Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot ka thënë se këtë vit nga FSK janë larguar 190 ushtarë, derisa këtë ka thënë se duhet parë si normale, teksa ka shtuar se kjo ndodh edhe në Britaninë e Madhe.“Në Mbretëri të Bashkuar këtë vit janë larguar 6.5% e ushtarakëve”, tha Maqedonci.
Lidhur me këtë, ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se është shumë shqetësues largimi i ushtarëve nga FSK dhe do të duhej të ishte alarm për ministrinë.“Largimi nga detyra e ushtarëve tanë nga shërbimi në FSK është shumë shqetësuese dhe do të duhej të ishte alarm për Ministrinë e Mbrojtjes. Duket që vitet e fundit numri është në rritje dhe lidhur me këtë fare pak ka pasur masa të parandalimit të largimit të tyre”, shprehet ai.
Ish koloneli tregon arsyet se pse ushtarët e lënë FSK-në.“Pra, pjesa dërmuese e ushtarëve të larguar është paga jo e mjaftueshme e tyre, për të jetuar si qytetarë me familjet e tyre. Largim për arsye tjera, është numër shumë i vogël i tyre. Lidhur me rritjen e pagave të tyre me qëllim të krijimit të kushteve më të mira të mirëqenies sociale të tyre, gjate gjithë kohës shumë kemi shkruar dhe alarmuar, por e tëra ka rënë në vesh të shurdhër, pra edhe para udhëheqësve të Ministrisë së Mbrojtjes por edhe të FSK-së”, vlerëson Veseli për Gazeta Blic.
Ai tregon se së fundi ka ngritur dhe shqetësimin për mos pagesën e ushtarëve për punën jashtë orarit.“Para disa javëve kam ngritur edhe një shqetësim tjetër ku të vetmit pjesëtarët e FSK-së, nuk kompensohen për punën jashtë orarit të punës që sido kudo, sadopak do t’i ndihmonte”, thekson ish koloneli.
Ndërsa, lidhur me krahasimin që ka bërë ministri Maqedonci me Britaninë, Veseli vlerëson se është gabim.“Tendenca për t’u krahasuar me shtetet tjera mendoj se është gabim që në start. Së pari, Kosova si shtet me standardin e jetës nuk mund të krahasohet me Britaninë e Madhe, e pra e as me ushtrinë e tyre. Duket që as në vitin e ardhshëm njëherë nuk ka ndonjë projeksion për rritjen e pagave të ushtarit të Kosovës, andaj edhe shqetësimi ynë është i bazuar”, deklaron ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli.