Anëtarët e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) s’ia dhanë fjalën Faton Bislimit gjatë procesit zgjedhore të kësaj partie.
Ai doli para anëtarëve dhe me dorën ngritur lart kërkonte të fliste.
Ai nuk arriti t’i futet garës për të rivalizuar Lumir Abdixhikun, pasi i njëjti nuk ishte as delegat në Kuvendin e 10-të të LDK-së dhe sipas statutit të LDK-së, Bislimit nuk i lejohet kandidimi për kryetar.
Kandidimi duhet të bëhet vetëm gjatë punimeve në Kuvend dhe pastaj Kuvendi zgjedh komisionin kandidues.
Statuti e saktëson se delegatët e kanë autoritetin për kandidaturat.
Në Kuvendin e përbërë nga 333 delegatë sa ishin të pranishëm në sallë, 331 votuan kundër tij.
Pos anëtarëve të LDK-së aty morën pjesë persona të ambasadave amerikane, britaneze, suedeze, franceze, OSBE, BE-së, familjarët e veprimtarëve të LDK-së.
Pas këtij Kuvendi zgjedhor, nga ora 17:00 do të mbahet Konventa Programore ‘Rruga e Re’, në të cilën do të shpalosen pikë për pikë planet konkrete e zhvillimore.
/TV Arbëria