edhe thirrja e këtyre seancave dhe njoftimi i deputetëve për mbajtjen e tyre është bërë në mënyrë kundërkushtetuese dhe të kundërligjshme, vërtetohet edhe me njoftimet dhe ftesat zyrtare që ne i kemi pranuar si deputet, e të cilat simbolikisht i demonstroj dhe prezantoj para juve. 1. Për shembull, për seancën e caktuar të mbahet për në ora 14:40, deputetët e Kuvendit janë njoftuar me 21 minuta vonesë, pra në ora 15:01; 2. Për seancën e caktuar për orën 19:30, deputetët janë ftuar po ashtu me vonesë në 19:31; 3. Për seancën e caktuar për orën 20:10, deputetët janë njoftuar vetëm 2 minuta më herët, pra 20:08; 4. Për seancën e caktuar për orën 22:30, deputetët janë njoftuar në ora 22:42; Pra, këto njoftime janë ftesa zyrtare për deputetët, të cilat në bazë të Rregullores së Kuvendit, do të duhej që të njoftoheshin së paku 48 orë më herët. Sepse deputetët kanë të drejtë elementare, Kushtetuese dhe ligjore, që të njoftohen paraprakisht për këto seanca, që të shqyrtojnë materialet e tyre, të përgatiten lidhur me to, e mbi të gjitha, të kenë kohen e nevojshme për të parashtruar amandamente për secilin ligj.
Të nderuar gazetarë, Ju i keni parë këto seanca dhe nuk ka nevojë ta rithekësoj edhe tani se sa qesharake kanë qenë propozimet e shumicës për shmangie nga afatet e rregullores, duke i’u dhënë mundësi deputetëve vetëm 5 minuta për të parashtruar amandamente, duke i obliguar 4 komisionet e përhershme dhe komisionet funksionale, që vetëm brenda 5 minutave ti shqyrtojnë dhe miratojnë këto ligje.
Prandaj të gjitha këto ligje të kontestuara, në pikëpamje procedurale nuk mund ta kalojnë testin e kushtetutshmërisë, sepse kjo përveç se paraqet shkelje Kushtetuese, në të njëjtën kohë, paraqet edhe degradimin dhe dhunimin e Kuvendit si organi më i lartë Legjislativ dhe jetës parlamentare që zhvillohet në të. Prandaj, kontestimi i këtyre ligjeve nuk është i rastësishëm por është i domosdoshëm.
Deputetët e GP PDK-së, sot, si për gjatë gjithë këtij mandati, kemi qenë në krye të detyrës për të mbrojtur Kushtetutën, rendin kushtetues, institucionet demokratike, të drejtat e njeriut, pra të drejtat e qytetarëve tanë. Andaj, duke qenë të vetëdijshëm për peshën, rëndësinë dhe efektin parandalues që e kanë ngritja e këtyre rasteve pranë kësaj gjykate, ne në radhë të parë po sigurohemi që t’i evitojmë dëmet dhe pasojat nga këto ligje, hyrja në fuqi e të cilave veçse i shërben grupeve të interesit dhe partisë në pushtet, por assesi qytetarëve dhe në radhë të dytë, nuk po e lejojmë krijimin e precedentëve të tilla në të ardhmen të cilat mund të shfrytëzohen dhe shpërdorohen nga çdo shumicë parlamentare, duke miratuar apo kontrabanduar ligje brenda një dite të vetme në mënyrë kundërkushtetuese, pa transparencë dhe pa llogaridhënie para qytetarëve.
Si shef i GP të PDK-së, jam krenar me punën tonë që është në funksion të mbrojtjes së Kushtetutës dhe parandalimit të miratimit të ligjeve që janë kundër shtetit, kundër qytetarëve dhe jashtë çdo standardi të shtetve demokratike. Ju faleminderit./tvarbëria/