Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Art > Lamtumira e së keqes

Lamtumira e së keqes

Ismail Kadare
(Askush më mirë se sa shkrimtari i njohur Ismail Kadare, nuk ka treguar mbi motivet e sulmeve të orkestruara kundër figurës së Skënderbeut. Në këtë sprove letrare gjeniu ynë i letrave tregon se ka qenë interes i kahershëm i armiqve të kombit shqiptar, që ta të ndikojnë në këtë popull që ta harrojnë dhe varrosin dhe trashëgiminë e tij. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta përulin dhe nëpërkëmbin këtë popul)

Beqir Aliu, qeveritari i N., e dalloi karrocën qysh se u shfaq në rrugën e madhe, në krye një brumbull i vogël e pastaj një arkë e zezë, që avitej me ngut.
Allah, mbromë, tha me vete, kur shqoi shenjat zyrtare mbi pupenë e saj. Atëherë kuptoi se gjithë ai ankth i asaj pasditeje mestetori, asaj pasditeje të pafundme, që ai, me gjithë frikën besëtyte, e kishte mallkuar disa herë pa shkak (nëna i kishte thënë dikur se në asnjë rast nuk duheshin mallkuar ditët, madje, as atëherë kur dukej haptas se dita , më shumë në llojin e vet, afronte me atë të netëve), pra,befas, ai kuptoi se gjithë ai ankth s‘paskësh qenë i kotë.
Pa lëvizur nga dritarja ndoqi me sy afrimin e karrocës te porta e shtëpisë , grahësin që zbriti për të trokitur, pastaj kryeshërbëtorin e tij që, pasi hapi flegrat e portës, po ngjitej shkallëve me vrap.
Ngaqë i merrej fryma, fjalët i tha gjysma – gjysma, po Beqir Aliu i kuptoi: një zyrtar i lartë, drejt nga Dollma e Bahçeja, pallati i Sulltanit.
Mbromë, zot i madh, përsëriti me vete Beqir Aliu dhe , ndonëse u përpoq të zbriste shkallët pa u mbajtur nga parmakët, dy-tri herë i preku ata.
I porsaardhuri qëndronte më këmbë në sallonin e madh. Beqir Aliu e ndjeu në çast se përvoja e gjatë nuk e ndihmoi dot këtë herë të kapte aty për aty rangun e vërtetë të tij . Atë ç’ka kumtonte petku i tij i pluhurosur e rrëzonte qëndrimi mospërfillës, ashtu sikurse këtë të fundit e vinte në dyshim vështrimin i tij. Në zgavrat jashtëzakonisht të thella ishin dy sy të lodhur, si në prag të përgjumjes. Beqir Aliu e kishte vënë re se ishte pikërisht pagjumësia që i jepte një shpellim të tillë.
– Vij drejt e nga kryeqyteti me një detyrë të veçantë, – tha ai, duke nxjerrë nga një çantë e çarë e zhgunit një letër të mbështjellë.
Beqir Aliu e mori letrën, e çmështolli, po nuk ishte në gjendje të dallonte asgjë veç fjalëve Pallati i Dollma Bahçesë, Zyra e përgjithshme, si dhe vulën e njohur, në fund të saj. Ai e puthi shkresën te vendi i vulës, u përul lehtë dhe, pasi e mbështolli prapë, ja ktheu bujtësit.
– Mirë se erdhe në konakun tim, gazi. Rruga besoj se të ka lodhur shumë.
Tjetri hapi krahët.
– Rruga ishte vërtet sfilitëse. Dhe bujtinat nuk janë për të qenë.
-Ashtu, ashtu, – i tha Beqir Aliu. – Sa herë më duhet të shkoj në Stamboll, unë e di ç’heq. Veç „ Hanit të Vjetër“ , në të dalë të Janinës, dhe një tjetri pranë Kavallës, gjithë të tjerët janë për faqe të zezë. Të pijnë morrat dhe tartabiqet.
Beqir Aliu e ndjeu se po fliste më shumë seç duhej, por, ishte mbi forcat e tij ‚ t’i vinte fre gojës. E kishte vënë re se kishte një lloj njerëzish, prania e rëndë e të cilëve rëndohej edhe më shumë nga heshtja. I porsaardhuri ishte i tillë.
Duke iu shmangur, kushedi pse, syve të tij, Beqir Aliu vazhdoi të fliste për pjesët e pamirëmbajtura të rrugës, për tyrben e dervish Ulemasë, që, me gjithë paralajmërimet e njëpasnjëshme, ende s’qe merementuar, për ndërtesën e doganës në Ibrik Tepe, që, ç’ishte e vërteta, bashkë me doganierët krijonin një përshtypje të keqe për shtetin, sidomos në sytë e të huajve…
Ngaqë dyshoi se mos po e tepronte, ai e preu befas të folurën, po ndërkaq vuri re se tjetri e dëgjonte me një mospërfillje të tillë , thua se nuk kishte kaluar kurrë nëpër atë rrugë.
Kjo vetëdije mendimi e hutoi një grimë Beqir Aliun. Si shpëtim iu kujtua hamami.
– Besoj se pas një rruge të tillë një banjë …
– Oh, me kënaqsi, – tha i porsaardhuri.
Që nga veranda, ku kishte dalë për të marë ajër të freskët, Beqir Aliu dëgjonte zhurmat e lehta të shtëpisë. Po skajonin nëpër dhoma dy shoqëruesit e të porsaardhurit. Nga kuzhina vinte një tringëllimë enësh. Beqir Aliu psherëtiu prapë. Kjo pasdite s’donte që s’donte të mbaronte.
Ai solli ndër mend syte e kapitur të mysafirit, pastaj setrën e pluhurosur, në palat e brendshme të së cilës kushedi ç’shkresa të fshehta fshiheshin dhe prapë shtoi: allah, mbromë.
Një grimë mbajti hapat si në përgjim. Pastaj, me çape të lehta u fut brenda. Gjithmonë duke shkelur lehtë, eci nëpër një mesore të ngushtë, hapi një derë dhe u gjend në një kthinë të gjatë, të mbyllur, që merte dritë nga një frëngji e pullazit.Që pas murit vinte zhurma e ujit.
Beqir Aliu hoqi një pjatë bakri të varur në mur dhe vuri syrin te vrima e vogël. Për shkak të avullit, lëvizjet e njeriut iu dukën më të ngadalta dhe si të shoqëruara nga një stërmundim. Beqir Aliun ndjeu një këputje te gjunjët. Kishte përgjuar nga kjo vrimë mbikqyrësit e ardhur nga kryeqyteti sa herë që kishte dyshuar për fjalët apo qëllimin e udhëtimit të tyre. Kishte pasur një bindje të verbër se atë ç’ka fshihnin sytë ose goja e nxirrte trupi lakuriq. Atje midis avullit dhe pllakave të zhveshura njeriu e jepte më qartë se kudo enigmën e tij. Atje dilnin lakmia dhe epshi, mëdyshja dhe gatishmëria për të mos u ndalur përpara asgjëje, tmerri i fshehtë, pendesa apo synimi për të shkelur mbi kufoma.
Beqir Aliu mezi e mbajti një psherëtimë të re. Trupi i bujtësit nuk jepte asgjë, me përjashtim të një vuajtje të brendshme, misterioze, thua se nuk ishin currila uji të ngrohtë që binin mbi gjymtyrët e tij, po fshikuj të padukshëm.
Ky njeri ose është i marrë, ose i shenjtë, tha me vete Beqir Aliu. Me lëvizjet e tyre, gjymtyrët e tij nuk bënin gjë tjetër veçse si pyetje, një si kërkim. Madje, prej atij trupi nuk mund të merrje vesh as dhe një gjë që kishte qenë përherë tepër e thjeshtë për Beqir Aliun: nëse i pëlqenin femrat apo dylberët, apo nëse i pëlqente të ishte vetë dylber. Sa herë i kishte shfrytëzuar Beqir Aliu, sidomos këta të fundit, për të përdhosur zyrtarë që dukeshin të pazvetënueshëm.
Ai e hoqi syrin nga vrima vetëm kur tjetri matanë nisi të fshihej me rizë.
Pas pak ishin ulur të dy në nimin e dhomës së pritjes, nga qelqnaja e së cilës dukej një pjesë e tremes. Beqir Aliu ndihej i pikëlluar. Mezi i gjente fjalët për atë pakëz bisedë që ai, si i zoti shtëpisë, ishte i detyruar ta mbante gjallë. Tjetrit, dukej hapur që i pëlqente më shumë të heshtte. Jo bujtës, po korb, tha dy-tri herë me vete Beqir Aliu. Vështronte mendueshëm ditën që po thyhej, me ata sy që pas banjës ngjanin edhe më të kapitur.
– Ja pra, kjo qenka Shqipëria, – tha me zë të ulët, si të fliste me vete.
– Është herë e parë që vjen këtu? – pyeti i zoti i shtëpisë.
Bujtësi bëri „po“ me kokë.
Ai e tundi kokën disa herë edhe pas kësaj, thua se po i përgjigjej në të njëjtën mënyrë një sërë pyetjeve, dikush brenda tij, djalli vetë ndoshta, ia bënte. E tundi sa e tundi kokën ashtu, pastaj me po atä zë të ulët tha:
– Gjynah.
Beqir Aliu ndjeu gjymtyrët t’i ftoheshin. Ç’ishte ajo „gjynah“ e lëshuar si rastësisht midis heshtjes? Gjynah përse? Gjynah për kë?
Ai priti sa priti mysafiri të shtonte diçka, po tjetri e kishte kyçur gojën. Vështronte mospërfillës përtej qelqeve, me ca sy të shuar, të pashpresë, që të ftohnin gjer në fund të shpirtit. Dy-tri herë Beqir Aliut i erdhi ta kapte për gryke e t’i shfrynte: Për kë të vjen gjynah ty? Për mua, ndoshta, ngaqë më ke sjellë gjëmën? Fol, korb i zi!
