Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > LDK-ja 2490 vota më pak në Mitrovicë se në vitin 2021 – Tkurrje befasuese apo manipulim elektoral?

LDK-ja 2490 vota më pak në Mitrovicë se në vitin 2021 – Tkurrje befasuese apo manipulim elektoral?

Zgjedhjet lokale u mbajtën të dielën që shkoi, dhe rezultatet për kryetarë komunash tashmë janë publikuar nga KQZ-ja. Megjithatë, dinamika politike edhe pas këtij procesi nuk ka përfunduar me kaq, shkruan TV Arbëria.

Në natën e zgjedhjeve, pas orës 19:00, si zakonisht, filluan të publikohen rezultatet e para nga exit poll-et.

Të ndalemi në komunën e Mitrovicës, aty ku po zhvillohet ndoshta drama më e madhe zgjedhore. Çuditërisht, në këtë komunë, të gjitha exit poll-et e nxirrnin fitues kandidatin e PDK-së, Arian Tahirin, që në raundin e pare, pa balotazh. Një nga përqindjet e publikuara ishte 58.3% për Tahirin, 35.6% për Faton Peci nga VV dhe 5.2% për Gëzim Plakollin nga LDK.

Por KQZ-ja rrëzoi këto rezultate të exit poll-eve. Sipas të dhënave zyrtare, Arian Tahiri ka marrë 47.89% të votave, ndërsa Faton Peci 47.80%. Gëzim Plakolli i LDK-së ka marrë vetëm 3.57%. Një garë jashtëzakonisht e ngushtë që ka ngritur shumë pikëpyetje.

Polemikat nuk përfundojnë këtu. Një tjetër fakt që ka shtuar dyshimet është rënia drastike e votave të LDK-së në këtë komunë. Në vitin 2021, LDK kishte marrë 3,636 vota për kryetar komune, ndërsa në këto zgjedhje, vetëm 1,146 vota – një rënie prej 2,490 votash.

Por, për Asamblenë Komunale, LDK ka marrë 3,538 vota, që do të thotë se ka një mospërputhje të theksuar mes votave për kryetar dhe atyre për kuvend.

Ky shqetësim është ngritur edhe nga analisti Afrim Kasolli, i cili deklaron:

“Secila prej partive politike është e pritshme të bëjë analizat e brendshme mbi sukseset dhe humbjet në këto zgjedhje lokale. Edhe për LDK-në shtrohet pa asnjë dyshim për diskutim: si ndodhi një tkurrje kaq e befasishme e trupit të saj elektoral në raport me vitin 2021 në qytetin e Mitrovicës? Në zgjedhjet e katër viteve më parë, ky subjekt politik kishte fituar 3,636 vota, ndërsa më 12 tetor vetëm 1,146 vota – nga 11.78% në 3.57%. Ndërkohë, për Kuvendin Komunal, LDK ka marrë 3,538 vota, apo 11.94%. Kjo tregon një ngritje, sado e vogël, për Kuvendin Komunal, por një humbje të paprecedent për kandidatin për kryetar komune. Tkurrje befasuese, nëse nuk ka diçka tjetër pas kësaj ‘zhvendosjeje elektorale’”.

A ka apo jo vend për dyshime, kjo mbetet të shihet në përfundim të këtij procesi. /TV Arbëria