Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme u bë e ditur një letër që kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës ua ka dërguar qytetarëve të kryeqytetit. Me anë të saj, pas potencimit të disa prej problemeve që e dominojnë jetën një Prishtinë, Uran Ismaili u kërkon qytetarëve bashkimin rreth kauzës së tij për ndryshimin e kryeqytetit. Kjo letër u interpretua në mënyra të ndryshme. Se nuk i adreson si duhet telashat e kryeqytetit e deri ta forma e saj.
Mirëpo, ajo që ra në sy në mase të madhe ishte mungesa e logos se Partisë Demokratike të Kosovës. Shumëkush e pa atë si anomali dhe tradhti ndaj elektoratit besnik të këtij subjekti politik. Apo veprim i ngjashëm me zgjedhjet lokale të para katër viteve, kur i njëjti kandidat e kishte ndërtuar një “distancë klinike” ndaj kësaj baze me shpresën për të grabitur ndonjë votë të ajo pjesë e votueseve që kanë averzion ndaj kësaj partie, por që kalkulohej se në rrethana tjera do të kishin votuar për Uran Ismalin. Dhe kjo qasje u cilësua si pragmatike. Madje eksponentët kryesorë të këtij subjekti e shpallën Uran Ismailin si njërin nga kandidatët më të suksesshëm që e ka pasur kjo parti në Prishtinë. Dhe se ai në vend të ndëshkimit të brendshëm elektoral për atë “pabesi” doli si njëri nga kandidatët më të votuar për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Prandaj, më shumë se devijim individual, një letër e tillë pa logo partiake në të vërtetë mund të merret se është “përfaqësim” i logjikës politike që sot dominon në strukturat drejtuese të këtij subjekti parlamentar. Është absurde të mendohet se vetëm Uran Ismaili si një “kalorës i vetmuar” e ka atë fuqi të dalë kundër një frymë tjetër të përgjithshme që gjoja dominon në PDK. Uran Ismaili është njëri nga protagonistët e asaj strukture që fillimisht e kam quajtur si “Klani Bon Vivant”. Dhe ngritja e tij dhe shokëve që janë të lidhur më të, në hierarkinë partiake nuk ka qenë e mundur të imagjinohet kundër vullnetit të strukturave tjera partiake.
Se si ka ndodhur ky tjetërsim është temë tjetër. Por ai sot reflekton atë disponim të partisë ku mungon një kohezioni politik. Dhe ajo shndërrohet vetëm në trampolinë të akomodimit të interesave private e financiare. E ku lidhjet e brendshme të gjakut, fisit dhe familjes janë shndërruar në kriter dominues për afirmim të brendshëm partiak. Është ky edhe njëri nga shkaqet që në radhët e saj sot e gjen njëkohësisht djalin e babën, nipin e dajën, balldëzkën e dhëndrin si figura përfaqësuese në të gjitha nivelet. Thjesht një aleancë “bio-politike”. Po të ishte ndryshe Uran Ismaili nuk do të kishte shansa të ishte kandidat i kësaj partie. Ai ishte bashkëpjesëmarrës në nivelin lokal të pushtetit në Prishtinë për gati tri vjet. Dhe i vetmi aktivitet i tij publik që ka rënë sy në atë periudhë ishte propozimi për ta filluar fushatën “Bon Vive” në shkollat e mesme të Prishtinës si një projekt kundër dhunës. E tëra kjo ri reagim ndaj dhunës që shpërtheu lokalin e tij.
Thjesht si mjet për t’i përdorur resurset publike për përmirësim të imazhit të dëmtuar privat. E për t’u tërhequr përsëri në skutën e interesave private. Janë këto arsyeje të sipër cekura të cilat kanë ndikuar që edhe ajo letër nuk mund të shihet ndryshe, pos produkt i të njëjtës frymë që edhe ia mundëson Uran Ismalit të jetë njëri nga përfaqësuesit e saj.
Prandaj, korrigjimi i defekteve të tilla nuk mund të bëhet pa një rithemelim të kësaj partie.
