Lëvizja për Rikthim ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet e publikuara në disa media, sipas të cilave ajo apo përfaqësuesit e saj kanë pasur lidhje me ish-LKJ-në apo me Serbinë, duke i cilësuar ato si shpifje të qëllimshme dhe politikisht të motivuara.
Në deklaratën e saj, Lëvizja thekson se nuk ka asnjë lidhje historike, ideologjike apo morale me komunizmin jugosllav apo strukturat shtetërore serbe, duke nënvizuar se rrënjët e saj vijnë nga familje që kanë kundërshtuar komunizmin, pushtimin serb dhe shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve.
Sipas Lëvizjes për Rikthim, organizata është themeluar në kundërshtim të plotë me trashëgimitë komuniste dhe koloniale, mbi parime të identitetit kombëtar, lirisë shpirtërore, dinjitetit njerëzor dhe traditës europiane të shqiptarëve. Ajo rithekson se misioni i saj publik mbetet i pandryshuar dhe i dokumentuar, pavarësisht përpjekjeve për diskreditim.
Lëvizja për Rikthim përfundon se nuk do të lejojë që veprimtaria dhe qëndrimet e saj të cenohen nga akuza të pabazuara, duke riafirmuar se nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë lidhje me LKJ-në apo me Serbinë.