Prej kohësh Beqir Aliu e dinte se bujtësit e lartë që vinin nga kyeqyteti sillnin shpesh me vete dekretin e dënimit për qeveritarin vendës. Qëllonte pritej me nderime prej këtij të fundit, hante e pinte dhe befas, aty nga mesnata, nga një palë e fshehtë e setrës nxirrte katilfermanin. „Sulltani të kërkon koken!“ Pas kësaj, të dënuarit s’i mbetej gjë tjetër veç t’i nënshtrohej fatit dhe e zgjaste vetë kokën te shiriti i mëndafshtë, në mënyrë që t’i thyenin arrëzën e qafës përpara se t’ia prisnin.
Sa herë e ka bërë këtë punë, tha me vete, duke ia ngulur sytë.
Po tjetri vazhdonte të shikonte përtej tij, sikur Beqir Aliu të mos qe aty.
Ndoshta gjatë darkës diçka do të nxjerrë, mendoi Beqir Aliu. Gjatë darkës, i ardhuri diçka tha vërtet, por ajo, në vend që ta qetësonte, e turbulloi edhe më shumë Beqir Aliun.
Sulltani është i shqetësuar për Shqipërinë. Këto fjalë të kryeqytetasit Beqir Aliu i përsëriti shumë herë me vete, pas kafshate që kapërdinte. Prej tyre s’para ndihej asgjë e mirë.
Përkundrazi, pas një hyrjeje të tillë vinin zakonisht shkarkimet, dënimet.
E pse ta vriste kaq shumë mendjen, i jepte zemër vetes Beqir Aliu. Fundja nuk ishte ai qeveritari kryesor i Shqipërisë. Ai s’ishte veçse një qeveritar province. Sipër tij kishte pesë a gjashtë të tjerë, që përgjigjeshin drejtpërdrejt për gjendjen. Sa t’i vinte radha atij…
E ndiente se ky ishte një ngushëllim i kotë. E dinte fare mirë se çdo qeveritar i madh tërhiqte dhjetëra të tjerë pas vetes, në rrokullimë.
Duke e sjellë fjalën larg e larg, u përpoq të merrte vesh se përse ishte aq shumë i shqetësuar sulltani i madh. Dy vitet e fundit, lavdi Zotit, kryengritje s’kishte pasur. Dhe taksat, me sa dinte ai, Shqipëria i kishte dorëzuar në rregull. Sasinë e ushtarëve, gjithashtu.
– Eh, Beqir Ali, – e kishte ndërprerë tjetri dhe ishte bërë gati, me sa dukej, të fliste. Por sytë, kushedi pse, i shkuan te saksitë e luleve në dritare dhe tundi kryet. – Lulet në vjeshtë dëftojnë dimër.
Thonë kështu këndej?
– Si?… Po… Natyrisht që thonë.
Beqir Aliu priti më kot që tjetri të vazhdonte bisedën për shqetësimin e sulltanit, por tjetri, me sa dukej , nuk kishte ndër mend.
Kjo ishte fol o gur, fol o mur, mendonte i zoti i shtëpisë Edhe disa herë që e hapi gojën, nuk tha veçse fraza të errëta, sa për t’ia prishur gjakun tjetrit. Gjumë e rroba të vjetra ka sa të duash, tha një herë, si të vazhdonte kuvendimin me dikë tjetër që ishte larg. Beqir Aliu u rrek më kot të merrte vesh se ç’kuptim kishin ato fjalë, por kjo ishte e pamundur.
Kur e hoqi shpresën, e mori në sy të flaktë kujdesin dhe ta pyeste haptas se përse padishahu i madh ishte shqetësuar për Shqipërinë. Dhe i përmendi prapë paqen, taksat e shlyera dhe ushtarët e mbledhur.
Bujtësi e vështroi në fillim dyshimtas, pastaj , siç duket, iu kujtua se kishte qenë ai vetë që kishte folur për shqetësimin e sovranit.
– S’janë aq të thjeshta gjërat, Beqir Ali, – tha me zë të ulët. – S’është punë rebelimesh, taksash e ku di unë. Janë punë më të thella këto… Syri i sulltanit sheh më larg se sytë tanë…
Sikur të mos ishte fjala për sovranin, Beqir Aliu do të nervozohej, ashtu siç nervozohej gjithmonë, kur dikush i thoshte se „punët janë më të thella se ç’duken“. Këtë frazë, kushedi pse, nuk e duronte dot. Ç’janë këto punë të thella që më dërdéllis, e ndërpriste shpesh bashkëbiseduesin. S ‚ka punë të thella në këtë botë. E thellë është vetëm gropa ku do të shtrihemi një herë e mirë. Të tjerat janë gjepura.
– Kështu, Beqir Ali, – vazhdoi bujtësi, – shumë net sulltanit të madh i ka dalë gjumi për punën e Shqipërisë.
– Allah, – ia bëri i zoti i shtëpisë, ngaqë s‘ dinte ç’të thoshte.
Mendimi se qindra zyrtarë të lartë të shtetit, për të mos përmendur mijëra të mesmit e qindra mijëra të vegjlit, flinin si derrat, në kohën që Ilamba e botës s’mbyllte dot sytë, iu përzie me smirë për sytë e bujtësit, ata sy që e tregonin larg pagjumësinë. Ndoshta pikërisht për këtë, për shkak të atyre qeskave poshtë tyre, ai kishte fituar hirin mbretëror, në kohën kur të tjerët, me sytë e fryrë nga e fjetura, kishin mbjellë zilinë e më pas zemërimin e fshehtë të padishahut të pagjumë.
– Gjithë vendet e Ballkanit, njëri pas tjetrit, u shkëputën nga perandoria, – vazhdoi ai me zë të ngadaltë, të lodhur. – Vetëm Shqipëria ka mbetur. Dhe sulltanit të madh ajo po i dhembka më shumë, siç dhemb fëmija i pleqërisë.
Beqir Aliu lëshoi një psherëtimë. Tani merrej me mend përse i dilte giumi natën sovranit. Madje, pak a shumë, merrej me mend edhe qëllimi i ardhjes së kryeqytetasit. Epo, lavdi Zotit, s’paska qenë për mua, tha me vete dhe i lehtësuar futi lugën në hallvë.
Shyqyr, o Perëndi, përsëriti me gojän plot.
Darka kishte mbaruar prej kohësh dhe ata e kishin pirë dhe gotën e dytë të sherbetit. Jashtë kishte nisur një shi i hollë, shushuritës. Beqir Aliut i flihej. E dinte që s’ishte mirë që tjetri ta merrte vesh këtë e, aq më tepër, kur pak më parë qe përmendur pagjumësia e sovranit. Megjithatë, me vështirësi i mbyste gogësimat.
Një copë herë kishte ndjekur me sy lëvizjen e fenerëve në oborrin e shtëpisë, ku, me sa duket, shërbëtorët bënin ecejaket e tyre të zakonshme, po kjo, nö vend qé t‘ ia largonte, ia kishte ndjellë edhe më shumë gjumin. Madje, një herë ajo pamje gati iu ngjit fillimit të një ëndrre, që po ngjizej në trurin e tij. Shërbëtorët shpejtonin drejt një kali të sëmurë, të shtrirë në shtrat, nën një mbulesë prej atllasi. Nga stalla ishte në fund të oborrit erdhi vërtet një hingëllimë kali dhe Beqir Aliu shkundi kryet.
– Të vjen gjumë, eh? – e pyeti bujtësi.
– Jo, jo… Ç’është ajo fjalë… Gjumë dhe rroba të vjetra? Ha, ha, s ‚e kam dëgjuar ndonjëherë këtë shprehje.
Beqir Aliu, kushedi pse, i kërkoi ndjesë.
– S ‚ka gjë. S’ka gjë. Edhe unë do të ngrihem. Gjumë s’kam, po rruga më ka këputur fare.
Beqir Aliu ndihej i turbullt. Ai tha fjalë të tjera të kota, duke lëvizur pak sofrën, që tjetri të lironte gjurin. Pastaj i priu tjetrit, duke i bërë dritë me një llambë bakri. Mendimi se a duhej t’i parashtronte ndonjë dëfrim dhe, në qoftë se po, i ç’lloji duhej të ishte ai, me femër apo me çun, mendim që ashtu si te vrima e hamamit e kishte ngacmuar disa herë gjatë darkës, tani që po i afroheshin derës së dhomës së gjumit e vuri vërtet në ngushticë të madhe.
Me shpejtësi, me ngut, solli edhe një herë ndër mend trupin e tij, ashtu të turbullt e plot trazim, si midis avujve të skëterrës, dhe gjithsesi nuk e gjente dot se me çfarë mund ta këndellte.
Gjumë s’kam, i kishte thënë mysafiri. Atëherë, në qoftë se s’kishte gjumë, me se do ta kalonte atë natë të gjatë? Ky mendim i fundit ia hoqi çdo mëdyshje Beqir Aliut. Duke ngritur llambën për të ndriçuar më mirë derën e dhomës, po duke lënë në hije fytyrat, me zë të ulët, ai tha:
– Allahu i ka bërë netët të gjata e të mërzitshme, kur janë bosh… Në qoftë se mysafiri i shtrenjtë dëshironte të englendisej pak, aq më tepër gjumë s’kishte… ai do të ishte i lumtur t’i çonte një vajzë apo një çun… Tjetri vuri dorën te doreza e derës.
– A thua, Beqir Ali? – tha me zë pa ngjyrë dhe pa e kthyer kryet, hapi derën dhe u fut brenda.
I zoti i shtëpisë mbeti në këmbë me llambën e bakrit, që befas u rëndua dyfish në dorën e tij. A thua, Beqir Ali? përsëriti fjalët e tjetrit. Edhe falltarët e Samarkandit flisnin më qartë. Ç’i kishte pjellë me këtë lugat.
