Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > LDK: Drejtësi dhe përgjegjësi për krimin ndaj foshnjës në Spitalin e Pejës, krim që u fsheh nga pushteti

LDK: Drejtësi dhe përgjegjësi për krimin ndaj foshnjës në Spitalin e Pejës, krim që u fsheh nga pushteti

Lidhja Demokratike e Kosovë (LDK), ka kërkuar dënimin dhe shkarkimin e të gjithë personave të përfshirë në rastin e foshnjës së vdekur, e cila u fut në rrobalarëse e mbështjellë me çarçafë në Spitalin e Pejës.

Deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj në një konferencë për media ka thënë se ky rast tregon paaftësinë e Qeverisë menaxhuar me sektorin e shëndetësisë, derisa e bën përgjegjës kryeministrin Albin Kurti, duke e quajtur të “vetë-emëruar ministër të Shëndetësisë”.

“Dorëheqja e këtyre përgjegjësve është e vonshme; shkarkimi i tyre është i domosdoshëm, ndërsa dënimi i merituar e i bazuar në ligj duhet të jetë i pashmangshëm”, është thënë në konferencë.

Qëndrimi i LDK-së lidhur me rastin e foshnjës së pajetë në Spitalin e Pejës:

“Sot, e kemi thirrur këtë konferencë për shtyp për të shprehur shqetësimin tonë të thellë me rastin tragjik që ka ndodhur me foshnjën e pajetë në Spitalin e Pejës, të cilin e cilësojmë si një krim i rëndë i supozuar, dhe për më keq është tentuar që të fshihet nga pushteti për tetë ditë me radhë.

Në konferencën e fundit e kam thënë se kjo Qeveri, e cila i ka prodhuar 3 ministra të shëndetësisë për dy vjet, përfshirë Kurtin si të vetë emëruar e të vetëvendosur për ta drejtuar sektorin e shëndetësisë, ka arritur kulmin e dëmtimit në sektorin e shëndetësisë.

Rasti me foshnjën e pajetë që po hetohet se është futur në rrobalarëse me çarçafë në Spitalin e Pejës, i ka kaluar të gjitha limitet, sepse është tepër i rëndë, është i frikshëm, është kulmi i krimit, ndërsa fshehja e rastit nga pushteti përgjegjës është super krim.

Mësohet se për këtë rast tragjik, Spitali i Pejës e ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, mirëpo këta të fundit për tetë ditë me radhë e kanë fshehur këtë rast të tmerrshëm, duke u bërë kështu edhe bashkëpjesëmarrës në këtë krim të pretenduar.

Prandaj, duhet të shkarkohen e të dënohen menjëherë të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë krim të pretenduar, përfshirë ata që e kanë fshehur këtë ngjarje të tmerrshme e të paprecedent.

Fatkeqësisht, u faktua ajo që kisha thënë para disa kohe, se vetëm Kurti është më i dobët dhe më i dëmshëm se ministrat e tij të shëndetësisë.

Kryeministri Kurti është i pari që duhet ta shkarkojë vetën nga pozita e drejtuesit të shëndetësisë, sepse rasti i foshnjës në Pejë, është skandali me tragjik i mundshëm.

Kryeministër, pas këtij dështimit tënd të faktuar, së paku mundohu të emërosh një ministër të Shëndetësisë tjetër sa më parë. Ndonëse, tashmë edhe kërkesat ndaj jush i kemi më të bazuara: ai apo ajo ministre e mundshme:

Së paku mos ta dëmtoj më tej shëndetin e qytetarëve,

Së paku mos të investoj më tej në ikjen e mjekëve dhe profesionistëve shëndetësor nga vendi,

Së paku mos t’i lë pacientët pa marrë shërbimet shëndetësore si pasoj e mungesës së mjekëve dhe barnave,

dhe assesi që të lejoj të ndodh apo të tentoj të fsheh ndonjë krim eventual.

Se paaftësia qeverisëse dëmton rëndë shëndetin, ne e kemi thënë me kohë.

Mirëpo, rasti i foshnjës shkon përtej, sepse është tentuar të fshehët krimi nga përgjegjësit që janë në vartësi të këtij pushteti të paaftë.

Dorëheqja e këtyre përgjegjësve është e vonshme; shkarkimi i tyre është i domosdoshëm, ndërsa dënimi i merituar e i bazuar në ligj duhet të jetë i pashmangshëm.

Mos të harrojmë se jo shumë ditë nga sot, në duar të shtetit që menaxhohet nga ky pushtet i paaftë, u vra edhe një nënë e cila prite që ta sillte fëmijën e saj në jetë.

Se çmimi i paaftësisë qeverisëse është bërë i papërballueshëm edhe në sektorin e shëndetësisë tashmë ky nuk është lajm.

Zoti na ndihmoftë nga paaftësia e kësaj Qeverie!”   /TV Arbëria

Powered by WordPress