Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Lammy kërkon armëpushim të menjëhershëm gjatë vizitës në Izrael

Lammy kërkon armëpushim të menjëhershëm gjatë vizitës në Izrael

Sekretari i Jashtëm i MB-së, David Lammy me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, 14 korrik 2024.

David Lammy, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza gjatë vizitës së tij të parë në Izrael dhe territoret palestineze.

“Unë jam këtu për të nxitur një armëpushim…Humbja e jetës gjatë muajve të fundit është e tmerrshme dhe duhet të ndalet”, ka thënë ai.

Gjatë vizitës së tij, Lammy zhvilloi bisedime me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe kryeministrin e Autoritetit Palestinez Mohammad Mustafa.

Ai gjithashtu kërkoi lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura në Gaza dhe rritjen e fluksit të ndihmës humanitare në territor.

Lammy u takua me anëtarët e familjeve të pengjeve që ende mbahen në Gaza, të cilët kanë lidhje me Mbretërinë e Bashkuar.

Sharon Sharabi, dy vëllezërit e të cilit, Eli dhe Yossi, u morën peng më 7 tetor, raporton BBC.

Ushtria izraelite kishte deklaruar në shkurt se Yossi Sharabi ishte vrarë, ndoshta nga një sulm ajror IDF, dhe trupi i tij mbetet në Gaza.

Në një deklaratë të postuar nga Konsullata Britanike në Jerusalem pas takimit të tij me Mustafa, Lammy konfirmoi se Britania e Madhe do të nxiste paqen dhe stabilitetin dhe do të mbështeste qeverinë e zotit Mustafa dhe programin e saj të reformës.

Të hënën në mëngjes, Lammy u takua me Presidentin izraelit Isaac Herzog.

Përpara takimit, Lammy theksoi rëndësinë e respektimit të ligjit ndërkombëtar humanitar në luftë dhe shprehu zhgënjimin për mungesën e kamionëve britanikë me ndihma që hyjnë në Gaza.

Ai ka deklaruar se situata humanitare në Gaza ishte “e tmerrshme” dhe njoftoi se Mbretëria e Bashkuar do të jepte 5.5 milion paund shtesë për bamirësinë mjekësore UK-Med për të financuar punën e saj në territor.

Pas takimit, Herzog ka theksuar se ata diskutuan “misionin suprem të kthimit të pengjeve në shtëpi te familjet e tyre” dhe konfirmoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë për lirimin e të gjithë pengjeve.

Izraeli filloi operacionin e tij në Gaza pas sulmit të Hamasit të tetorit të kaluar, ku u vranë rreth 1200 njerëz dhe 251 u morën peng.

Netanyahu ka thënë se Izraeli do të vazhdojë luftën e tij derisa të gjithë pengjet të lirohen dhe Hamasi të jetë shkatërruar.

Të paktën 38,584 njerëz janë vrarë në Gaza gjatë ofensivës së Izraelit, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Një vlerësim i mbështetur nga OKB-ja muajin e kaluar zbuloi se ekzistonte një “rrezik i lartë” uria në territor, me pothuajse gjysmë milioni njerëz që përballeshin me “nivele katastrofike” të urisë.

Ministria tha gjithashtu se të paktën 141 njerëz ishin vrarë në sulmet izraelite që nga e shtuna. Izraeli tha se një nga ato sulme, që goditi një zonë humanitare, kishte në shënjestër liderin e lartë të Hamasit, Mohammed Deif.

Ai është kreu i krahut ushtarak të Hamasit, Brigadave al-Qassam dhe është një nga njerëzit më të kërkuar të Izraelit. Mendohet se ai ishte një nga organizatorët e sulmeve të 7 tetorit.