Lëvizja Shqiptaria u bën thirrje Agjencionit të Statistikave të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës për të adresuar praktikën e regjistruesve të popullësisë që vendosin në mënyrë arbitrare besimin Islam për pjesëmarrësit në regjistrim.
Përmes një postimi në Facebook, Lëvizja Shqiptaria, dhe qytetarët e Kosovës, bëjnë thirrje të fortë për Agjencionin e Statistikave të Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës për të adresuar menjëherë praktikën e regjistruesve të popullsisë që vendosin në mënyrë arbitrare besimin Islam për pjesëmarrësit në regjistrim, pa i pyetur ata dhe pa ofruar opsionet e besimeve fetare si dhe opsionin “ tjetër specifiko” në formularin e besimit.
“Kjo sjellje jo vetëm shkel të drejtën e individëve për të zgjedhur dhe përfaqësuar besimin e tyre fetar, por gjithashtu rrezikon integritetin e procesit të regjistrimit të popullsisë”, thuhet në njoftim.
Më tej, Lëvizja Shqiptari dhe qytetarët e Kosovës kërkojnë nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të ndërhyjnë në mënyrë të menjëhershme për të korrigjuar këtë situatë dhe për të siguruar një proces të drejtë dhe të përshtatshëm të regjistrimit të popullsisë, duke respektuar të drejtat dhe liritë e individëve në zgjedhjen e tyre fetare.
Po ashtu, kanë bërë ftesë për organet e drejtësisë për të marrë masa dhe për të garantuar zbatimin e ligjit në këtë çështje të rëndësishme për integritetin e institucioneve tona.
“Në një shoqëri demokratike dhe pluraliste, është thelbësore që të respektohet diversiteti fetar dhe të sigurohet përfshirja e të gjithë qytetarëve në proceset shtetërore. Inkurajojmë zbatimin e standardeve të larta të drejtësisë dhe të transparencës për të ruajtur integritetin dhe legjitimitetin e institucioneve tona”, ka shkruar Lëvizja Shqiptaria.