Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj situatës politike të krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke e cilësuar si një ngërç të plotë institucional që ka ndikuar negativisht në ekonominë e vendit.
Në një reagim zyrtar, thekson se mungesa e institucioneve funksionale dhe vendimmarrjes ka shkaktuar stagnim ekonomik, rënie të investimeve dhe përkeqësim të klimës së biznesit.
“Për inate politike po dëmtohet ekonomia e vendit, ndërsa Kosova po përballet me rritje të importit dhe ulje të eksportit, gjë që thellon më tej bilancin negativ tregtar dhe dëmton konkurrueshmërinë e prodhimit vendor”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, pezullimi i reformave fiskale dhe politikave zhvillimore ka krijuar pasiguri në sektorin privat, ndërsa shumë agjenci dhe borde shtetërore vazhdojnë të funksionojnë me ushtrues detyre, pa kapacitete për të marrë vendime strategjike.
“Një vend që dikur ishte model për zhvillim në rajon, sot përballet me ekonomi të ngadalësuar dhe mungesë të plotë të vizionit ekonomik,” thuhet më tej në reagim. Lidhja e Bizneseve nënvizon se mbi 1 miliard euro kredi dhe grante zhvillimore janë të bllokuara në Kuvend për shkak të mosfunksionimit institucional.
Sipas tyre, këto mjete të dedikuara për energji, infrastrukturë, arsim dhe prodhim qëndrojnë të papërdorura, ndërkohë që bizneset në terren përballen me sfida të mëdha operative dhe financiare.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës paralajmëron për pasoja të rënda nëse situata nuk zgjidhet shpejt, përfshirë rrezikun nga largimi i kapitalit ekzistues, humbjen e vendeve të punës dhe dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës për shkak të pezullimit të dialogut strategjik me SHBA-në.