Donald Trump premtoi të hënën se nëse zgjidhet president në vitin 2024, do të ndalojë hyrjen në SHBA të emigrantëve që mbështesin Hamasin. Ai gjithashtu premtoi se do të dërgonte oficerë policie në protestat pro-palestineze islamike për të arrestuar dhe deportuar emigrantët që protestojnë.
Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit dhe operacionet e tij hakmarrëse kanë vrarë më shumë se 2800 palestinezë në Rripin e Gazës, sipas autoriteteve të enklavës.
Ish-presidenti tha gjithashtu se nëse ai fiton mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë, do të ndalojë këdo që nuk njeh të drejtën e Izraelit si shtet dhe se do të urdhërojë heqjen e vizave të lëshuara për studentët e huaj.
Ai gjithashtu u zotua të rrisë ndalimet e hyrjes për qytetarët e vendeve ku “murtaja e terrorizmit” është e përhapur. Ai nuk shpjegoi se si do ta zbatonte këtë politikë, por siguroi se do të ketë “kontroll të fortë” nga pikëpamja “ideologjike” e atyre që dëshirojnë të hyjnë në SHBA.
Shumë nga politikat e republikanëve gjatë kohës së presidentit u sfiduan ligjërisht. Njoftimet që ai bëri dje mund të kenë të njëjtin fat.
Ndalimi i hyrjes që ai kishte vendosur për qytetarët e vendeve me shumicë myslimane u rrëzua me një vendim gjykate, përpara se të vinte në fuqi sërish me një vendim të Gjykatës së Lartë.
/TV Arbëria