Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Lansohet fushata për sigurinë në trafik, nxënësit thonë se ndihen të sigurt me Policinë

Lansohet fushata për sigurinë në trafik, nxënësit thonë se ndihen të sigurt me Policinë

Policia e Kosovës, gjegjësisht Divizioni i Trafikut Rrugor ka bërë sot lansimin e fushatës sensibilizuese për sigurinë në trafik për nxënësit dhe shoferët e rastit në shkollën Fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Me këtë rast nxënësve të ciklit të ulët të kësaj shkolle u janë shpërndarë materiale të ndryshme me mesazhe vetëdijesuese në lidhje me komunikacionin.

Po ashtu edhe shoferëve të rastit që kaluan pranë kësaj shkolle u ndalën nga Policia ku i’u shpërndanë aromatizues për automjete me mesazhe vetëdijesuese.

Falënderues ndaj Policisë për këto aktivitete u shprehën nxënësit e kësaj shkolle, të cilët thanë se ndjehen më të sigurtë me Policinë.

Nënkolonel Jeton Rexhepi, tha se ky është një aktivitet sensibilizues që të kujdesemi për njëri-tjetrin në komunikacion.

“Ne përmes këtij aktiviteti jemi munduar që të ndikojmë tek nxënësit. Që përmes materialeve sensibilizuese të ju rikujtojmë, prindërve, nxënësve, mësuesve, policëve dhe të tjerëve në rrugë që të kujdesen për njëri tjetrin. Me këto mesazhe fëmijëve i rikujtuam se si duhet të ecin në vendkalim të këmbësorëve, të kenë kujdes kur zbresin nga makina”.

“Pjesa tjetër e projektit ka të bëjë me shoferët gjegjësisht jo vetëm për sigurinë e afërsisë së shkollave, por ata duhet që të kujdesen për shpejtësinë, për përdorimin e rrypit gjatë ngasjes, mospërdorimin e telefonit mobil gjatë ngasjes dhe shumë rregullave të tjera. Projekti nga sot fillon edhe në gjitha rajonet e Kosovës”, tha ai.

Drejtoresha e kësaj shkolle Mimoza Krasniqi, tha se ky aktivitet do të ndikojë te nxënësit  për t’u vetëdijesuar për sigurinë në rrugë.

“Aktiviteti i Policisë së Kosovës është shumë i qëlluar, ky aktivitet i cili sot është realizuar në shkollën tonë ka dhënë një mesazh shumë vetëdijesues tek nxënësit për arsye se shkolla është afër rrugëve të cilat frekuentohen shumë”, tha ajo.

Nazir Gashi nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se ky aksion është duke u zhvilluar në tetë regjione të Kosovës.

“Uroj që këto aktivitete të vazhdojnë edhe në regjione ashtu siç është planifikuar edhe nga policia në tetë regjione të Kosovës. Nga këtu dua ta përçoj një mesazh për prindërit të kujdesen për fëmijët e tyre, pasi aksidentet në komunikacion rrugor janë bërë një lloj pandemie, prandaj duhet që secili nga ne të kujdesemi”, tha ajo.

E shoferi Sali Sfarqa, bëri thirrje që të rinjtë të jenë më të kujdesshëm në komunikacion.

“Unë jam shofer i vjetër, 60 vjet as një aksident nuk e kam bërë. Ju kisha lut të rinjve që të kenë kujdes se nuk ja vlen me humb jetën për një moskujdes të vogël”, tha ai.

/TV Arbëria