Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të mbërrijë sot në Beograd, ku do të takojë presidentin serb, Alekasandër Vuçiç, në funksion të vazhdimit të diskutimeve rreth “hapave të ardhshëm” në kuadër të përpjekjeve evropiane për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Lajçaku ka qëndruar edhe në Prishtinë javën e kaluar në kuadër të vizite njëditore. Ai ka takuar shefin e ekipit negociator të palës kosovare, Besnik Bislimi, në përpjekje për të përgatitur takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve brenda kornizës negociuese nën ndërmjetësimin e BE-së.
Vizita e Lajçakut vjen në kohën kur Kosova ka shprehur pakënaqësi rreth mënyrës së ndërmjetësimit të BE-së, duke veçuar posaçërisht diplomatin sllovak, i cili vazhdon të jetë në qendër të kritikave, kryesisht për shkak të qasjes së deritanishme, të cilën kosovarët e vlerësojnë të njëanshme.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, derisa ka shprehur pesimizmin se mund të dalë “diçka” nga takimi i ardhshëm në nivel të kryenegociatërëve, i cili nuk dihet se kur do të mbahet, ka shtuar se dialogu nën ndërmjetësimin e deritanishëm të Lajçakut ka hyrë në një qorrsokak.
“Sa i përket perspektivës së dialogut, ai ndodhet në një qorrsokak prej të cilit nuk shoh shumë rrugëdalje”, ka theksuar Konjufca të hënën, duke përmendur sulmin e armatosur të vitit të kaluar (24 shtator) në fshatin Banjsë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës.
“Ajo që ka ndodhur në Banjskë ishte gozhda e fundit në arkivolin e dialogut… Ne jemi të vetëdijshëm – dhe kjo është e qartë – që bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme në relacionet mes Kosovës dhe Serbisë, për këtë arsye besoj që duhet një drejtim krejt i ri”, ka shtuar ai në një konferencë për shtyp.
BE-ja pothuajse vazhdimisht e ka qortuar Kosovën për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën në veri. Në ndërkohë, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që Serbia t’i mbajë përgjegjës autorët e sulmit terrorist në Banjskë, ose të sanksionojë Rusinë, ajo nuk kanë vepruar.
Ndryshe, takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, qoftë në nivel të lartë apo në nivel të kryenegociatorëve, nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Kosova dhe Serbia vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve ekzistuese apo për dështimin dhe ngërçin në kuadër të procesit të dialogut.
E në përpjekje për të gjetur fajtorë për mungesën e progresit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, emisari i posaçëm, ndër të tjera, ka përmendur edhe shoqëritë në Kosovë dhe Serbi, të cilat, sipas tij, nuk janë akoma të gatshme për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet vete.
“Përsëri, nëse më pyesni mua, problemi është se të dyja shoqëritë nuk janë gati për normalizim. Nuk shoh ndonjë shtyrje nga brenda, nga partitë politike, nga akademia, nga shoqëria civile, që të kërkojnë që udhëheqësit të bëjnë përparim drejt normalizimit. Përkundrazi, sa herë që ka një marrëveshje, ka më shumë kritika se janë bërë lëshime”, ka thënë Lajçaku.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, fillimisht më 27 shkurt 2023 në Bruksel, pastaj për planin e sekuncimit më 18 mars në Ohër. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ata nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.