Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Liderët e Kosovës në akademinë e famshme “West Point”, Jahjaga ishte ftuar para 10 vitesh, Haradinaj më 2018

Liderët e Kosovës në akademinë e famshme “West Point”, Jahjaga ishte ftuar para 10 vitesh, Haradinaj më 2018

Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar nga dje foto e video nga pritja që i është bërë në Akademinë e famshme ushtarake amerikane “West Point”, që e ka cilësuar si madhështore. Por, Osmani s’është e vetmja që është pritur në akademi. Para 10 vjetësh, atje ka qenë ish-Presidentja Atifete Jahjaga, e në vitin 2018 ish-Kryeministri Ramush Haradinaj. Edhe ata dy janë pritur me ceremoni të veçanta. Ceremonia për Jahjagën ishte përcjellë me 21 të shtëna nderi.

Dy presidente e një kryeministër i Kosovës janë pritur deri tash në Akademikë Ushtarake “West Point” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-Presidentja Atifete Jahjaga kishte qenë në këtë akademi para dhjetë vjetësh, ku u ishte drejtuar kadetëve me një fjalim, e edhe kishte drekuar me ta.

Në njoftimin për këtë vizitë në faqen e Presidencës së Kosovës, shkruan se Jahjagës i ishte organizuar pritje e veçantë nga Garda e Nderit dhe se ceremonia ishte përcjellë me 21 të shtëna nderi, shkruan Express.

Ajo kishte folur aty për luftën në Kosovë.

“Është nder i madh të jesh këtu në West Point, këtë institucion të madh amerikan, për të diskutuar mësimet e zëna nga lufta e Kosovës dhe angazhimet për vendosjen e paqes të cilat pasuan që nga përfundimi i luftës, të cilat na ndihmuan që të ndërtojmë një vend demokratik dhe të qëndrueshëm”, kishte deklaruar Jahjaga.

Katër vjet pas Jahjagës, në vitin 2018, në këtë akademi ishte pritur edhe ish-Kryeministri Ramush Haradinaj.

Edhe ai u ishte drejtuar kadetëve me një fjalim.

“Lidershipi dhe Ushtria Amerikane e kanë bërë ndryshimin në shtetin tonë.  I nderuar me pritjen në Akademinë Ushtarake në Ëest Point.  Përjetë mirënjohës për popullin amerikan!”, kishte njoftuar Haradinaj për këtë vizitë në llogarinë e tij në Facebook, duke bashkangjitur edhe disa fotografi nga pritja.

Me ceremoni dje është pritur në këtë akademi edhe Presidentja Vjosa Osmani. Pritjen që iu bë, Osmani e ka cilësuar si madhështore.

“Jashtëzakonisht e nderuar me pritjen madhështore nga ushtria amerikane në akademinë ushtarake Ëest Point! 🇽🇰🇺🇸”, shkroi dje Osmani.

Ndërsa, sot, ajo ka publikuar pamje nga fjalimi që ka mbajtur para kadetëve dhe ushtarëve amerikanë, ku ata dëgjohen duke brohoritur “Kosova, Kosova, Kosova”.

Akademia Ushtarake e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është themeluar më 16 mars 1802.

Powered by WordPress