U kthye me hapa të ngadaltë te dhoma e pritjes dhe një copë herë vështroi shërbëtorët që po ngrinin rizën. Tani gjumi i kishte dalë fare dhe s’dihej a do t’i vinte më. Cili djall të dërgoi në shtëpinë time? shfreu dy-tri herë me vete. Njëherë mendoi të mos e vriste më mendjen. Gjersa nuk kishte dashur të fliste, në dreq të vente. Pse duhej të sfilitej Beqir Aliu për… e tij? Të tjerët kishin qenë më të çiltër, kur kishte ardhur puna te kjo pikë. Me thënë të drejtën, Beqir Ali, mua më pëlqejnë çunat. Ose: Çfarë çunash, more, sa të vdes unë s’i ndahem femrës. E kështu me radhë, sikush sipas mirakandes së vet, siç e kishte dhënë Zoti. Kurse ky këtu: A thua, Beqir Ali? Sedërtar i madh, për besë. Ptu, të plaçin sytë, shau Beqir Aliu. Po prit se do të ta tregoj sedrën tënde.
Kryeshërbëtori, që nuk ia ndante sytë, iu afrua sapo i zoti i bëri shenjë.
– E ke gati Merjemen?
– Gati e kam, bej. Edhe Lejlanë e kam gati, po t’i pëlqejnë leshverdhat.
– Ç’leshverdha, more. Atij s’i merret vesh se ç’do, mashkull apo femër. Ndaj, për çdo rast, gatit edhe Mehmetin.
– Si urdheron, bej.
Beqir Aliu u mendua një hop.
– Për Lejlanë, ke të drejtë, – i tha tjetrit. – Mbase i pëlqejnë leshverdhat.
Pas pak, duke shkelur sa më lehtë mbi dërrasat e fundshtrojës, Beqir Aliu u gjend në kthinën fqinje me atë të bujtësit. E lëvizi me kujdes cohén me mbishkrimin e Kuranit, që mbulonte vrimën e përgjimit, dhe vuri syrin në të.
Tjetri, veshur me një rrobë të gjatë nate, rrinte pa levizur mbi shtrat. E dinte tashmë nga përvoja se një njeri i përgjuar duket përherë më i ngrirë se ç’është (trazimi i brendshëm i përgjuesit e theksonte ndoshta palëvizshmërinë e viktimës), po ky ia kalonte çdo përfytyrimi. Sikur të mos i ishin rruzaret që i lëvizte njëtrajtshëm në njërën dorë, do të besoje se ishte një kukull dylli.
Ai nuk lëvizi as kur dera e dhomës lëshoi një gërvimë, pas së cilës hyri Lejlaja. Vetëm sytë ndoqën ecjen plot ojna të vajzës, që erdhi u ul pranë të huajit mbi shtrat. Kuçka, ç’siguri që paska, tha me vete Beqir Aliu. Një gërvishtje smire e përshkoi dobët. U duk në çast se ishte e sigurt do të merrej vesh me kryeqytetasin, më mirë se me të, qeveritarin provincial. Ec e merre vesh ç’kanë në kokën e tyre femrat, mendoi. Nga kryeqyteti, përveç dekreteve, thashethemeve e modës së veshjes, vinin edhe yçkla të reja dashurie, të shpikura, me siguri, nga kaurët. Sa herë në kafene ai me shokët e tij i kishin sharë e mallkuar apo kishin bëre „ptu“ me përbuzje, kishin pështyrë me neveri, po femrat e tyre ndoshta atje e kishin mendjen. Kishin dëgjuar për to e tani digjeshin nga padurimi që t’i provonin. Ja, kjo Lejlaja, që hyri duke u tundur aq pa turp, me siguri, priste diçka nga kryeqytetasi.
Me po atë vetësiguri, me një lëvizje të qetë ajo zgjidhi një nyjë dhe rroba e saj e hollë i rrëshqiti nga trupi. Ashtu lakuriq, u shtri përbri të huajit, me njërën kémbé të shtrirë e me tjetrën të përthyer, çka i jepte diçka prej zonje qëndrimit të saj. Sikur të mos mjaftonte kjo, guxoi t’i fliste të panjohurit, madje t’i buzëqeshte me një buzëqeshje tinëzare, që gjysma i kaloi atij e gjysma i mbeti asaj vetë.
Hë, kuçkë, shau nëpër dhëmbë Beqir Aliu. Nuk e kuptoi as vetë pse, por e ndjeu se nga të gjitha ato që mund të ndodhnin midis tyre, fjalët e shqiptuara prej saj ia nxitën më fort ziliné. Ç‘ t’i ketë thënë vallë, kuçka, mendoi gjithë pezm.
Nuk e pati mendjen të vinte re nëse ai iu përgjigj apo jo. Vuri re vetëm se shikimi i tij kaloi disa herë nga flokët e verdhë te njolla e zezë e pubisit (kishte venë re se pothuajse pa përjashtim meshkujt i ngacmonte ky krahasim), po shikimi i të huajit ishte i ftohtë.
Ai e vështroi sa e vështroi vajzën për një kohë të gjatë me po atë shikim të topitur, pastaj dora që rrotullonte rruzaret i lëshoi ato, për t’u zgjatur drejt barkut të saj. Ai ia përkëdheli një copë herë leshnajën, po me një përkëdhelje të qetë, ashtu si njeriu që kalon dorën mbi flokët e një fëmije, por e bën këtë gjë pa zemër, sa për të kaluar radhën, si gjithë ata që kanë frikë mos i fajësojnë se nuk i duan fëmijët.
He, ç’t’u bë mirë, kuçkë e dreqit, shfryu gjithë ngadhënjim Beqir Aliu, kur vajza, pas mospërfilljes së hapur të bujtësit, u ngrit nga shtrati dhe me hap të pezmatuar doli nga dhoma pa pasur as kujdesin të vishej.
Tani të shohim ç’do të na bëjë Mehmeti i vogël, tha me vete i zoti i shtëpisë dhe kushedi pse fërkoi duart. Ishte shumë kureshtar si do të përfundonte kjo histori.
Hëm, ç’mysafir, tha dy-tri herë. Me një kangur do të merrej vesh më mirë, për besë.
Mehmeti, me faqet që ia kishin lyer pakëz me te kuq, ndryshe nga Lejlaja, hyri kokulur. Beqir Aliut i kishte pëlqyer gjithmonë ai djalë. Ishte më i turpshëm se një gocë dhe përgjérimi i ashikëve pas tij as ia kishte rritur mendjen e as ia kishte shtuar ojnat.
Bujtësi, sikur ta priste, nuk shfaqi asnjé habi nga hyrja e tij.
Dhe po aq i palëvizshëm mbeti, kur djali, me lëvizje të druajtura, hoqi shallvaret e mëndafshta, të qëndisura anash dhe u shtri si një qengj.
I huaji ia vështroi një copë herë trupin me po atë mospërfillje që kishte parë Lejlanë. Veçse këtë herë dora e tij nuk i lëshoi rruzaret, kështu që kokrrizat prej fildishi rrëshqitën me një spërdredhje prej gjarpri mbi trupin e djalit, në kohën që e përkëdhelte.
Po kjo vazhdoi pak kohë. Ai e tërhoqi dorën dhe sytë e tij u bënë prapë tejet të humbur e të zgropët, ndërsa kokrrat e rruzareve nisën të lëviznin prapë njëtrajtshëm, midis gishtave pa shpresë.
Nuk do, tha me vete Beqir Aliu. E mbante ende një shpresë e vakët, përderisa djali vazhdonte të rrinte shtrirë përbri tjetrit. Po shpresa iu zhduk përfundimisht, kur i huaji, pasi i ciku me majat e gishtave vëthët, diçka i tha djalit. Ai u ngrit me po ato lëvizje të buta siç qe shtrirë dhe, duke futur në fillim këmbën e djathtë e pastaj të majtën në shallvaret, doli nga dhoma siç kishte hyrë, kokulur.
Siç duket, s’mundet, mendoi Beqir Aliu. I kishte mbyllur, siç duket, Ilogaritë me atë punë, njëherë e përgjithmonë dhe tani e dërgonin me shërbime të fshehta andej-këndej. Të rrofshin gradat që ke, tha me vete Beqir Aliu, të rrofshin edhe dosjet e veçanta me të cilat punon.
Megjithëse syri i qe lodhur nga përgjimi ai nuk po e hiqte nga vrima. Ndoshta s’duhej ta gjykonte me përbuzje. Edhe ai vetë ndoshta vuante nga kjo gjë. Nuk e kishte më kot atë fytyrë aq të vrerosur.
Eh, ndryshe ishin njëherë e një kohë zyrtarët e lartë. Të këndellej shpirti të dëgjoje bëmat e tyre në çdo gjë, si në sheshin e luftës a të politikës, ashtu dhe në shtratin e dashurisë! S’i harrohej Beqir Aliut një javë që kishte kaluar në kryeqytet, në kohën e rinisë së tij. Shumë herë më vonë i kishte rënë rasti të shkonte atje me shërbime të rëndësishme a në festime madhështore, por ngazëllimi i asaj jave të paharruar nuk i qe përsëritur kurrë. Si tani e mbante mend gjithçka. Kryeqyteti i gjithë po përgatitej për festimin e Natës së Fuqisë. Prej gjithë festave të shtetit, kjo ishte ajo që, më së shumti, ia shtinte xixat mendjes së Beqir Aliut. Atë natë, sipas zakonit, sulltani i madh do të flinte me një virgjëreshë. Gjithë kryeqyteti nuk kishte tjetër gjë në gojë. Edhe ata që nuk e flitnin, e mendonin. Një përndezje e përgjithshme ndihej kudo. Nën shembullin e sovranit, gjithë dinjitarët e lartë përgatiteshin, gjithashtu. Hamamet ishin ngrohur qysh më parë. Kandilët vezullonin hareshëm… Beqir Aliu ishte përendur atë mbrëmje për një kohë të gjatë rrugëve. Nëpër shtëpi e nëpër pallate dritëzat regëtinin kudo. Atje, secili sipas shijes së vet, kush me femra e kush me çuna, po bëheshin gati për dashuri.
