Prishtinë, 16 gusht 2026 – Lëvizja për Rikthim ka reaguar lidhur me ndërtimin e Kishës Katolike në Vushtrri, duke sqaruar se ky projekt nuk është iniciativë e saj, por e besimtarëve katolikë të Komunës së Vushtrrisë, në bashkëpunim me Ipeshkvinë Prizren-Prishtinë.
Në një sqarim publik, Lëvizja për Rikthim ka thënë se çdo përpjekje për ta paraqitur projektin si iniciativë të saj është “e pavërtetë dhe manipuluese”.
Sipas kësaj lëvizjeje, akuzat dhe paralajmërimet për protesta nga Bashkësia Islame e Kosovës nuk e ndryshojnë faktin se përgjegjësitë për ndërtimin e kishës u takojnë besimtarëve katolikë dhe institucioneve të tyre fetare.
Lëvizja për Rikthim ka shprehur shqetësim për paralajmërimet për protesta dhe bllokime të rrugëve në prag të vënies së gurthemelit, duke vlerësuar se një retorikë e tillë mund të krijojë tensione dhe përplasje mes qytetarëve.
“Lëvizja për Rikthim nuk është iniciatore e ndërtimit të kësaj kishe dhe nuk bart përgjegjësi institucionale për procesin e saj të ndërtimit”, thuhet në reagim.
Megjithatë, Lëvizja ka theksuar se do të vazhdojë të mbrojë parimin e lirisë fetare, duke argumentuar se në një shtet laik dhe demokratik, asnjë komunitet fetar nuk duhet t’ia mohojë një komuniteti tjetër të drejtën për të ndërtuar dhe përdorur objektet e veta të kultit, në përputhje me ligjin.
Në fund, Lëvizja për Rikthim u ka bërë thirrje qytetarëve të Vushtrrisë që të mos bien pre e, siç e ka cilësuar, dezinformatave dhe manipulimeve, duke kërkuar që në ditën e vënies së gurthemelit të mbizotërojnë paqja, rendi, ligji dhe respekti për lirinë fetare.
Lëvizja ka sqaruar gjithashtu se përgjegjësitë e saj lidhen me informimin e opinionit publik, mediave ndërkombëtare dhe organizimin e monitorimit ndërkombëtar, ndërsa ndërtimi i kishës nuk është pjesë e veprimtarisë së saj.