Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) thekson urgjentisht nevojën për formimin e bordit të Komisionit Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
“Kërkojmë nga autoritetet Qeveria dhe Kuvendi të përshpejtojnë procedurat e themelimit të bordit! Çdo ditë e humbur është humbje e madhe për bizneset dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet në një komunikatë të LBK-së.
“Mungesa e bordit e ka zhytur industrinë tonë në trazira, duke sjellë probleme të konsiderueshme për bizneset që operojnë brenda këtij sektori. Mungesa e Bordit të emëruar ka rezultuar në humbje të mëdha për bizneset, sidomos në dhënien e licencave e cila është thelbësore për veprimtarinë e tyre”.
Sipas informacioneve që posedon LBK, mbi 200 biznese janë aktualisht në pritje.
“Ato po presin marrjen e licencave që mbeten të ndaluara për shkak të mungesës të emërimit të Bordit. Kjo pengesë burokratike ka imponuar ngarkesa të rënda financiare mbi këto biznese, duke i çuar shumë nga to në prag të falimentimit. Pamundësia për të marrë licenca ka bërë që makineritë dhe asetet të jenë të fjetura, duke ngecur operacionet dhe duke përkeqësuar gjendjen ekonomike”.
Lidhja e Bizneseve të Kosovë kërkon nga autoritetet përkatëse që të përshpejtojnë emërimin e Bordit për Miniera dhe Minerale. Një veprim i shpejtë është i domosdoshëm për të lehtësuar vështirësitë që po përballen bizneset dhe për të nxitur një mjedis të favorshëm për rritje të qëndrueshme ekonomike brenda industrisë. Dështimi për të adresuar këtë çështje urgjente vetëm do të përjetësojë efektet negative në biznese dhe do të pengojë zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë së Kosovës.