Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Largohet nga puna Shqipe Kastrati-Haziri, LDK në Gjilan e quan sjellje arrogante për hakmarrje politike

Largohet nga puna Shqipe Kastrati-Haziri, LDK në Gjilan e quan sjellje arrogante për hakmarrje politike

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në komunën e Gjilanit, ka reaguar në lidhje me largimin nga puna të Shqipe Kastrati – Haziri.

Haziri ishte duke punuar si Drejtoreshë në Institucionin Parashkollor “Dardania” në këtë komunë, dhe sipas degës se LDK-së largimi i saj nga puna është sjellje arrogante për hakmarrje politike.

Reagimi i plotë:

Znj. Shqipe Kastrati – Haziri, një profesioniste e shkëlqyer në fushën e arsimit me mbi (15 ) pesëmbëdhjetë vite përvojë pune në institucionet tona arsimore, duke punuar si psikologe e shkollave pranë Drejtorisë së Arsimit, ish Drejtoreshë e Arsimit dhe së fundi Drejtoreshë e Institucionit Parashkollor “Dardania” në Gjilan, largohet nga puna.

Qeverisja komunale, në mënyrë tendencioze, arbitrare dhe pa fije turpi, lë pa vend pune një profesioniste të arsimit dhe një nënë, duke mos lejuar të kthehet në vendin e saj të punës si psikologe e shkollave pranë Drejtorisë Komunale të Arsimit, e më skandaloze ishte veprimi ku të njëjtës i mbyllet dera e zyrës ku ajo kishte punuar duke ia ndërruar bravën e derës në mënyrë arbitrare, ngjashëm si para tri dekadave në kohën e regjimit serb.

Pasi që të njejtën nuk e lejuan të kthehet në DKA ku e kishte vendin e saj të punës, kishte kërkuar nga Drejtoria e Arsimit që të sistemohet në shkolla si zgjidhje e fundit vetëm për të mos mbetur pa punë, por që sistemimi i saj nuk ka gjetur mbështetje nga udhëheqësit e qeverisjes aktuale komunale. Të gjithë qytetarët e dinë dhe po e shohin se Komuna e Gjilanit është stërmbushur me nënpunës me kontrata në vepër për të cilat kryetari Hyseni , gjatë fushatës zgjedhore i kishte quajtur të jashtëligjshme dhe se me ardhjen e tij në pushtet do ti ndërpresë të gjitha.

Jo vetëm se nuk e mbajti premtimin, por e stërngarkoi administratën me këso lloje kontratash , e në disa drejtori e sektorë edhe ndoshta konsiderohen fiktive.

Për znj.Shqipe Kastrati – Haziri, me mbi pesëmbëdhjetë vite përvojë pune pa ndërprerje, nuk paska asnjë vend të punës në Drejtorinë e Arsimit, se vazhdimi i punës se saj i themeluar me ligj qenka shkelje ligjore sikurse nuk paska vend pune as në shkolla.

Kjo qasje dhe sjellje arrogante shpërfaqë tendencën e hakmarrjes politike ndaj kuadrove të LDK-së. Ne besojmë në drejtësi dhe shpresojmë se organet kompetente do ta zgjidhin drejtësisht rastin.

E drejta në anën e znj.Shqipe Kastrati – Haziri do të triumfojë!

/TV Arbëria

Powered by WordPress