Të ardhurat mujore më të larta të punëtorëve në Kosovë janë deri në 400 euro. Kështu u tha në lansimin e fushatës “Punë e denjë për një jetë të dinjitetshme”, me qëllim të ngritjes së vetëdijes së punëtorëve e punëdhënësve për të drejtat e tyre. Kjo fushatë do të zgjas deri në muajin maj të vitit të ardhshëm dhe është përkrahur nga Ambasada Suedeze.
Ministri i Financave, Hekuran Murati u shpreh se për të parën herë në Kosovë po zhvillohet kjo fushatë, e udhëhequr nga ministria që ai e drejton. Sipas tij, në kuadër të saj janë të përfshira institucione të ndryshme, partnerë ndërkombëtarë e organizata.
Murati: Kjo fushatë ka për qëllim ngritjen e punëtorëve dhe punëdhënësve
“Kjo fushatë e cila fillon tani dhe vazhdon deri në maj 2023, ka për qëllim e ngritjen e vetëdijes së punëtorëve por edhe punëdhënësve, që është gjë më e rëndësishme, për çështjet kryesore të ndërlidhura me të drejtat e punës. Marrë parasysh sfidat që po përballen në vendin tonë, ne kemi hartuar një program i cili vendos punën në epiqendër të programit. Qeveria ka investuar fonde të shumta për të siguruar mundësi punësimi për qytetarët, marrë parasysh nevojën e domosdoshme që të ketë vende të reja të punës. Megjithatë, e kuptojmë që gjithçka nuk përfundon me gjetjen e një vendi të vetëm pune, por duhet të sigurohemi që ky vend i punës të ofroj dinjitet dhe mirëqenie edhe për të punësuarit”, ka thënë Murati.
Murati shtoi se janë këmbëngulës në zbatimin e të drejtave të punëtorëve, duke përfshirë orarin, kompensimin, pushimin e sigurinë në punë.
Murati: Ministria por edhe agjencitë kyçe janë duke kaluar në një seri reformash rregullative dhe institucionale
“Ministria por edhe agjencitë kyçe janë duke kaluar në një seri reformash rregullative dhe institucionale, të cilat paralelisht vendosin rregulla që garantojnë punë të denjë dhe institucione njëkohësisht që sigurojnë zbatimin e këtyre rregullave. Për të siguruar qëndrueshmëri në realizimin e çfarëdo të drejte të punës, duhet të kemi bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë me sektorin privat dhe respektivisht bizneset, të cilat si punëdhënësi kryesor i shtetit gëzojnë përgjegjësinë kryesore edhe për realizimin e këtyre të drejtave në vendin e punës”, ka shtuar Murati.
Udhëheqësja për Bashkëpunim në Zhvillim nga Ambasada e Suedisë, Nasrin Pourghazian tha se Suedia ka një prej ligjeve më të mira të punës dhe respekton të drejtat e punëtorëve.
Pourghazian: Buxheti i Inspektoratit së Punës për vitin e ardhshëm është dyfishuar
“Buxheti i inspektoratit së Punës për vitin e ardhshëm është dyfishuar, që është shumë e rëndësishme. Po ashtu, duke rezultuar edhe në rritjen e numrit të inspektorëve nga 35 në 135, që do të jetë mbrojtje për të drejtat e njeriut dhe punëtorëve dhe mbrojtjen e tyre. Për më tepër, për herë të parë në Kosovë po prodhohen kushte apo raport për kushte të mira të punës, do të thotë që në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet agjencive. Dhe po ashtu ministria ka kërkuar që të përdorë të gjeturat për të intervenuar në qoshet e gjetura nga OShC-të”, tha ajo.
Pourghazian tha se punëtorët duhet të jetë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre.
Pourghazian: Shpresojmë që në të ardhmen qytetarët të kenë një punë të dinjitetshme
“Shpresojmë që në të ardhmen qytetarët e Kosovës, nuk do të jenë vetëm të lumtur që të kenë një vend të punës, por që mund të shkojnë në vendin e punës aty të respektohen dhe të kenë një punë të dinjitetshme dhe të ndjehen se po fuqizohen përmes punës së tyre dhe po promovohen. Ne po shpresojmë, që ata janë në dijeni për të drejtat e tyre që kanë nënshkruar një kontratë dhe dinë se çfarë nënkupton ajo kontratë dhe çfarë të drejta kanë dhe pasi të shkelen të drejtat e tyre, ata t’i besojnë institucioneve për t’i zgjidhur”, ka deklaruar ajo.
Brikena Berisha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet ka shpalosur të dhënat e studimit të parë për kushtet në tregun e punës. Sipas saj, i njëjti ka mbledhur të dhëna në pesë regjione të Kosovës dhe janë anketuar mbi 1200 punëtorë.
Berisha: 300 deri në 400 euro janë të ardhurat personale më të larta të punëtorëve
“Dominuese tek të ardhurat mujore familjare që një familje në Kosovë, jetojnë me 401 deri në 500 euro në muaj. Derisa, është 300 deri në 400 euro e ardhura personale mujore më e larta e punëtorëve. Që reflektohet dhe përkon me ato të ardhurat mesatare të punëtorëve në tregun e punës në Kosovë. Kur janë pyetur për kushtet e punës, ndarja në bazë të sektorëve ka ardhur konform ndarjes proporcionale që ekziston në pjesëmarrjen e tregut të punës, ku më së shumti punëtorë ka pasur nga shërbimet kolektive sociale dhe personale me 27 për qind, derisa kanë qenë me 18 për qind motele e restorante, duke vazhduar me tregti me 14 për qind”, tha ajo.
Po ashtu, në bazë të këtij studimi 67 për qind e punëtorëve kanë kontratë, ndërkaq 32 për qind nuk e dinë se a po u paguhen kontributet personale. Po ashtu, 42 për qind e tyre e marrin pagën gjysmën me para të gatshme, e gjysmën tjetër me transfer bankar. /TV Arbëria