Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > LIGJËRATA BAZIKE MBI DEMOKRACINË PARLAMENTARE

LIGJËRATA BAZIKE MBI DEMOKRACINË PARLAMENTARE

SHKRUN: AFRIM HALITI

Në shoqërinë tonë, duket se nuk e kuptojmë edhe aq mirë se çka dmth demokracia parlamentare. Kur një parti fiton shumë vota, sipas qefit krijohet përshtypja se i ka fituar automatikisht edhe të gjitha institucionet, të gjithë mekanizmat dhe të drejtën morale për të qeverisur pa pengesa. Kjo është problem.
Në një republikë parlamentare, zgjedhjet nuk janë fundi i procesit demokratik. Në fakt janë vetëm fillimi. Vota e qytetarit të jep legjitimitet për të tentuar të ndërtosh shumicë, e assesi të drejtën absolute për ta kontrolluar shtetin pa negociatë, pa kompromis dhe pa kufizime institucionale.
Në Kosovë, fatkeqësisht, ende ekziston një kulturë politike që e sheh opozitën si pengesë morale dhe jo si pjesë normale të sistemit. Në momentin që opozita refuzon të votojë, të hyjë në koalicion apo ta mbështesë një proces të caktuar, menjëherë etiketohet si “bllokuese”, “destruktive” apo “sabotuese”. Pa e ditur se demokracia nuk funksionon mbi detyrimin për pajtim. Opozita nuk ekziston as për t’ia kompletuar fituesit pushtetin. Opozita ekziston pikërisht për ta kufizuar pushtetin, sepse në çdo republikë serioze pushteti nuk trajtohet si , por si mandat i përkohshëm publik.
Në diskursin tonë publik shumë shpesh qëllimisht përzihet bllokimi artificial dhe mungesa e shumicës, e në fakt mes këtyre ka një dallim të madh. Nëse një forcë e caktuar politike nuk arrin t’i sigurojë votat e nevojshme parlamentare, kjo nuk do të thotë automatikisht se po sabotohet. Në fakt, thjeshtë do të thotë se pluralizmi politik vazhdon të ekzistojë dhe se demokracia nuk prodhon domosdoshmërisht rehati për fituesin.
Madje është interesant se si në skenën politike të Kosovës shumë shpesh përdoret argumenti emocional i “vullnetit të popullit”. Sikur populli të ishte një trup homogjen që mendon vetëm në një drejtim. Mirëpo republikat parlamentare janë ndërtuar dhe qëndrojnë pikërisht mbi idenë se shoqëritë janë të ndara, të fragmentuara dhe me interesa të ndryshme. Për këtë arsye edhe ekzistojnë parlamentet, negociatat dhe kompromiset. Nëse do të mjaftonte vetëm partia e parë, atëherë parlamenti me patjetër do të ishte vetëm ceremonial.
Tutje, edhe argumenti ekonomik, fatkeqësisht, përdoret shpesh në mënyrë shumë të rrezikshme. Po, krizat institucionale kanë kosto. Vonesat politike mund të ndikojnë në projekte, fonde ndërkombëtare, reforma apo investime. Kjo është krejt normale dhe reale. Reuters ka raportuar se ngërçet politike në Kosovë kanë ndikuar në projekte infrastrukturore dhe në fonde të lidhura me BE-në dhe Bankën Botërore. Po ashtu, Komisioni Evropian e ka lidhur mbështetjen financiare me stabilitet institucional dhe reforma konkrete.
Por këtu edhe lind pyetja më e rëndësishme: a duhet pezullu logjika demokratike sa herë që krijohet kosto ekonomike? Sepse nëse çdo kundërshtim politik shpallet sabotim financiar, atëherë opozita duhet të heshtë, parlamenti duhet të vulosë gjithçka dhe çdo refuzim duhet të konsiderohet tradhti ekonomike. Kjo, tash, nuk është më demokraci pluraliste. Kjo është vetëm se një mendësi ku ‘stabiliteti’ përdoret si justifikim për nënshtrim politik.
Në fakt, shumica e krizave parlamentare në demokracitë moderne nuk ndodhin sepse ekziston opozita, por sepse mungon kultura e kompromisit. Siç është duke ndodhur edhe tek ne, sepse lideri i VV-së vazhdon ta kuptojë fitoren si pronësi mbi shtetin e jo si përgjegjësi për të ndërtuar konsensus. Deformimi i demokracisë fillon mu nga kjo qasje, dmth kur çdo kufizim institucional përjetohet si padrejtësi personale ndaj tij.
Demokracia kurrë nuk duhet të jetë sistem i rehatisë absolute. Ajo duhet të jetë sistem tensioni, negociate, vonese, debati dhe kontrolli reciprok. Në këtë proces ka kosto, ka edhe frustrime siç ka edhe ngërçe. Por historikisht, alternativa ka qenë gjithmonë më e rrezikshme, ajo kur përqendrimi i pushtetit bëhët gjoja në emër të efikasitetit.
Me 51% të votave, veç budalla nuk e kupton, e i poshtri bëhët se nuk e kupton se kush e bllokon kë. Pra, kjo as nuk është pyetje! Pyetja duhet të jetë nëse ndonjëherë do ta kuptojmë demokracinë si proces bashkëjetese mes dallimeve politike, apo si të drejtë absolute të fituesit për t’i marrë të gjitha. E ata që besojnë se vetëm një palë përfaqëson “popullin”, ndërsa të gjithë të tjerët janë pengesë artificiale, janë mu ata që e vrasin demokracinë si kulturë republikane dhe përpiqen ta shndërrojnë atë në tempull të kultit të liderit të pazëvendësueshëm.