Komuna e Suharekës ka lansuar platformën online për aplikim në lejet ndërtimore për qytetarë dhe kompani ndërtuese në territorin e saj. Prezantimin e kësaj platforme e bëri kryetari i komunës Bali Muharremaj dhe drejtori i urbanizmit Visar Kuqi.
Me anë të kësaj forme të aplikimit, do t’u mundësohet të gjithë të interesuarve kudo që janë edhe atyre në diasporë, të kenë qasje në parcelat e tyre për të aplikuar për leje ndërtimi.
“Kjo u mundëson qytetarëve tonë me pas lehtësime, kështu që ata aplikojnë në mënyrë elektronike, ka një renditje dhe në momentin e konkurrimit, ju dalin të gjitha kushtet që duhet të plotësojnë për leje ndërtimore”, ka thënë Muharremaj.
“Ne vitin e parë do të jua mundësojmë palëve, por ne i kemi edhe trajnimet me zyrtarët, besoj që do të organizojmë edhe trajnime për palët, edhe për qytetarin edhe për bizneset që kanë apliku për leje ndërtimore, do ti trajnojmë që ta kenë më të lehtë”, ka thënë Visar Kuqi – Drejtor i Urbanizmit.
Përveçse do t’i eliminojë pritjet dhe ngarkesat e zyrtarëve komunalë, kjo formë e aplikimit pritet t’u mundësojë të gjitha palëve qasje në kushtet e ndërtimit.
“Nëse një koment, i jepet leja P+8, përdhesja dhe tetë etazhe, të njëjtën informatë e ka aplikuesi, të njëjtën e ka drejtoria e urbanizmit, të njëjtën do ta ketë edhe policia hetuesia e të gjithë, thjeshtë e mundëson transparencën”, ka thënë Ismail Baftiari- Kompania projektuese.
Harta zonale e Komunës së Suharekës u miratua dy vjet më parë në bazë të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Mjedisit.