Shtet i bekuar, kishte thënë me vete Beqir Aliu tërë përgjërim për shtetin e vet. Doke të bukura, të madhërishme. Dhe për herë të parë në jetën e vet kishte ndier shijen e veçantë të pushtetit. Ajo në gjuhën e zakonshme quhej aq varfërisht „karrieré“ s’ishte vetëm kënaqësia e të ngrënit, e kapardisjes në karrocën e shtetit etj, etj. Ishte diçka më e thellë, që e ngrohte njeriun njësoj si epshi dhe e tërbonte më keq se ai.
As më parë, kur kishte fjetur rastësisht me një kaurkë, dhe, as më pas, gjatë muajit të mjaltit, Beqir Aliu, nuk kishte ndier asisoj dëshire si atë natë. Të njëjtën zjarrmi iu duk se e pikasi edhe në sytë e kalimtaräve të tjerë. Me sa dukej, lidhja që krijohej midis epshit madhështor të sovranit me epshin e secilit, e rriste këtë të fundit në përmasa të papara. Ndoshta, ndaj edhe qe krijuar kjo festi e bekuar, që secili shtetas, mashkull a femër qoftë (këto të fundit, për arsye që merreshin me mend, duhej ta kishin edhe më shumë të ndezur trurin: në vend të burrit të përfytyronin sovranin etj ., etj. ), pra, ndaj qe krijuar edhe kjo festë, për t’u dhënë mundësinë shtetasve që një herë në vit të përkiteshin në një mënyrë tejet të afërt me padishahun e madh.
Beqir Aliu vërtitej kështu i lektisur në një nga sheshet e qendrës, kur u dägjua gjëmimi i topit, që lajmëronte, sipas traditës, se sovrani e zhvirgjëroi, më në fund, të zgjedhurën e vet.
Ecja e kalimtarëve u çrregullua në çast. Njerëzit ndalonin, kthenin kokën andej-këndej si për të gjetur se nga erdhi gjëmimi apo në ç’drejtim ndodhej pallati sulltanor.
– Eh, e… ashtu… për besë, – tha një i pirë, po ngaqë s’ia vari kush veshin, i doli, siç duket, frika dhe e përsëriti atë që tha, po këtë herë me një fjalë të ndyré.
Ngazëllimi, ndezja e kureshtja ndiheshin kudo.
– E, çuno, ke qejf? – i pëshpëriti Beqir Aliut një me perçe. Nga theksi i të folurit iu duk si jevgë. Zaten, vetëm ato mund të bridhnin ende përjashta në këtë or.
Pa i thënë gjë, Beqir Aliu e ndoqi pas. Te një skutë e erret, para se ta përqafonte ajo i kërkoi një monedhë dhe Beqir Aliu, pa e menduar fare, ia dha.
– He, si t’u duk? – i tha Beqir Aliu, kur u ngritën.
– Eh, – ia bëri ajo, – çka.
Jevgë e dreqit, shau me vete Beqir Aliu.
– Epo, mirë, s’jam padishahu unë, – i tha.
– Si? Si? – ia bëri jevga dhe befas ia plasi gazit si e marrë.
– Ç’ke që kukurisesh ashtu? – e pyeti Beqir Aliu.
Po ajo vazhdoi të qeshte dhe ai u largua qetësisht. Që larg nga errësira i erdhi dhe një herë një valë e fundit e së qeshurës së saj dhe ai shpejtoi hapat si të kishte bëre faj.
Bashkë me lehtësimin ndjeu edhe një pikëllim. Në pallatet e larta, që ngriheshin drejt e mbi kryet e tij , ne shtrojat e mëndafshta, hanëmet e bardha e të lyera me erëra bënin tani dashuri me zotët e tyre, kurse ai, si një qen rrugësh kishte shkuar me një jevgë.
Zbrazëtia që ndiente së brendshmi Beqir Aliu ishte e pashpresë, gjithë qenia e tij dukej sikur lëshonte një ulërimë të mbytur. Më vonë, kur i qe kujtuar ajo natë, ai kishte menduar se dëshira për karrierë, që ia behu befas në jetën e tij, ai turbullim i verbër, për hir të të cilit ai kishte qenë gati të mbyste nënën e vet, e kishte pasur ndoshta zanafillën tek ajo natë.
Ndërsa vërtitej rrugëve (sipër tij , bashkë me epshin shuheshin njëra pas tjetrës dritëzat e pallateve), atij i vinin ndër mend kureshtira për numrin e grave që kishin dinjitarët e lartë në haremet e tyre, ashtu Siç i kishte dëgjuar në kafenetë e ndyta të porteve. Diçka nga mahnitja e atëhershme i kishte mbetur ende.
Perëndi, sa të fuqishëm ishin një herë e një kohë, tha me vete, duke u ngritur nga vendi i përgjimit. Kurse tani fuqia u ka rënë, si në çdo gjë.
Një pikëllim i turbullt, nga ata që kapërcejnë caqet e shkakut që i polli dhe që e bëjnë shpesh njeriun të thotë se ç’kam kështu, e kaploi Beqir Aliun.
Që veglëria e shtetit të madh osman lëvizte me ngadalë, që mbi dekretet, nëpunësit, gjithë punët e shtetit ndihej njëfarë lodhjeje e përtese, këtë mund ta vinte re syri i kujtdo e aq më tepër i Beqir Aliut, që kishte njëzet e ca vjet që shërbente nëpunësinë e lartë.
Po që kjo lodhje e përtesë të depërtonte gjer në palcën e njerëzve, këtë nuk e kishte menduar.
Nga të dhënat e spiunëve të tij, që përgjonin ç’thuhej kafeneve, dilte se përgjithësisht njerëzit mendonin se punët e shtetit shkonin keq për shkak të kaurëve. Një pjesë thoshin se perandoria, pavarësisht se me të drejtë e luftonte krishterimin, duhet të përfitonte nga përvoja e shteteve të krishtera. Të tjerë, përkundrazi, thoshin se prej marrëdhënieve me kaurët vinin gjithë të këqijat, ndaj duheshin prerë ato pa mëshirë. Këta të fundit ishin zakonisht besnikë të shtetit e të fesë, kishin dalë në pension. Në letrat e tyre, një pjesë me emra e një pjesë padorase, ata ankoheshin se ndikimi i kaurëve po shtohej dhe shteti tregohej tepër i ngathët për t’i vënë fre shthurjes.
Beqir Aliu ishte shpirtërisht me këta të fundit, ndonëse mendimet e të parëve e tërhiqnin nganjëherë djallëzisht, si tundimi i Satanait. Ai nuk shpejtonte t’i dënonte ata; por aq më pak t’u hiqte vërejtjen pensionistëve për syçeltësinë e tyre. Ai rrinte në pritje, kështu që të dyja palët nuk e donin dhe, me siguri, kishin dërguar letra kundër tij në kryeqytet.
Prej kohësh, mendja e Beqir Aliut i thurte shumë gjëra sipas thashethemeve të kafeneve. Edhe tani, që ulur në nimin e dhomës së pritjes vriste mendjen për rënien e fuqisë mashkullore të zyrtarëve të lartë, atij i vetëtinte nëpër mend se ndoshta shkak për këtë ishin prapë kaurët. Thuhej se zakone të reja po dilnin atje në kryeqytet, të sjella, me siguri, nga Europa e mallkuar. Flitej se femrat shkruanin letra dashurie, se e merrte burri i botës letrën dhe, në qoftë se ajo i shkruante „të dua, të pres“ e dokrra të këtij lloji, atij i fluturonte mendja nga gëzimi, e, në qoftë se i shkruante të tjera, domethënë „s’të dua më“, bëhej burri i botës pikë e vrer, e varte kokën e s’i hynte në sy femër tjetër.
Eh, ia bëri me vete Beqir Aliu. Një shushurimë e butë e shkëputi nga mendimet. Prapë paska nisur shiu, tha me vete.
Një copë herë e dëgjoi zhurmën e tij të shtruar. Ishte një shi i butë, rrënimtar. Të dua, të pres, përsëriti me vete fjalët e një letre të përfytyruar që, megjithëse e përbuzte, fshehtazi ëndërronte ta merrte.
Kur koka iu shkund pas pak, e kuptoi se kishte dremitur. Te qelqet e dritares ishte po ajo shushurimë e butë. Mendja e tij u pérpoq té shkonte prapé te lodhja e përgjithshme, te rrënimi i ngadalshëm, i pashmangshëm i gjithçkaje, kur, befas, mendimi i ngriu në një pikë: e sikur të mos ishte ashtu? E sikur kryeqytetasi të kishte kthyer mbrapsht blatimin e tij jo për ato shkaqe që kishte kujtuar Beqir Aliu, po thjesht ngaqë kishte një gjë të ligë në mendje?
Nuk u desh veçse një grimë që dyshimet ta përmbytnin prapë trurin e Beqir Aliut. Sa sylesh ishte treguar pak më parë, kur me të dëgjuar se sulltanin s’e zinte gjumi për punën e Shqipërisë, ishte qetësuar në çast! S’e paska me mua, po me Shqipërinë, kishte menduar si tyryfyl. Kishte harruar se pavarësisht se ai nuk ishte qeveritar kryesor i Shqipërisë, ishte megjithatë një nga qeveritarët e saj. Dhe pak herë kishte ndodhur qe sulltani i madh, për të qetësuar një vend, kishte shkuar ne shpatë gjithë qeveritarët e tij, pa përjashtim, duke nisur nga më i larti e gjer te më i ulëti?
Beqir Aliut iu mblodh një komb në grykë. A mund të kishte pagjumësi mbretërore që të mos e kishte mëngjesin plot kufoma dhe gjak? Beqir Aliu e përfytyroi veten, kushedi pse, të rrëzuar brinjas, me grykë të prerë, jo si me jatagan a sëpatë, po si me gërshërë. (Më vonë iu kujtua se kështu e kishin gjetur, para një jave, një burrë të vrarë nga gruaja.)
