Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë të sigurisë në punë dhe mungesën e sigurimeve shëndetësore, duke e cilësuar këtë realitet si një nga faktorët kryesorë të largimit të qytetarëve nga vendi, shkruan TV ARBËRIA.
Sipas Kryeziut, vetëm gjatë këtij viti në Kosovë janë regjistruar 26 humbje jete në vendin e punës – një situatë alarmante për çdo shtet, e sidomos për Kosovën. Ai gjithashtu ka theksuar se raportet e fundit për qasjen e qytetarëve në shëndetësi tregojnë se deri në 84 për qind e pacientëve përballen me vështirësi serioze për të marrë trajtim adekuat, kryesisht për shkak të mungesës së sigurimeve shëndetësore.
“Gjendja është edhe më e rëndë për shtresat sociale dhe ekonomike më të cenueshme,” ka theksuar ai, duke shtuar se ky realitet duhet të marrë fund nëse Kosova synon të ruajë shtresën vitale të shoqërisë dhe të ndalë zbrazjen e vendit.
Kryeziu ka deklaruar se korrigjimi i këtyre padrejtësive do të jetë ndër prioritetet kryesore të PDK-së. Ai ka premtuar angazhim maksimal për të sjellë zgjidhje të menjëhershme në fushën e sigurimeve shëndetësore dhe sigurisë në punë, nëse partia merr drejtimin e vendit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Shëndeti dhe mirëqenia e çdo qytetari të Kosovës janë të drejta themelore që duhet t’i gëzojë secili pa përjashtim. Kjo do të bëhet e mundur me PDK-në në krye të shtetit, nën drejtimin e Bedri Hamzës si kryeministër,” ka deklaruar Kryeziu, i cili garon me numrin 103 në listën e kandidatëve të PDK-së.