Dihet se një mollë në ditë mban mjekun larg nesh, por proverbi nuk përfshin informacionin se fruta në fjalë nuk duhet qëruar. Sidomos pas një moshe të caktuar.
Sipas shkencëtarëve të Universitetit të Iowa-s (SHBA), në lëkurën e mollës ka disa substanca të veçanta, të cilat parandalojnë dobësimin e muskujve te të moshuarit: më saktësisht, acidi ursolik është në gjendje të reduktojë dhe të ngadalësojë procesin e plakjes në rrjedhën e vetëm dy muajve, përcjell sot Koha Ditore.
Lëkura e mollës, ashtu si ajo e domates, përmban të mira kimike natyrale, të cilat “u premtojnë” kësaj pjese të madhe të popullsisë të qëndrojnë aktivë dhe dinamikë për një kohë të gjatë. Jo vetëm acidi ursolik, por edhe tomatidina e domates e kundërshtojnë veprimin e dëmshëm të një proteine të veçantë, e cila quhet ATF4 dhe vepron në masën muskulore, duke shkaktuar dobësi dhe atrofi (sëmundje që prek muskujt).
“Shumë nga ne e dinë mirë se çfarë janë problemet muskulore dhe fatkeqësisht këto probleme përkeqësohen me kalimin e moshës”, shpjegon profesori i mjekësisë dhe drejtuesi i këtij studimi, Christopher Adams.