Shkruan: Afrim Kasolli
Dita e djeshme e tregoi përmbledhtazi krejt situatën post-elektorale në Kosovë. E para se premtimet e deritanishme të eksponentëve të partisë fituese të zgjedhjeve, se e kanë siguruar numrin magjik të 61 deputeteve për votimin e Qevrisë së re nuk janë të sigurta.
Prandaj, të njëjtës i duhet partner për bashkëqeverisje më qëllim që të finalizohet ky proces. Në kontekst, të këtyre zhvillimeve ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca, deklaroi se duhet kuptuar edhe ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sepse disa nga deputetët e partive minoritare jo serbe, kanë parashtruar kërkesa megalomane.
Ndërkohë, pa kaluar shumë kohë nga ky prononcim, ministrja Drejtësisë në detyrë, Albulena Hahxiu, sipas logjikës “shteti jam unë”, deklaroi se ose do të kemi Qeveri të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ose vendi do të përballet me zgjedhje të reja të parakohshme.
Shumëkush këtë deklaratë të fundit përjashtuese dhe kërcënuese pa si të kundërt me “frymën pajtuese” të ish-kryetarit të Kuvendit, i cili madje deklaroi se tashmë pozitën që e ka mbajtur deri më tani ai, kjo parti do ta shndërrojë në temë pazari për ato subjekte që do të pajtohen me ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, këto dy prononcime janë gërshetim i metodave të joshjes dhe ndëshkimit me anë të cilave kjo parti mëton t’ia sigurojë vetës edhe një mandat qeverisës. Pra që nëse ato subjekte që i kanë humbur zgjedhjet nuk pajtohen me gjenerozitetin e së parës, atëherë do të përballen më pasoja më të rënda në situatën në të cilën gjenden.
Sidoqoftë, përtej këtij shantazhi të dyfishtë, simptomike ishte edhe arsyetimi “filozofik” nga ish-kryekunvendari, se pse duhet të harrohen ofendimet që kanë ndodhur ndërmjet partive politike gjatë fushatës dhe pas përfundimit të zgjedhjeve, e që dorën në zemër partia në pushtet ka qenë prijatare e kësaj retorike, ngase tash është në pyetje një kauzë më e madhe. Pra “ politika është me i kuptu interesat, e interesat që përfaqësojmë nuk janë tonat personale, janë të Kosovës” konstatoi ndër të tjera i njëjti.
Mirëpo pikërisht, ky pretendim “filozofiko-politik” nuk është asgjë tjetër, pos një manipulim cinik, nga “apologjeti teorik” i Agim Bahtirit, ku nën emrin e shtetit mëtohet të argumentohet se vetëm qëndrueshmëria në pushtet e kësaj kaste mund të ofrojë siguri për mbrojtjen e tyre.
Prandaj, kjo thirrje për ta harruar më një lehtësi të padurueshme të kaluarën, tregon më mirë se asgjë tjetër për nivelin pseudo-etik, ku ka degjeneruar tashmë kjo parti politike. Dhe se nga subjekt që dikur për konsum publik operonte me një retorikë transformuese shoqërore, sot është shndërruar në mishërim të atij modeli politik që ka gjetur shprehje në atë sentencën e njohur të ish-politikanit turk Suleyman Demirel, i cili për të mbrojtur “pragmatizmin” e tij jo parimor politik, deklaronte se “dje ishte dje, sot është sot”(Yesterday is yesterday, today is today -Dün dündür, bugün bugündür). Apo edhe jetësim i frymës makiaveliste se “premtimi i dhënë dikur ishte domosdoshmëri e së kaluarës, kurse fjala e shkelur sot, është domosdoshmëri e së tashmes”. (The promise given was a necessity of the past: the word broken is a necessity of the present).
Nuk do të thotë se shkarje të tilla nuk ndodhin edhe në vende të tjera. Por megjithatë protagonistët politikë ruhen që ato të mos kalojnë në ekstrem, pikërisht nga ndjenja e frikës dhe turpit se do ta bëjnë të pamundur bashkëpunimin ndër partiak, kur ai bëhet i nevojshëm dhe domosdoshëm. Synohet që të paktën ato të margjinalizhen në pjesën e “errët” të jetës publike. Ndërkohë, kjo qasje e Lëvizjes Vetëvendosje metaforikisht po thotë që ne të gjithë e dimë që nën shtresën e poshtme të jetës urbane gjenden kanalet e ujërave të zeza. Prandaj, pse të jetojmë me iluzionin se ato nuk ekzistojnë vetëm sepse nuk i shohim. Kështu, a nuk ka ardhur koha që t’i hapim të njëjtat për të jetuar një herë e përgjithmonë në mes të gjirizit tw fshehur, që deri tani e kemi kanalizuar në botën e nëndheshme. Dhe e vërteta “filozofike” më në fund të triumfojë. /TV Arbëria