Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur sot shqetësimin e saj lidhur me vendimin e Ministrisë së Arsimit për të subvencionuar tekstet shkollore edhe këtë vit.
Në një konferencë për media, udhëheqësja e Departamentit të Arsimit në LDK dhe kryetarja e Forumit të Gruas, Jehona Lushaku Sadriu, kritikoi Ministrinë e Arsimit për paaftësinë e saj në përmbushjen e obligimit ligjor për sigurimin e librave shkollorë.
“Shprehim shqetësimin tonë që për herë të dytë, Ministria e Arsimit dështon t’i sigurojë tekstet shkollore për nxënësit e Kosovës. Kjo tregon që kjo ministri është e paaftë të përmbush obligimin e saj ligjor për t’i siguruar librat. Tek e fundit, është tepër e rëndësishme jo sa para marrin prindërit, por a i kanë fëmijët librat në bankat shkollore më 1 shtator, dhe është e sigurt që nxënësit nuk do t’i kenë librat, çka do të çojë në vonesa në furnizim,” deklaroi Lushaku Sadriu.
Ajo gjithashtu theksoi se, në vend që të fokusohet në reformën dhe përmirësimin e cilësisë në arsim, vendi ende përballet me probleme të furnizimit me tekstet shkollore, mjete themelore për edukimin e fëmijëve.
LDK parashikon se, ashtu si vitin e kaluar, prindërit do të përballen me radhë të gjata dhe procedura burokratike të panevojshme për të marrë subvencionimin për librat, duke çuar në vonesa në fillimin e vitit shkollor për shkak të mungesës së tyre.
Megjithatë, LDK është zotuar se ky do të jetë viti i fundit që familjet dhe fëmijët kosovarë do të përjetojnë këtë lloj vështirësie, duke premtuar një fillim të mbarë të vitit shkollor me tekste të siguruara nga shteti.
Në kuadër të programit politik “Rruga e Re”, LDK parasheh koeficientin 150 për mësimdhënësit, duke theksuar se investimi në arsim nuk është vetëm një detyrë, por një përgjegjësi ndaj gjeneratave të ardhshme.
Partia vlerëson se është detyrim i shtetit të sigurojë që fëmijët të kenë mundësitë më të mira për të ndërtuar një jetë të suksesshme dhe për të kontribuar në të ardhmen e vendit. Vetëm përmes një përkushtimi të vërtetë për arsim, sipas LDK-së, mund të sigurohet që vendi të mbetet i fortë, i drejtë dhe i zhvilluar.