Hingëllima e një kali e shkëputi nga mendimet. Pa e ditur as vetë përse, si ta kishte ndjellë ajo hingëllimë, që ai e kishte njohur në çast se ishte e huaj në stallën e tij, Beqir Aliu zbriti shkallët dhe doli në oborr.
Pa u kujdesur të mbulohej me diçka, eci drejt stallës. Një llambë vajguri ndriçonte zbehtë oborrin. Kur ai shtyu derën e stallës, drita e llambës e ndihmoi të dallonte spikamat e kuajve. Aroma e kashtës së përzier me bajgë, shkrofëtimat dhe zhvendosja e shurdhër e shkaktuar nga prania e njeriut, të gjitha këto ishin tejet familjare për Beqir Aliun. E ndryshme ishte vetëm ajo që kishte në kokë.
Përse e ke bërë njeriun aq të lig, allah, tha me vete. Në trurin e tij të lodhur mendimet mezi ngjizeshin. Gjithë urdhrat mizorë vinin të tërhequr nga kuajt, por ata vetë s’dinin asgjë. Hareshëm vraponin kur sillnin lajmin e mire dhe po aq hareshëm kur sillnin mortjen.
Dora e Beqir Aliut përkëdheli njërën nga kokat. Asnjë kalë në këtë botë s’ka dënuar ndonjëherë një kalë tjetër, tha me vete. Kurse njerëzit nuk ëndërronin veç për këtë…
I dërrmuar, ai doli nga stalla dhe po aq ngadalë u fut në shtëpi. U shtri në shtrat, e la kryet zbuluar për të dëgjuar shushurimën e shiut, në çdo rast tjetér do t’ia shpejtonte gjumin dhe ndjeu dëshirën të shkrehej në vaj. Një herë vijmë në këtë botë, o Perëndi, tha me vete. Përse nuk na i jep të gëzueshme këto pesë ditë të shkreta?
Mesnata duhej të kishte kaluar prej kohësh, së shpejti ndoshta do të gdhinte, po gjumi nuk jepte ndonjë shenjë. Dy vjet më parë, i kujtohej, kështu me ankth i kishte gdhirë shumë net. Porsa ishte rrëzuar Veziri i madh Jusuf dhe çdo ditë priteshin shkarkime dhe dënime të tjera. Një të shtunë, si për të davaritur disi ankthin, ai shkoi të kalonte fundin e javës te një kushëri i tij në fshat. Por ankthi, në vend që t’i largohej, e pushtoi edhe më keq. I dukej se tani që mungonte, e keqja do ta gjente edhe më shpejt. Gjithë natën s’e kishte mbyllur dot syrin. Ndaj të gdhirë, midis gjumit, që mezi e kishte zënë, kishte dëgjuar një britmë të largët. I dukej se thërrisnin „Beqir Ali, BeqirAli“. O Zot, erdhën të më marrin, kishte thnë me vete. Dyllë i verdhë qe ngritur nga shtrati dhe, ashtu më këmbë pranë dritares, kishte pritur xhandarët. Vetëm kur kishte dëgjuar zërin e të zotit të shtëpisë që po pyeste nga dritarja e vet: „Kushje ti, more?“ dhe pastaj përgjigjen e tjetrit: „Ka vdekur Munir Aliu“, atij i kishte ardhur zemra né vend. Asnjëheré s’e kishte pritur me aq lehtësim vdekjen e një kushëriri.
Allah, kishte kaluar kaq kohë dhe ai ankth ngjante si i ditës së djeshme… Po dale, i bënin veshët kështu apo dikush i thërriste prapë, këtë herë me emrin e tij vërtet: Beqir Ali, Beqir Ali.
U ngrit përgjysmë në shtrat. U sigurua që nuk ishte në ëndërr dhe vuri veshin. Zëri u përsërit, pak më i ulët se ç’i qe dukur në fillim dhe fare pranë, ndoshta pas derës së dhomës së tij: Beqir Ali, BeqirAli.
S’kishte asnjë dyshim, ishte zëri i bujtësit. Për çudi, Beqir Aliu nuk ndjeu ndonjë tmerr. Megjithatë, murmuriti: në dorën tënde, o Zot!
Eci drejt derës, e hapi dhe, vërtet, te pragu i saj e pa tjetrin, të gjatë dhe më të bardhë në fytyrë, ndoshta nga rroba e natës.
– Po flije? – tha ai. – Sigurisht që po flije. Më fal, BeqirAli.
– Ç‘ ështé?
– Asgjë, Beqir Ali. Më fal edhe një herë që të zgjova…
– S’ka gjë, s’ka gjë… Po si është puna?
– Asgjë, Beqir Ali. Në të vërtetë, të thirra kot… fare kot… Sa për të bërë një çikë kuvendim… po të duash ti…
Më shumë se mbi fytyrën e tjetrit, sytë e Beqir Aliut ishin ngulur te rroba e natës, për t’u bindur se në të nuk ishte vërtet asnjë palë prej nga mund të nxirrej katilfermani.
I çmendur, tha me vete për tjetrin. Kërkon kuvendim në këtë orë. Po shyqyr, o Zot, që më dërgove një të çmendur sesa…
-Erdha, gazi, – i tha me gjallëri. – Sa të hedh diçka krahëve dhe erdha të kuvendojmë sa të duash.
– Më fal, Beqir Ali, tha prapë bujtësi, kur zunë vend në minder, pranë prushanës, ku njëri nga shërbëtorët kishte arritur të sillte ca prush të mbetur diku nga ndonjë kënd i shtëpisë.
– Ç’është ajo fjalë, u përgjigj Beqir Aliu. – Për mua është një kënaqsi biseda me ty. Madje, po ta dija që s’flije do të vija vetë.
Siç thashë edhe më parë, gjumin e kam të vështirë. Po sidomos kur ndérroj vend… Natën e ka bërë të gjatë allahu në vjeshté. Thashé njé herë të hedh ca rreshta në kumtesën time, po dora, s’di se pse, s’më punonte.
– Ç’kumtesë, në më lejohet të pyes? – tha me një fije zëri Beqir Aliu
– Ah, nuk ta thashe? Po ky është edhe qëllimi i udhëtimit tim: përpilimi i një kumtese, një raporti siç i thoni tani, për punën e Shqipërisë. Beqir Aliu vështronte si i shastisur. – Është fjala… për të ardhmen e saj?
Bujtësi tundi kokën.
– Pikërisht. Siç mund ta marrësh me mend, i dashur Beqir Ali, sulltanit të madh i kanë ardhur kohët e fundit shumë parashtrime lidhur me Shqipërinë, por asnjë prej tyre nuk e ka kënaqur.
Beqir Aliu tundi kokën, si të thoshte: merret me mend që s’është i kënaqur, gjersa të nisi ty në udhë të gjatë.
– Kumtimi yt ishallah do jetë me fat, – tha ai.
Sdihet u përgjigj bujtësi. – Kumtesa ose, më mirë, raporti im do jetë një gjë krejt e veçantë dhe gjërat e veçanta, i dashur Beqir Ali, e kanë fatin, o fort bukur, o fort të hidhur.
– Ç’është ajo fjalë? – ia bëri i zoti i shtëpisë.
– Po unë, sido që të ndodhë e kam shpirtin e qet: unë u shërbej me besnikëri vendit tim dhe Islamit dhe pëlqehet s’pëlqehet raporti im, aq më bën. Kryesorja është që përpara Allahut, të jem i pastër si floriri.
Hm, ia bëri me vete Beqir Aliu, që nuk i pëlqente aspak drejtimi që mori biseda. Atij i erdhi zemra në vend vetëm kur ljetri nisi të fliste rishtas për raportin. Siç ia kishte përmendur shkitazi edhe gjatë darkës, ishte fjala për kohën kur ushtria dhe zyrat otomane do të detyroheshin të linin Shqipërinë ashtu siç e kishin braktisur gjithë Gadishullin.
Ky ishte edhe thelbi i çështjes: si të mbahej pranë Shqipëria, duke qenë e shkëputur?
Beqir Aliu prishi buzët. Ai nuk e qaste dot nji mënyrë tillë të arsyetuari. Mos ardhtë puna gjer atje, mendonte. Përndryshe, në u shkëputtë një vend nga perandoria mëmë, atëherë ç‘më ha malli mua nëse më qëndron pranë apo larg? Ishte njëlloj si ata burrat qaramanë që, pasi e ndanin gruan, mendjen prapë e kishin tek ajo me kë fle, më kujton apo jo e dokrra të tilla. E ndave gruan, hiqe mendjen prej saj. Në djall të vejë. Në djall të vejë dhe Shqipëria, nëse do të shkëputet.
Po kryeqytetasi, me sa dukej, mendonte ndryshe. Ai vazhdonte t’i shpjegonte se fryma osmane, sado themele të forta të kishte krijuar në Shqipëri duke përmendur këtu fenë islamike që e kishte përqafuar gjysma e shqiptarëve, pashallarët vendës të lidhur me një mijë fije me sulltanin, një shtresë njerézish të ditur me prirje proislamike, shoqatën e fuqishme „ Dum Babën“ e cila ishte gati në rast përmbysje të gjendjes, të shpërthente në rrebelim pro turk etj.,etj, pra sado rrënjë të forta të kishte, këto nuk mjaftonin për mbajtën e saj.
Bujtësi e ndjeu, më në fund, se Beqir Aliu deshi të ndërhynte.
– Mbase të duket e çuditshme e gjithë kjo?
– Hm. Si të them… Natyrisht… Është hera e parë që dëgjoj gjëra te tilla, kaq të ndërlikuara. Ti e di, unë s’jam veç një qeveritar provincial… Megjithatë, të them të drejtën, ajo puna e frymës osmane më duket vërtet pakëz e çuditshme. Në qoftë se ky vend shkëputet nga ne, atëherë ç’na hyn në punë ç’frymë mbetet atje, osmane apo dreqi e di si quhet ajo tjetra?
