I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka potencuar se në vitin 2020 Kosova dhe Serbia kanë bërë përparim dhe janë dakorduar për disa nga elementet e Marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme që do ta përfundonte njëherë e përgjithmonë dialogun në mes të dy vendeve.
Por, me ndryshimin e Qeverisë në Kosovë, sipas Lajçak, ka ndryshuar edhe “qasja e Kosovës ndaj bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.
“Ne kemi filluar të diskutojmë elemente të ndryshme të kësaj marrëveshjeje në vitin 2020 dhe kemi bërë përparim të mirë në elemente të ndryshme. Me ndryshimin e qeverisë në Prishtinë ndryshoi edhe qasja e Kosovës ndaj bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Lajçak në një intervistë për mediumin serb, Nova.rs.
Lajçak ka folur edhe për përfundimin e mandatit si Përfaqësues Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë.
”Mandati im si Përfaqësues Special i BE-së përfundon më 31 gusht të këtij viti. Tashmë është zgjatur dy herë, në 2021 dhe 2022. Mandatet e Përfaqësuesit Special të BE-së zakonisht zgjasin katër vjet, si në shumicën e shërbimeve diplomatike, dhe deri në gusht do të kem kaluar katër vjet e gjysmë në këtë pozicion. Praktikë e mirë diplomatike është që pas asaj periudhe ka një ndryshim të personelit dhe unë personalisht mendoj se ndryshimi është i shëndetshëm”, deklaroi ai.