Profesor Blerim Latifi ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar përjetimet e kundërta të mbështetësve dhe kundërshtarëve të Donald Trumpit. Latifi, në një postim në Facebook, vëren se përjetimi i këtyre rezultateve ka marrë një nuancë religjioze në shkallë globale, një fenomen që, sipas tij, nuk ka ndodhur më parë.
Ai vëren se ata që ishin kundër Trumpit po e shohin rikthimin e tij si një “fund apokaliptik” të demokracisë, të SHBA-ve, të NATO-s dhe të dominimit perëndimor, ndërsa ata që ishin pro tij e perceptojnë këtë kthim si një “ringjallje”, jo vetëm amerikane, por edhe globale.
“Ky përjetim religjioz i ndryshimeve në politikën amerikane, na tregon, më shumë se çdo gjë tjetër, se Amerika vazhdon të perceptohet si kombi pa të cilin bota e ka të vështirë ta mendojë të ardhmen,” ka shkruar Latifi.
Sipas tij, ky polarizim i perceptimeve të ndryshme, duke marrë trajtën e një narrativi biblik, tregon se Amerika është ende një aktor global kyç, dhe qëndrimi i saj në politikën ndërkombëtare ka një ndikim të madh në të ardhmen e botës. Latifi thekson se ky fenomen përbën një dëshmi të fuqisë dhe ndikimit të SHBA-ve, si dhe të rolit të saj domethënës në ndihmën dhe mbështetjen e rendit ndërkombëtar.