Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme kryeministri Kurti i është rikthyer përsëri temës së Veriut të Kosovës. Ai nga atje ka bërë të ditur se “tashmë bandat kriminale që e kanë dominuar atë pjesë janë shpartalluar dhe se normaliteti po kthehet gjithnjë e më shumë”.
Ndërkohë , sipas tij tashmë edhe autoritet politike që i qeverisin komunat veriore janë pjesë e një procesi zgjedhor të organizuar nga Republika e Kosovës. “Në komunat në veri të Ibrit mund të bëhesh kryetar komune, mund të bëhesh asamblist, mund të bëhesh drejtor, por vetëm nëpërmjet zgjedhjeve në Republikën e Kosovës” ka pohuar ndër të tjera, kryeministri Kurti.
Pikërisht, kjo deklaratë mëton ta përçojë një mesash të rrejshëm për triumfin më në fund të demokracisë edhe në pjesën veriore. Pra sikur rikthimi i Listës Serbe në pushtet është rezultat i një procesi normal demokratik. Ndërkohë, para zgjedhjeve të 12 tetorit kjo parti e ka dominuar atë pjesë jo nëpërmjet tyre, por duke e uzurpuar pushtetin.
Mirëpo , nuk ka asgjë me larg së vërtetës se sa ky pohim. Tjetër është orientimi politik dhe qëndrimi i Listës Serbe ndaj shtetit të Kosovës. Por që nga viti 2015 kur është themeluar kjo parti kryetarët e Komunave, asamblistët etj, janë bërë vetëm nëpërmjet zgjedhjeve dhe ajo nga metoda tjera. E vetmja periudhë kohore kur ajo nuk ishte në pushtet, kishte ndodhur pas dorëheqjes së zyrtarëve të Listës Serbe, në nëntor të vitit 2022, pra kur ato komuna deri në zgjedhjet e 12 tetori u drejtuan nga kryetarët shqiptarë.
Po ashtu, është e vërtetë se ky subjekt politik që nga dita e parë e ka gëzuar mbështetjen financiare, logjistike dhe politike të Beogradit, pikërisht me qëllim që ajo të shndërrohet në zërin e vetëm politik të serbëve të Kosovës. Por një praktikë e tillë nuk është ndalur as nën qeverisjen e Albin Kurtit. Përkundrazi vetëm sa është shtuar.
Pikërisht, pak ditë para zgjedhjeve të 12 tetorit presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pat premtuar hapjen e 400 vendeve të reja të punës në sektorin e shëndetësisë për serbët që jetojnë në Kosovë. Ndërkaq përpos këtij investimi nuk mungoi as rritja e ndihmave sociale etj. Madje vetë, raportuesi i BE-së për Kosovën, Riho Terras, e pat dënuar këtë ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet lokale të Kosovës, sepse si e tillë ajo ndikon në manipulimin e vullnetit politik të qytetarëve serbë.
Në këtë kontekst, shihet qartë se i vetmi dallim që ka ndodhur politikisht në komunat përtej Ibrit, është rritja financiare dhe politike e Serbisë, duke e monopolizuar edhe më tej vendimmarrjen lokale në atë pjesë. Dhe ky ndryshim po tentohet të shitet si normalitet demokratik.