Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, është lansuar Platforma për Monitorimin e të Drejtave të Fëmijëve.
UNICEF-i në Kosovë, njofton se platforma është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për fuqizimin e sistemit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në gjurmimin e progresit të arritur për fëmijët dhe sigurimin e një tabloje gjithëpërfshirëse të situatës së fëmijëve dhe të rinjve në Kosovë.
Për këtë qëllim, UNICEF-i thotë se platforma ofron të dhëna për treguesit kryesorë për të drejtat e fëmijëve në Kosovë dhe përshkrime të angazhimit institucional për të përmirësuar jetën e fëmijëve.
Këto u thanë gjatë një takimi të Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve të kryesuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë.
“Është arritur shumë në lidhje me realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, por mbetet shumë e rëndësishme që qeveria të vazhdojë të ketë vëmendjen dhe të zotohet për fëmijët më të cenueshëm dhe të përjashtuar, në veçanti fëmijët me aftësi të kufizuara. Në ditën e fëmijëve, UNICEF-i i bën thirrje Qeverisë që ta finalizojë dhe aprovojë Projektligjin për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuara. Ky ligj e ka mbështetjen e plotë të UNICEF-it, mbështetjen e të gjitha agjencive të OKB-së dhe mbështetjen e shumicës së organizatave të shoqërisë civile që punojnë me persona me aftësi të kufizuara”, bëhet e ditur në njoftimin për media.
Gjithashtu theksohet se pjesmarrës në takim kanë qenë fëmijët, të cilët patën mundësinë t’i ndajnë kërkesat e tyre kryesore për realizimin e të drejtave të tyre me zëvendësministrat e ministrive të linjës, përfaqësuesit nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, Ushtruesin e Detyrës së Udhëheqësit, Benjamin Fisher, Drejtoreshën e KOMF, Donjeta Kelmendi, dhe organizata të ndryshme për mbrojtjen e fëmijëve.
Në njoftim u tha se tridhjetë e katër komunat kanë krijuar Ekipet për të Drejtat e Fëmijëve të udhëhequra nga kryetarët e komunave, një përpjekje për bashkëpunim e iniciuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Përveç kësaj, me mbështetjen e UNICEF-it, u tha se në tetë komunat, kuvendet komunale kanë zhvilluar dhe miratuar Planet e Veprimit të Ekipit për të Drejtat e Fëmijëve. Këto plane ofrojnë udhëzim strategjik, ndërhyrje dhe burime për shërbime komunale cilësore dhe gjithëpërfshirëse që mbështesin mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve.
UNICEF-i në njoftimin thotë se në ditën ndërkombëtare të fëmijëve është gjithashtu e rëndësishme që të theksohet nevoja për adresimin e krizave globale të shkaktuara nga ndryshimi klimatik, ndotja mjedisore dhe humbja e biodiversitetit pasi që fëmijët janë më të cenueshmit dhe meritojnë të mbështeten me lëvizje globale që janë të fokusuara në parandalimin e ngrohjes së mëtejshme globale dhe zbutjen e efekteve më të rënda të tyre.