U duk sikur tjetri mezi e kishte pritur këtë çast, për të shpërthyer në një të qeshur të gjatë çlodhëse.
Këtu është edhe ndryshimi thelbësor midis meje dhe teje, Beqir Ali, – tha ai, pasi mbaroi së qeshuri (ajo ishte kaq e pavend, saqë Beqir Aliut iu duk se pas mbarimit të saj tjetrit iu desh njëfarë kohe sa të sillte në gjendjen e mëparshme tiparet e fytyrës, si
njeriu që pasi ka ngrënë një drekë të mirë fshin një copë herë buzët dhe faqet me rizë). Pikërisht këtu është edhe ndryshimi: ti je një zyrtar, një burokrat, siç thonë tani në kryeqytet, kurse unë jam një ideolog. Fjalë të vështira, ë?
– Eh, – ia bäri Beqir Aliu.
– Unë i shoh gjërat shumë më thellë, Beqir Ali. Ana shtetërore është një gjë e sipërfaqshme. Atë mund ta vendosësh e ta zhvendosësh lehtë në një vend. Kurse ajo tjetra, fryma, po u ngjit një here, nuk shkulet kollaj. Për atë frymë unë kam vite që mendoj e punoj, Beqir Ali. Dhe thelbi i kumtesës sime është pikërisht ajo…
Po dale, të përpiqem të ta ftilloj më mirë.
Ai heshti më gjatë se herët e tjera, pastaj kërkoi ujë dhe nisi ta gjerbte pa i hequr sytë nga qelqet e zeza të dritares. Përpara se t’i kthehej bisedës së porsanisur, tha fjalë të tjera, që s’kishin asnjë lidhje me të. U ankua për përdhesin, tha se kishin të drejtë pleqtë kur thoshin se gjumi i ditës dhe ujët e natës ishin të rëndë, dhe vetëm kur u mbush me frymë sërish dhe tha: dhe tani dëgjo, Beqir Ali, i zoti i shtëpisë e kuptoi se, donte s’donte, do ta zbrazte ç’kishte në lukth.
► – Siç thashë edhe më parë, unë jam fetar i thellë, Beqir Ali. Kaloi dorëzën në mollëza, pastaj anash gojës, si ta merte me të mirë atë, dhe vazhdoi të fliste. Tha se fjala fetar ndoshta ishte e pakté në rastin e tij. Ai ishte me shume se fetar. Ishte njé aziatik i thellë, që qysh në rini i kishte urryer për vdekje Europën dhe europianët. I kishte urryer qytetet dhe gratë e tyre, kishat, kafenetë, gazetat, babëzinë për të marrë vesh çdo gjé, votimet, parlamentet, mendësinë e tyre të ftohtë, mënyrën si ecnin, si visheshin, si arsyetonin, shpirtin e tyre kundërthënës, krenarinë, trazimin e përhershëm, gjithçka që kishte të bënte me atë që ata e quanin “të drejta të njeriut” dhe qé, në të vërtetë, s’ishin veçse demoni i tij gjumëprishés. I urrente, pra, të gjitha këto, në kohën që i digjej shpirti për përgjumjen e bekuar të Anadollit, për stepën gjysmë të zhveshur që s’kishte fund, mbi qytetet, fshatrat e qiellin e së cilës sundonte vetëm një njeri, prej të cilit varej fati yt, me mijëra fije te lidhura në mister, dhe ti vetë nuk e dije nga mund té të vinte e mira ose e keqja, ngritja ose rrënimi, dhe gjithçka i kishte rrénjët gjysmë në jetë, gjysmë në ëndërr, gjë që ty të çlironte plotësisht nga shkaqet e pasojat e ndodhive dhe, kështu i përgjumur si vije, ashtu dhe ikje nga kjo botë, pa u zgjuar kurrë plotësisht… Kështu pra, Beqir Ali, e kam urryer herët botën e tyre dhe qysh atëherë, në rininë time të parë, nuk ëndërroja veç ta shkatërroja atë. Te rrënoja tempujt, tërbimin dhe lirinë e tyre dhe, në vend të tyre, të ngrija mbretërinë tonë paqtuese. Shkurt, t’i ktheja vendet ku sundonte kryqi në hapësirë myslimane. Ngjante e pamundur? Kështu mund të dukej, madje kjo ëndërr mund të mos lindte, në qoftë se nuk do te nxitej nga një shembull. Dhe ky shembull, i dashur Beqir Ali, ishte pikërisht Shqipëria.
Ai i ra me dorë nimit, si të tregonte një truall dhe për disa çaste në mendjen e Beqir Aliut u vërtit një nga ato persiatjet torollake, të pavendta e të pakuptimta që sajoheshin shpesh në trurin e njeriut e që ishin aq vetétimisht té marra, saqë askush nuk merrte mundimin t’i tregonte, pra, në mendjen e tij u sajua pyetja nëse trualli mbi té cilin ishte ngritur shtëpia e tij ishte Shqipëria dhe se a mund të quheshin kështu nimi mbi të cilin ata ishin ulur, si dhe qilimat që ai i kishte sjellë nga Anadolli ?
Bujtési vazhdonte të godiste me dorë shtrojën:
– Kjo ëndërr kishte ndodhur vërtet… Shqipëria e krishterë, një mijë e pesëqind vjet ungjillëzuar, mu në mes të detit të kaurëve, vetëm njëqind milje larg Vatikanit, ishte bërë jona, domethënë, aziatike. E kupton se ç’gjë madhështore ishte kjo, Beqir Ali? Ajo ishte shenja e sigurt e Allahut se Islami e kishte udhën të hapur për pushtimin e botës… Kështu pra, katërqind vjet me parë ëndrra ishte kryer… veçse… veçse… gjithë puna ishte që ajo të mos
ndërpritej… e kupton ç’dua të them, Beqir Ali. Gjithë puna është që ajo të vazhdojë, domethënë… që Shqipëria t’i mbetet Azisë…
Ja përse nuk e zë gjumi sulltanin e madh.
Beqir Aliu e mbajti pa mëshirë një gogësimë që, si për dreq, deshi të ngjitej pikërisht në atë çast në pjesën e sipërme të trupit të tij.
Eshtë e vështirë, s’ka dyshim, – vazhdoi tjetri. – Ndaj po e vrasim mendjen të gjithë se ç‘duhet bërë dhe letrat vërshojnë si lumë në zyrat e sovranit. Ka ardhur ora e provës, Beqir Ali. Europa e krishterë përpiqet ta marrë prapë Shqipërinë. Eshtë imja, thotë, kthemani. Pra, ka ardhur vërtet ora e provës. Sepse prova e vërtetë është çasti kur lëvozhga, domethënë ushtria dhe nëpunësit tanë do të tërhiqen nga ky vend. I ke parë arrat kur u thyen lëvozhgën? Atëherë duket se ç’ka brenda: kokrrën e shëndoshë apo të bërë pluhur nga krimbi. Kështu është dhe puna e një vendi të pushtuar, pas mbarimit të pushtimit. Kur lëvozhga të thyhet (mos e prish ashtu atë fytyrë, Beqir Ali, ushtria dhe zyrat tona do të tërhiqen së shpejti nga ky vend, kjo është si një e një bëjnë dy, por unë s’po zgjatem të të shpjegoj arsyet e kësaj), pra, kur kafkulli të thyhet, do të shohim ç’ka në të: një Shqipëri të zbutur, të aziatizuar, apo një tjetër Shqipëri, të huaj e të patrajtueshme. Të them të drejtën, më parë kam besuar se pas katërqind vjetësh nën pushtimin tonë Shqipëria do të qe magjepsur, më në fund, prej nesh dhe do të qe bërë ashtu siç e donim të gjithë. Kjo do të kishte qenë me to vërtetë një mrekulli. Sepse është vërtet mrekulli kur një vend, që ti ia ke hedhur me aq mund frerin e nënshtrimit, mësohet, më në fund, me të, dhe, kur ti ia heq atë frë, në vend që të të largohet, të ndjek pas.
Atëherë po, mund të thuash se e ke fituar atë vend.
Ai tundi kokën sa djathtas, majtas, i ngrysur.
— Siç të thashë, unë besoj a se kështu do të ndodhte me Shqipërinë, po, siç tregojnë bathët, punët qëndrojnë ndryshe. Pas katër shekujsh bashkëjetese, shqiptarët vazhdojnë të mos na duan, dhe këtë ti e di më mirë se unë, Beqir Ali.
Beqir Aliu bëri “po” me krye.
– E megjithatë, unë prapë besoj në ëndrrën e vjetër, – tha bujtësi, duke trazuar prushanën. Nga përndritja e tij, unazat iu flakëruan në dorën që mbante mashën.
– Unë besoj ende në aziatizimin e Shqipërisë, veç me një kusht: që ai të bëhet prej vetë shqiptarëve, pa u shtyrë drejtpërdrejt nga askush, e aq më pak nga ne. Të duket e çuditshme? Të duket e pamundur? Nganjëherë janë shi këto të çudithshmet, të pamundurat, që ndodhin në këtë botë.
Ai trazoi prapë kongjijtë, me sy të ngulur në to, po ndriçimi i tyre nuk ia arrinte fytyrën.
Thelbi i kumtesës sime merret pikërisht me këtë: vetëturqizimin e shqiptarëve. Kur ky të fillojë atëherë 400 vitet e parë të marrëdhenieve shqiptaro-turke nuk do të duken më pas veçse si parathënie e përgjakur e paqes së ardhme. Të tingëllon e pabesueshme e gjithë kjo? Ke të drejtë, Beqir Ali. Tani do të përpiqem të ta shpjegojë më shtruar. Ai e trazoi prushin më gjatë se herët e tjera dhe vezullimi dhe shuarja e gurëve të unazave në dorën e tij i kujtuan Beqir Aliut një ndjesi të përafërt me parandjenjën e fatkeqsisë.
