Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar pas njoftimit se nuk ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga Ministria e Financave për diskutimin e pagës minimale.
Në një deklaratë për media, LBK ka shprehur shqetësimin se proceset që ndikojnë drejtpërdrejt sektorin privat po zhvillohen pa përfshirjen reale të bizneseve, duke reduktuar dialogun ekonomik në një formë simbolike.
“Dialogu me bizneset nuk mund të zëvendësohet me ftesa e takime formale. Bizneset janë kontribuuesit kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe duhet të jenë pjesë reale e çdo procesi vendimmarrës që prek ekonominë e vendit”, thuhet në reagim.
LBK ka theksuar gjithashtu se një qeveri në detyrë nuk ka mandat apo legjitimitet për të marrë vendime për çështje madhore, veçanërisht për ato ku nuk ka arritur rezultate gjatë mandatit të saj.
“Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e përkushtuar të jetë zëri i pavarur dhe profesional i sektorit privat, duke kërkuar bashkëpunim të sinqertë institucional, politika të balancuara dhe vendime të bazuara në analiza ekonomike – jo në agjenda të momentit politik”, ka theksuar LBK.