Në një ceremoni solemne të mbajtur në qytetin historik të Prizrenit, u përurua shtatorja e heroit tonë kombëtar “Lekë Dukagjini”, figurë e cila për shekuj ka mishëruar drejtësinë, burrërinë dhe urtësinë shqiptare. Ngjarja u organizua nga Shoqata “Lekë Dukagjini” dhe mblodhi bashkë përfaqësues të institucioneve, klerikë fetarë, përfaqësues të jetës kulturore e qytetarë nga trojet shqiptare.
Në fjalën e tij, kryetari i Shoqatës “Lekë Dukagjini”, Arianit Qollaku, u shpreh me emocion për rëndësinë e kësaj dite dhe për mesazhin që përcjell shtatorja e heroit kombëtar. Ai tha:
“Sot është një ditë me rëndësi për komunitetin tonë, një ditë që simbolizon bashkimin, përkushtimin, dashurinë për vendlindjen tonë të dashur. Me shumë krenari dhe emocion inaugurojmë sot Shoqatën ‘Lekë Dukagjini’. Një organizatë që ka për qëllim të ruajë, të promovojë trashëgimin tonë të pasur historike, kulturore e shpirtërore. Emrin që mban kjo shoqatë, Lekë Dukagjini, nuk është rastësi; ky është një emër që përfaqëson mençurinë, miqësinë dhe burrërinë shqiptare. Shoqata ‘Lekë Dukagjini’ lindi nga dëshira e pastër për t’i dhënë komunitetit tonë një zë, një qendër dhe një forcë të re. Ne besojmë se kur njerëzit bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët, arrihen gjëra të mëdha”.
Qollaku theksoi gjithashtu punën dhe përkushtimin e shoqatës në ruajtjen e trashëgimisë kulturore e shpirtërore.
“Gjatë periudhës së parë të veprimtarisë së shoqatës janë përfunduar me sukses disa punë të rëndësishme që tregojnë përkushtimin dhe seriozitetin. Rregullimi i varreve do të thotë një shenjë respekti për të parët tanë. Varrezat nuk janë thjeshtë një vend pushimi, por një vend që tregon rrënjët tona. Rregullimi dhe përurimi i shtatores së Lekë Dukagjinit është vepra më domethënëse e kësaj periudhe. Shtatorja e Lekës nuk është një monument prej guri apo bronzi, por një simbol krenarie kombëtare, një kujtesë e përjetshme. Ajo na kujton se kush jemi, nga vijmë dhe çfarë duhet të bëjmë. Me përkushtimin tuaj, kjo shtatore e ka fituar madhështinë që e meriton, duke u kthyer në një pikë referimi për çdo vizitor dhe për çdo brez të ri. Shoqata ‘Lekë Dukagjini’ është më shumë se një shoqatë, është një urë lidhëse mes të kaluarës dhe të tashmes. Kjo shoqatë do të vazhdojë të punojë për t’u dhënë shpresë të rinjve dhe për t’i ndihmuar familjeve në nevojë. Sot ne po inaugurojmë një frymë të re për historinë dhe për njëri-tjetrin”.

Në ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, si dhe monsinjori shqiptar nga Mali i Zi i Kishës Katolike, Rrok Gjon Lleshaj, i cili mbajti një fjalim prekës për rëndësinë historike të figurës së Lekë Dukagjinit.
“Kjo ngjarje sot dëshmon se njeriu nuk vdes, por jeton në amshim. E veçantë jetojnë ata që në jetën e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetë dhe në histori, ashtu sikur edhe Princ Lekë Dukagjini, i cili jetoi në të njëjtën kohë me Skënderbeun dhe që ishin miq shumë të afërt dhe bashkëpunëtor. Ai vazhdimisht jetoi edhe përmes kanunit, të drejtën që shqiptarët me shekuj është dashtë të jetojnë shtet në vete, shtet paralel. Kanë bërë rezistencë të gjithë atyre që janë munduar të na e humbin edhe kombin, edhe ndjenjën, apo edhe të na shfarosin. Ky ka arritur ta mbjellë në shpirtin e të gjithë shqiptarëve bujarinë, mikpritjen, mirësinë, dashurinë – e të gjitha këto e kanë bërë bujar, të lumtur, e kanë mbajtur të bashkuar. Sot, duke falënderuar Zotin që e kemi shtetin edhe për Kosovë, sa shumë është dashtë që Lekë Dukagjini të jetë frymëzim për drejtësinë, dhe me të vërtetë të funksionojë shteti me drejtësi, dashuri, bujari e bamirësi. Aty ku ka drejtësi, ka edhe Zot. Uroj që kjo shtatore e Lekë Dukagjinit të jetë frymëzim edhe për shtetin e Kosovës, për Shqipërinë dhe për të gjitha trojet shqiptare që të funksionojë drejtësia, mirësia dhe dashuria. Këto vlera të na çojnë përpara. Rrnoftë i gjithë kombi shqiptar dhe Zoti na bekoftë të gjithëve”.

Fjalim mbajti edhe Mulla Nebih Dakaj, i cili nënvizoi rëndësinë e nderimit të figurave historike dhe unitetit kombëtar:
“Sot është ditë me diell t’i nderojmë heronjtë tanë, t’i nderojmë ata që kanë rënë për këtë vend. Çdo ditë e më shumë populli shqiptar po bashkohet, po afrohet, po forcohet në rrugën e atyre që kanë dhënë më të shtrenjtën. Neve na kanë mësuar të parët që rrugën të mos e humbim kurrë, por të ecim përpara. Kombi shqiptar më shumë forcohet kur i nderon heronjtë e vet, kur nderon edhe Lekë Dukagjinin përherë. Pra, duhet të jemi gjithmonë të bashkuar, të afruar me njëri-tjetrin”.

Gjatë ceremonisë foli edhe Nikolin Stakaj Dukagjini, stërnip i familjes së heroit dhe klerik katolik nga Mali i Zi.
“Ky event është shumë i rëndësishëm, dhe shpresoj që ky event të përhapet në të gjitha trojet shqiptare, kudo që jemi”.

Ceremonia përfundoi mes duartrokitjeve dhe emocioneve, ndërsa shtatorja e Lekë Dukagjinit në Prizren u cilësua si një simbol i përjetshëm i krenarisë kombëtare, drejtësisë dhe unitetit shqiptar, që do të frymëzojë brezat e sotëm dhe të ardhshëm. /TVArbëria