Presidenti i FC Barcelona, Joan Laporta, konfirmoi se klubi, sot për sot, është në gjendje të përballojë investimet e nevojshme për të përforcuar skuadrën me futbollistë të kalibrit të Nico Williams ose Dani Olmo.
“Mund të përballojmë këto operacione, dhe me garanci,” siguroi drejtuesi blaugrana gjatë aktit të prezantimit të Hansi Flick si trajner i skuadrës së parë për sezonin 2024/25.
Joan Laporta u pyet nga mediat për financat e Barça-s, duke pasur parasysh që deri më tani politika e transferimeve është kushtëzuar nga kërkesat e La Ligas për të përmbushur rregullat e Fair Play-it financiar.
“Çështja ekonomike është shumë më mirë se ç’ishte (kur u rikthye në presidencën e Barça-s),” deklaroi Laporta. Ai kujtoi se “procesi ishte fillimisht të shpëtohej klubi, pastaj ta rikuperonim ekonomikisht dhe sot mund të sigurojmë që mund të përballojmë këto transferime falë punës që kemi bërë dhe durimit të anëtarëve.”
Ashtu siç kishte bërë disa ditë më parë kur u pyet për aftësinë për të nënshkruar me sulmuesin e Athletic Club, Nico Williams, presidenti i Barça-s tha në terma të përgjithshëm, pa përmendur asnjë emër konkret këtë herë: “Mund të përballojmë çdo operacion që mendojmë se duhet të bëjmë në treg. Deco po punon në këtë aspekt nëse është e nevojshme të përmirësojmë skuadrën që kemi.”