Para disa dite ndodhi një sulm terrorist në komunën e Zubin Potok-ut, përkatësisht në lumin Ibër – Lepenc, shkruan TV Arbëria.
Pas këtij sulmi thuajse të gjitha shtetet e komunitetit euro-atlantik e dënuan shpërthimin mbi kanalin Ibër – Lepenc, duke e cilësuar si sulm të drejtëpërdrejtë mbi infrastrukturën kritike të Kosovës.
Gjithashtu ato kërkuan që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Mirëpo, në asnjë moment nuk aluduan se Serbia mund të jetë prapa këtij akti.
Ndërkaq, ditën e djeshme ambasadori amerikan Jeff Hovenier pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ka deklaruar se SHBA e dënon sulmin në infrastrukturën kritike të Kosovës, derisa shtoi se në këtë fazë, por që nuk është në pozicion të atillë që të thotë se kush është mbrapa këtij sulmi.
Po ashtu, disa nga mediat ndërkombëtare e “amistuan” Beogradin për këtë shpërthim. Agjencia botërore e lajmeve ‘Reuters’ në raportimin e saj, shkruan “se nuk ka gjetur dëshmi imidiate të përfshirjes së Beogradit.
Deputeti i AAK-s, Pal Lekaj, ka folur për TV Arbëria lidhur me këtë çështje ku e quan delikate e cila kërkon strategji nga institucionet e Kosovës.
Sa i përket deklaratës së ambasadorit amerikan Jeff Hovenier për nevojën e hetimeve të kujdesshme, Lekaj potencon se është një qëndrim i zakonshëm diplomatik, që tregon se SHBA kërkon prova të qarta para se të bëjë akuza direkte.
Nga ana tjetër, lidhur me raportimin e ‘Reuters’, deputeti i AAK-së theksoi se nuk përjashtohen përgjegjësitë e mundshme të Beogradit.
“Deklarata e ambasadorit amerikan Jeff Hovenier për nevojën e hetimeve të kujdesshme është një qëndrim i zakonshëm diplomatik, që tregon se SHBA kërkon prova të qarta para se të bëjë akuza direkte. Nga ana tjetër, raportimi i Reuters, që nuk ka gjetur dëshmi të menjëhershme për përfshirjen e Serbisë, nuk përjashton përgjegjësinë e mundshme të Beogradit. Këto pozicione tregojnë kujdesin që aktorët ndërkombëtarë kanë në menaxhimin e krizave në rajon”, theksoi ai.
Ndërkaq, Lekaj deklaroi se nëse komuniteti ndërkombëtar, si në rastin e Banjskës, vazhdon me qasje ku Serbia përfiton nga mungesa e provave të menjëhershme për përfshirje, ekziston rreziku që ajo të “amistohet” nga përgjegjësia
“Nëse komuniteti ndërkombëtar, si në rastin e Banjskës, vazhdon me qasje ku Serbia përfiton nga mungesa e provave të menjëhershme për përfshirje, ekziston rreziku që ajo të “amistohet” nga përgjegjësia, të paktën në narracionin publik. Kjo mund të krijojë një precedent të rrezikshëm që destabilizimi dhe sulmet e këtij lloji të mos marrin përgjigjen e merituar ndërkombëtare”, tha ai.
Lekaj thotë se në këtë rast Republika e Kosovës duhet të ketë prova dhe hetime profesionale, ku institucionet e Kosovës duhet të angazhojnë hetues të pavarur dhe ndërkombëtar për të mledhur prova të fuqishme për këtë sulm.
“Prova dhe hetime profesionale: Institucionet e Kosovës duhet të angazhojnë hetues të pavarur dhe ndërkombëtarë për të mbledhur prova të fuqishme dhe të pakundërshtueshme për këtë sulm. Kjo do të sigurojë kredibilitet më të lartë në arenën ndërkombëtare”.
Tutje, Lekaj konstaton se Kosova duhet të vazhdojë një ofensivë diplomatike për të informuar dhe bindur ndërkombëtarët mbi rreziqet e veprimeve destabilizuese të Serbisë.
“Diplomacia aktive: Kosova duhet të vazhdojë një ofensivë diplomatike për të informuar dhe bindur partnerët ndërkombëtarë mbi rreziqet e veprimeve destabilizuese të Serbisë. Raportimi konstant i fakteve dhe angazhimi i mediave ndërkombëtare është kritik.
Ndërtimi i aleancave: Kosova duhet të bashkëpunojë me shtete të tjera që janë të ndjeshme ndaj sulmeve në infrastrukturën kritike, për të ndërtuar një narrativë të përbashkët që sulme të tilla nuk janë të pranueshme dhe kërkojnë përgjegjësi.
Forcimi i sigurisë: Qeveria duhet të fokusohet në përmirësimin e infrastrukturës së mbrojtjes dhe të sigurisë së pikave kritike, duke u treguar proaktive për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen”, përfundoi Lekaj për TV Arbëria.