– Një njeri mund të bëjë atë që se bën as ushtria, e as vezirët tanë. Veç me një kusht që ky të jetë shqiptar dhe ata ta pranojnë për udhëheqës të tyre.
Tjetri kapi përsëri mashën, po, kushedi pse, nuk e trazoi prushin dhe Beqir Aliu, gjithashtu, pa e kuptuar përse , tha me vete: shyqyr.
Katërqind vjet më parë një njeri i vetëm i hapi një plagë të rëndë perandorisë osmane, i mallkuari Gjergj Kastrioti. Ka shekuj që është bërë baltë e dhe, as varri nuk i dihet, po sa para bën. Kujtimi i tij jeton dhe bashkë me të rron shestimi i tij. Ishte ky demon që e riktheu rrotën e historisé sé kétij vendi nga kahja e bekuar që porsa kishte nisur, në atë të nëmur, drejt Europës. Siç mund ta dish, ai vetë u kthye nga Skënderbe në Gjergj dhe u shpall kalorës i paré i krishterimit.
Eh, psherëtiu Beqir Aliu dhe ndjeu edhe ai dëshirë të trazonte prushin gjë që do ta bënte sikur masha t’mos ishte në duart e tjetrit.
Ajo që u bë u bë dhe s’është koha për vajtim, -tha bujtësi.
Koha kërkon tjetër gjë: të gjendet një njeri, një tjetër prijës, që të jetë i kundërt në çdo gjë me Gjergj Kastriotin. Të gjendet, pra, një Tersgjergj, ose një Antigjergj, siç i thonë kaurët. Një Antikrisht, mendoi me vete Beqir Aliu.
Iu kujtua se në një Ietër kallëzimi, në dosjen e poetit N. B., e kishte hasur këtë fjalë. Sytë e bujtësit i kishte tani më pranë se më parë, po, për fat të mirë, prushi qe zbehur mjaft për t’i ndriçuar ato.
– Një hoxhë në vend të princit, ja ç’i duhet këtij vendi, – vazhdoi tjetri. – Kur Azia të tkurret, të bëhet sa një bërthamë, ashtu siç thonë se tkurret gjithësia gjatë qerthujve të saj, kur Azia, pra, të tkurret, në këtë vend, ajo do të strehohet e gjitha në qenien e tij. Le të rrënohen ligjet tona, skllavëria dhe minaretë, mjafton që ato të jenë në trurin e atij njeriu. Sepse do të vijë dita kur, ashtu siç bymehet prapë gjithësia e zvogëluar, do të shpërthejë e do të bymehet gjithë Azia e tkurrur: prangat, ankthi, tirania. Nuk e di nëse më kuptove , Beqir Ali. Në trurin o një njeriu dhe askund tjetër ne duhet ta lëmë tharmin, mullëzën tonë.
Beqir Aliu nuk e fshihte habinë e tij. Kishte qenë kaq vite qeveritar krahine, dinte gjithfarë të fshehtash e dredhish që i mëson njeriut posti i sunduesit, po të tillë jo. Në trurin e një njeriu dhe asgjëkund tjetër, përsëriti me vete fjalët e bujtësit.
– Ti do të thuash, kush do të jetë ky njeri, ç’fytyrë do të ketë. Ky është edhe thelbi i çështjes, Beqir Ali, për këtë kam net të tëra që nuk fle dot.
Ai trazoi prushanën më gjatë se zakonisht. Në përndritjen e dobësuar të gacave kishte lodhje dhe qesëndi, si qesënditë para vdekjes.
– Që fytyra e tij duhet të jetë e mynxyrshme, e ububushme, kjo merret me mend, – tha bujtësi, – po a mjafton kjo?
Ai u mendua gjatë, pa e lëshuar mashën nga dora. E tundi kokën një copë herë si të kundërshtonte një mendim të brendshëm, pastaj e tundi prapë, si të pranonte një pjesë të tij.
– Pesëdhjetë vjet më parë, eremiti Haxhi Halil Ruhollaku, udhëtoi për katër muaj rresht, që nga shpella e tij gjer në kryeqytet, për t’i parashtruar sovranit mendimin e tij lidhur me një krahinë, emrin e së cilës s’dua ta zë ngoje tani. Ajo krahinë qe bërë në atë kohë shqetësimi numër një i shtetit. Kishte kohë që kërkonte shkëputje dhe kërkesa e saj përkrahej nga disa shtete europiane, fqinje të saj. Politika e madhe e shtetit tonë kërkonte pajtim me këto shtete, po, nga ana tjetër, sulltanit i dhimbsej kjo krahinë, ashtu siç i dhimbset Shqipëria tani. Ç‘ të bënte? Mëdyshja zgjati shumë kohë, gjersa në kryeqytet mbërriti eremiti Haxhi Halil Ruhollaku. Ai kërkoi takim me sovranin dhe priti një javë rresht te porta e Dollma Bahçesë, gjersa u pranua më në fund. Ai i parashtroi sovranit një gjë që në krye u duk tejet e çuditshme.
Bujtësi e uli zërin, pastaj ia ndryshoi tingullsinë përpara se ta ngrinte përsëri, thua se vetëm kështu, me zë të çnatyruar mund të jepej këshilla e eremitit. Thelbi i saj kishte të bënte me prijësin që duhej të vihej në krye të lëvizjes për pavarësi të krahinës në fjalë. Përderisa shteti osman ende e kishte në dorë atë vend, ai mund ta sillte punën që në krye të rebelimit të sillte njeriun që donte ai.
– Kjo ty mund të të duket e thjeshtë si kapja e veshit dhe, me të drejtë, mund të thuash se ç’ishte nevoja që eremiti Ruhollak të bënte katër muaj udhë pa udhë për t’i sjellë sulltanit një mendim kaq foshnjarak. Kështu m’u duk edhe mua, kur e dëgjova së pari. Por mos u ngut, Beqir Ali. Ajo që këshilloi mistiku nuk ishte as e thjeshtë, as foshnjarake.
Krejt si të rrëfente një përrallë, bujtësi e tregoi këshillën e eremitit, e cila, për habinë e Beqir Aliut, paskësh qenë e kundërta e asaj që kishte kujtuar ai. Në krye të lëvizjes për mëvetësi të vihej jo një besnik i shtetit osman, kurrsesi jo, kishte këmbëngulur eremiti, sepse një besnik, sado i fshehtë të ishte, do të zbulohej një ditë. Prijës i lëvizjes duhej të ishte një… njeri… tjetërsoj…
Beqir Aliu s’po u besonte veshëve. Prijësi i ardhshëm duhej të ishte një njeri që kishte diçka për të mbuluar. Diçka të keqe, të padurueshme, për të fshirë nga e kaluara e vet. Që kishte mbytur, për shembull, nënën e vet, ose kishte një sëmundje të turpshme apo një ves, si dashuria e njështatshme, që në disa vende quhej e pafalshme për robin e zakonshëm e jo pastaj për prijësin.
– Ty mund të të shkojë mendja te dosjet e frikësimit? Jam i sigurt se atje të shkoi mendja, Beqir Ali.
I zoti i shtëpisë buzëqeshi si i zënë në faj. Në të vërtetë, atje i kishte shkuar mendja. I kishte vetë nja njëmbédhjetë të tilla, jo vetëm për kundërshtarët, por edhe për ndihmësit e vet.
– Të thashë të mos ngutesh, Beqir Ali. – Bujtësi tundi gishtin e shëllirës qortueshëm. – Dosje frikësimi? Meazallah. Shtetet çunakë, firifiu nga trutë, mund të bëjnë të tilla. Venë me dosje në dorë te njeriu dhe ia tundin mu në turi: ne e dimë se ke marrë mitë nga regjësi i lëkurëve, ose ke lënë shtatzënë emtën, ose ke pështyrë një ditë në tempull, ndaj bëj si duam ne, ndryshe të piu e zeza, – Bujtësi tundi kryet gjatë. – Jo, Beqir Ali, vetëm shtetet kalamaj, siç të thashë, bëjnë të tilla. Perandoria jonë drenjë, s’bie kurrë aq poshtë. Ne e lëmë fatin, kohën të veprojë vetë. Ne vetëm sa zgjedhim njeriun e përshtatshëm, pastaj hiqemi mënjanë. Lajmë duart, si të thuash, duke e lënë njeriun vetëm për vetëm me demonin e vet… Që të kthehem te krahina në fjalë dhe te késhilla e eremitit.
Bujtësi tregoi se si këshilla ishte dëgjuar prej sovranit dhe urdhri ishte dhënë që të veprohej përpiktas sipas saj. Ishte gjetur njeriu që kishte një nga veset që u përmendën dhe u torën të gjitha lëmshet që pikërisht ai të vihej në krye. E vërteta ishte se ai s’kishte ndonjë zell kushedi çfarë për këtë. Ndoshta, turpi i vesit të dikurshëm e pengonte. Megjithatë, u bë çnuk e çmos që të shpallej prijës. Dhe ashtu u bë dhe, pas kësaj, krahina u shkëput vërtet, por zemra e sulltanit, sado që e pikëlluar, ishte tani e qetë.
