Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Letër miqësore, Presidentes së Kosovës

Letër miqësore, Presidentes së Kosovës

Zonja Presidente!

1. Me rolin Kushtetues që e ushtroni dhe me kompetencat që i keni në dispozicion (gjithnjë) sipas ligjeve ekzistuese të Republikës së Kosovës, “qëndrimi” (që Ju thirreni : https://kallxo.com/lajm/osmani-mund-ta-zbatojme-njeanshem-marreveshjen-e-brukselit-nese-marrim-garanci-nga-nderkombetaret/) i Juaj “personal” kur e merr dhenë e bëhet publik, nuk besoj se qonë fortë peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, e aq më pak në skenën tonë edhe ashtu të trazuar politike. Ku Ju “detyrimisht”, jeni e obliguar t’i pasqyroni shumë më shumë qëndrimet, veprimet e porositë unifikuese, se ato personale!? Mund të jem gabim por, kur i adresohem “germës” kushtetuese kuptoj se qëndrimet dhe detyrimet ligjore, Ju obligojnë ta ushtroni ate.

2. Po a mund të jetësohet Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit vetëm me Amin-in e partnerëve ndërkombëtar (ani, tani kur në krye të Shba-ve, ka ardhur ithtari i sovraniteti dhe fuqisë së institucionit té shtetit, Donald Trump!?) pa nënshkrimin e palës Serbe?! Kur e kemi të gravuar ende në memorien tonë Marrëveshjen e (famshme) Washingtonit, ku ish KM Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, u detyruan ta nënshkruajnë ate. Tjetër, krahasimi me vitin 2008, (që e bëni) e nderuara Presidente, nuk është në kolizion me asnjë parametër, të tanishëm; politik, gjeopoliti, e gjeostrategjik!? Bota, ka ndryshuar për këto 16 vite, e nderuara Presidente…! E këshillëtarët që i ke pranë vetës , është dashtë ta kuptojnë këte diskrepancë kohore dhe të mos bëni këso prononcime…! Por, nëse e ke pasur mendjen te ndonjë votë të humbur… në ndërkohë, prap, mendoj që gabim e ke. Për arsye, se mandati Juaj nuk është kah kërcënohet, hë për hë! Veç, nëse prap këshilltarët për rreth u kanë bë ndonjë kalkulim të gabuar në baza të perceptimit të publikut…Nejse!

3. Mendoj se shumicës dërmuese të qytetarëve të Kosovës nuk i duhen njohjet e BE në këmbim të konstituimit té Zajednices serbe (faktikisht, një Republika Serpska në Kosovë). Kur jemi te kjo temë, do të doja të Ju pysja me kureshtjen e një qytetari të rëndomët, se përse nuk po e dërgoni draftin Franko- Gjerman në Kushtetuese?! Ngase, sa mbaj në mend kjo Gjykatë i hodhi poshtë 23 Nene të draftit të vitit 2015! Ateherë, jam shumë i bindur që në draftin aktual Franko- Gjerman, kjo Gykatë do të mund të hedhë poshtë gjysmen e neneve….Natyrisht, gjithnjë duke besuar thellësisht se kjo Gjykatë i shërben interesave të qytetarëve të Kosovës, e jo synimeve dhe ambicieve të Serbisë. Mund të jem në gabim, por, as unë e as publiku i gjerë nuk e ka kuptuar asnjëherë arsyen e vërtetë të mos dërgimit të draftit në këte “vis maior” juridik!?

4. Zonja Presidente e kuptoni cfarë do të thotë kontrolli i territoreve në Ukrainë nga Rusia apo në krizen e Bosnies ku kontrolli mbi teritorr i mundësoj Millosheviqit të imponoi opsionin e fragmetarizimit të shtetit unitar, në tri entitete. Që edhe sot pas Marrëveshjes historike të Dejtonit, asnjëri entitet nuk është duke gjetur qetësi. Andaj, Ju lus që të mos nxitoni në deklarime të pamatura që mund të prodhojnë pasoja afatgjate e komplikime të panevojshme që u “dhurohen” aulave të nderkombetarëve. Shumë përvoja historike (si ajo e Rambujes, p.sh.) na mësojnë se problemet e interesave shtetërore e kombëtare nuk zgjidhen vetëm me zotime e refleksione personale, e as me qëndrime unilaterale, por me një koncenzus të mundimshëm të brendshem politik, ku roli i Presidencës si autoritet juridiko-moralo-politik tani e ka kompetencën absolute në perafrimin e qëndrimeve, mendimeve dhe unifikimin (jo uniformitetin) e vendimeve që për imperativ duhet ta kenë bërjen e Kosovés shtet sovran, sikurse shtetet tjera.

5. Mbesë me shpresë se ky gaf… apo qëndrim i Juaj i nxituar personal, nuk do të ndikoj në qëndrimet dhe gjykimet e subjekteve aktuale politike. Të cilat tani, të preokupuara me animimin dhe senzibilizimin e qytetarisë për zgjedhjet në horizont, dinë edhe të ruajnë distancën e (pa)nevoshme politike, po edhe të fusin (si thuhet) “veshët në lesh”…

Miqësisht, Fadil Maloku, sociolog

Themes by WordPress