Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka reaguar pas vendimit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë për refuzimin e aplikimit të zonjës Fahrije Hoti, themeluese e biznesit KB “Krusha” Sh.P.K për përkrahjen për blerjen e linjave të makinerive për përpunimin dhe konservimin e perimeve.
Latifi përmes një shkrimi në Facebook thotë se vendimi për refuzimin e aplikimit të saj për arsye teknike, si mungesa e dokumenteve plotësuese në lidhje me trajtimin e ujërave dhe përshkrimin teknologjik të procesit të prodhimit, është një shembull ku ngurtësia e zbatimit te kritereve procedurale, ka mposhtur vlerësimin real të ndikimit të një biznesi.
Smajli i ka bërë thirrje publike te Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, që të rishqyrtojnë vendimin për refuzimin e këtij projekti.Reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Sot, ndiej dhe gjykoj se është më se e nevojshme të shpreh shqetësimin tim publik lidhur me vendimin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë për refuzimin e aplikimit të zonjës Fahrije Hoti, themeluese e biznesit KB “Krusha” Sh.P.K.Zonja Hoti është jo vetëm një grua e fuqishme dhe simbol i rezistencës, e qëndresës dhe e dhimbjes, e vuajtjeve në Kosovë, por edhe një përfaqësuese e vlerave më të larta të sakrificës dhe e punës së palodhur për përmirësimin e jetës së grave të Krushës së Madhe.
Vendimi për refuzimin e aplikimit të saj për arsye teknike, si mungesa e dokumenteve plotësuese në lidhje me trajtimin e ujërave dhe përshkrimin teknologjik të procesit të prodhimit, është një shembull ku ngurtësia e zbatimit te kritereve procedurale, ka mposhtur vlerësimin real të ndikimit të një biznesi. KB “Krusha” ka më shumë se 20 vjet që ofron punësim dhe shpresë për dhjetëra gra që kanë përjetuar tragjedi të paimagjinueshme, duke u kthyer në një shembull frymëzimi në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Jo rastësisht, zonja Hoti është shpallur “Evropianja e Vitit” në 2022.Si kryetar i Komunës së Rahovecit, dëshiroj të shpreh mbështetjen e pakushtëzuar për zonjën Fahrije Hoti dhe për çdo biznes që kontribuon në zhvillimin ekonomik, punësimin, në përmirësimin e kushteve sociale dhe mbrojtjen e mjedisit në komunën tonë.
Bëj thirrje publike te Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, që të rishqyrtojnë vendimin për refuzimin e këtij projekti. Gjithashtu, kërkoj një qasje më fleksibile dhe të ndjeshme për bizneset që kanë një rëndësi të jashtëzakonshme sociale dhe ekonomike.
Në të njëjtën kohë, duhet të theksoj shqetësimin se dikush tjetër paska përfituar grant prej 100 mijë eurosh nga Ministria e Bujqësisë, i cili lidhet me një familjar të një deputeteje në pozitë të lartë politike dhe me fuqi ndikuese. Kjo ngre pyetje dhe hap dyshime serioze për drejtësinë dhe për transparencën në procesin e ndarjes së këtyre fondeve, veçanërisht kur një gruaje si Fahrije Hoti, që përfaqëson vlera të jashtëzakonshme, i refuzohet projekti.Edhe pse rrallë (fatkeqësisht, 2 thirrje për grante në 4 vjet, në vend të 4 thirrjeve, siç janë mësuar bujqit), në mesin e përfituesve u jepen grante individëve të pushtetshëm dhe jo atyre që janë meritorë dhe marrin çmime e dekorata nga shteti ynë dhe nga institucione ndërkombëtare, si: KE-ja, ambasadat e shteteve mike, organizata ndërkombëtare e instucione përtej oqeanit, Kongresi i ShBA-ve etj.
E pakuptimtë, përderisa znj. Hoti çmohet, ftohet nga shumë shtete e nga përfaqësuesit e tyre, vlerësohet për performancë e si grua e fortë, për prodhimet e tyre cilësore të kërkuara edhe në tregjet e jashtme, përfshirë edhe ShBA-të, në anën tjetër, refuzohesh nga ministria jonë e bujqësisë!Si përfundim, do të angazhohem edhe personalisht për të mbështetur çdo përpjekje që ndihmon zhvillimin e mëtejshëm të KB “Krusha” e të subjekteve të ngjashme që na bëjnë krenarë brenda Kosovës dhe jashtë saj, si dhe të gjitha nismave që përfaqësojnë shpresën, janë dëshmuar e vlerësuar si rrëfime suksesi dhe rrisin mirëqenien në komunitetin tonë.
Ps. Kjo video flet më së miri për punën e madhe që bëhet në KB “Krusha”, në një prej vizitave të shpeshta që ne ia kemi bërë kësaj kooperative.