– Paska nisur prapë shiu, – tha bujtësi, përpara se të vijonte tregimin. Tani ai nuk përpiqej ta mbulonte stilin e përrallës, madje, dy-tri herë përdori shprehjet, si „dhe kështu iku vera dhe erdhi dimri“, të cilat Beqir Aliut i kujtuan gjyshen, kur e vinte në gjumë, në fëmijëri. – Dhe kështu, frytet e këshillës së mistikut Ruhollak u dukën shpejt. Prijësi i ri, pas kremtimeve e ngazëllimit të parë, filloi zezonën. Një trazim i brendshëm gërryes, që lidhej me një ves të dikurshëm të tij, nuk e linte të qetë. Kishte kujtuar se e kishte fshirë atë njollë nga jeta e tij, por ja tani që ishte bërë prijës i ishte ringjallur dyshimi se ia mbanin mend. Krimbi i dyshimit nisi ta gërryente ditë e natë. Së pari, ishin hamendjet, cili ia dinte e cili jo, cili mund t’ia tregonte tjetrit e cili mund të heshtte. Ishte e padurueshme për të, kur mendonte se në pasdarket me miqtë ata do të shqyheshin gazit me të, ah ç’prijës, e keni parë kur ngrefoset përpara ushtrisë që parakalon, ose kur godet me grusht tryezën në mbledhjet e qeverisë? Ta dinin njerëzit… se disa vite më parë… në kthinën e pasme… te taverna e X-it. Po nejse, le të mos zgjateshin
me hollësi të padenja për bisedën e tyre të fisme. Ishin të padurueshme, pra, për prijësin ky dyshim e kjo krusmë. Dhe një ditë ndodhi ajo që pritej: i zymtë, i verdhë në fytyrë, pas netëve pa gjumë, sundimtari kishte vendosur te bënte diçka. T’i jepte fund pëshpërimës për të. Të dënonte pëshpëritësit. Të vriste, po të ishte nevoja.
– Të vriste, – përsëriti bujtësi. – Në krye, ata që flisnin. Pastaj ata që mund të flisnin. Pastaj… krejt ata që e dinin… ose që mund ta dinin.
Beqir Aliu, me njëfarë vuajtjeje priti gjersa zëri i tjetrit rifitoi prapë përgjumjen e përrallës. Dyshimet e gërryenin tani edhe më keq sundimtarin. Ai nisi të godiste. Por s’ishte e lehtë për të të gjente se cili mund t’ia dinte të fshehtën e cili jo. Ndaj nisi t’i zhbënte me rrënjë e me farefisni. Pastaj me krejt rrethin miqësor. Pastaj përherë e më gjerë. Për këtë duhej, sidomos në krye, njëfarë përligjjeje. U shpikën kështu ato që sajoheshin përherë në kësi rastesh: përbetimet kundër shtetit. Krimet nuk reshtnin. Se dihej që krimi ishte si qeni. Ai tërhiqej nga era e krimit tjetër e pastaj ndillte tjetrin e kështu me radhë. Por, për të siguruar vazhdimësinë e ankthit e të krimit, duhej që gjithë makina e shtetit t’i përshtatej atij.
– Mirëpo, siç mund ta dish, Beqir Ali, Europa më pak se ne i duron këto. Kanë shpikur emërtime të frikshme atje: tirani, diktaturë. Tmerrohen prej tyre më fort se prej murtajës. Kështu pra, ne e dinim se një ditë Europa dalzotëse do ta qortonte rëndë të përkëdhelurin e saj. Kurse ne s’kishim pasur nevojë t‘ i lypnim atij kurrfarë premtimi kundër Europës. Ai do të ngrihej vetë kundër saj.
Bujtësi e tregoi shkurt ftohjen e pastaj grindjen e hapur të prijësit me Europën. Dhe pas saj, ashtu si pritej, kthimin e syve drejt Azisë.
– Ai do te vinte një ditë, Beqir Ali, krejt sië e kishte parashikuar mistiku i shenjtë, që shpirti i pushoftë në paqe atje ku ka rënë. Do të vinte sepse ne ishim e vetmja strehë për të. Kumti ynë ishte sa i thjeshtë, aq edhe i qartë: bäj si të duash tani që je zot, shko, po deshe matanë, po dije se atje s’e ke të gjatä. Kurse te ne, mirë se të vish. Dhe ai, vërtet, u rikthye bashkë me vendin e vet, të cilin e sundoi gjer në fund të ditëve të tij.
– I ndrittë shpirti, – tha Beqir Aliu.me një psherëtimë, që e mbajti sa mundi, si të kishte përpara një qiri që s’donte ta shuante.
– Shiu paska pushuar, – tha bujtësi mendueshëm.
Beqir Aliu, i cili mezi ç’po priste këtë çast për ta marrë cimbidhin e hekurt e për ta trazuar e trazuar një copë herë prushanën, si njeriu që mezi ç’pret çastin për t’u kruar, kushedi pse, nuk e zgjati dorën. Turbull iu duk se duke mos e marrë në dorë hekurinën, vetvetiu shmangte rrezikun që të bënte ndonjë të pabërë: në vend që të trazonte hirin, t’i binte në fytyrë bujtësit një here, dy here, tri herë. Iu ankua Zotit që i dërgonte tundime të tilla, u lut, psherëtiu së brendshmi.
– Ti mund të pyesësh se a është e virtytshme që shteti ynë i bekuar të shfrytëzojë gjëra të tilla të ndyta e të shëmtuara për të siguruar aleatët e vet.
Ai e vështroi Beqir Aliun drejt e në sy, si për të përsëritur heshturazi pyetjen:
– Eh, si të them… jo për besë… – mërmëriti Beqir Aliu.
– Ke të drejtë ta bësh një pyetje të tillë. Dhe nuk ke faj. Të gjithë ata që njihen së pari me këtë çështje, e bëjnë. Përgjigjja, BeqirAli, është e thjeshtë: s’ka gjësend që nuk lejohet, kur është fjala për ngadhënjimin tonë. Më kupton?
Beqir Aliu bëri „po“ me kokë. Cimbidhi ishte ende në anë të prushanës, por ai nuk po guxonte ta merrte.
– Eh, – mori frymë thellë tjetri. – Që të kthehemi te puna e Shqipërisë… Ja, një gjë të tille mendoj unë edhe për këtë vend. Një gjë të ngjashme, më kupton, Beqir Ali? Të gjendet një njeri i tillë, si ai që të tregova, dhe Shqipërinë do ta kemi tonën përjeté. Ajo do të na dojë vetë, madje, më shumë se ç’e duam ne veten tonë. Dhe kur ne të sigurojmë disa aleatë të tillë, si unazë mbrojtëse rreth e rrotull tij, atëherë mund të thuhet se ai e ka fituar ndeshjen me krishtërimin. Ky do të jetë, siç të thashë, edhe thelbi i raportit tim. Që rasti i mistikut Ruhollak të mos mbetet i vetmuar, por të ndërtohet prej tij një ngrehë e tërë. Një asosh, që sot i thonë doktrinë. Në qoftë se ai do të miratohet prej sovranit, atëherë do të jetë detyra juaj të kërkoni e të gjeni njeriun për të cilin fola. Ndoshta, do të jesh ti i pari që ta gjesh, Beqir Ali.
Sytë e tyre mbetën të mbërthyer një copë herë te njëri-tjetri.
Të gjej Antikrishtin, mendoi Beqir Aliu. Turbull, ashtu siç qe njohur me to nëpërmjet kallëzimeve e dosjeve hetimore, atij i vetonin ndër mend grimca nga historia e të krishterëve.
Bujtësi vështroi një copë herë përjashta, si të shquante diçka, që rrekej të vinte që andej e që diku pengohej.
– Më duket se po gdhin, – tha.
Beqir Ali u tundi kokën.
– Është mesi i tetorit dhe koha është ftohur si në dimër.
Tjetri vazhdoi të vështronte qelqet e errëta.
– E di si i thonë kaurët kohës që jetojmë? – tha pas pak. Shekulli i njëzetë…
– Ah, po, e kam dëgjuar nga këta karafilat e këtushëm, poetët…
– Shekulli i njëzetë… – përsëriti tjetri. – Tingëllon për të qeshur, apo jo? Ka disa vjet që, sipas tyre, ne jetojmë në këtë shekull… Në mos gaboj, ka tetë vjet…
Beqir Aliu priste që ai të shqyhej gazit, ashtu si pak më parë, por fytyra e tjetrit qe zymtuar edhe më.
– Tani që e nxora këtë helm, e ndiej se mund të fle, – tha ai dhe, si kërkoi me këmbë gjurmashkat, mbështeti njërën dorë te shpina e nimit për t’u ngritur. – Natën e mirë, Beqir Ali.
– Natën e mirë, gazi, – u përgjigj i zoti i shtëpisé.
Atij iu duk se dërrasat vazhdonin të kërcisnin edhe pas largimit të bujtësit.
Iu lut Zotit përsëri, pastaj krejt i mpirë iu afrua njërës prej dritareve, pikërisht asaj së cilës pak më parë i kishte ngulur sytë bujtësi. E ndiente si nga qelqet vinte ftohtësia e natës. Larg regëtinin ca dritëza të zbehta. Ishin dritare shtëpish, në të cilat njerëzit, për një shkak ose një tjetër, ishin çuar herët.
Në mendjen e tij vazhdonin të rrëzëllonin grimca nga historia e të krishterëve. Urdhri i mbretit Herod për gjetjen e Krishtit foshnjë. Ardhja e mbretërve magë. Larja e duarve të Pilatit…
I mbylli sytë i lodhur. Në qoftë se kumtesa e kryeqytetasit do të miratohej… në qoftë se fjalët e tij nuk ishin thjesht përçartja e një të marri, si do ta gjente ai hoxhën e zi, dashnorin e vogël të Azisë?..
Nuk i kujtohej mirë ç’kishte bërë mbreti Herod për gjetjen e Krishtit. Po ai do të bënte jo më pak. Do të kërkonte horë më horë, shpirti s’do t’i gjente paqe gjersa ta gjente. Do të hapte prapë dosjet, pohimet e nxjera në torturë. Do t’i duhej të zbriste ndoshta në qelinë e burgut, ku mbanin njërin prej poetëve… Atje do të mësonte hollësira të mëtejshme nga kjo histori e vjetër, të tilla që mund t’i hynin në punë, pavarësisht se Herodi kishte kërkuar Krishtin për ta zhdukur, e ai do të kërkonte Antikrishtin për të kundërtën… për ta këndellur.
Po a s’është e njëjta gjë, tha me vete pas një ngurrimi. A s’është e njëjta gjë, o Allah, përsëriti dhe zgjati dorën të mbahej pas murit, ngaqë iu duk se po i merreshin mendtë.

Themes by WordPress