Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Ky është gjak i dëshmorit të lirisë” – Nderohet me pllakë përkujtimore dëshmori Ismet Krasniqi

“Ky është gjak i dëshmorit të lirisë” – Nderohet me pllakë përkujtimore dëshmori Ismet Krasniqi

Komuna e Prishtinës ka vendosur sot në Prishtinë pllakë përkujtimore të dëshmorit Ismet Krasniqi, i rënë në demonstratat e vitit 1989. Në ceremoni morën pjesë nënkryetari i komunës, Alban Zogaj dhe familjarë e shokë të dëshmorit.

Në duar mbanin lule.

Në këtë mënyrë nderuan dëshmorin Ismet Krasniqi, të cilit pas 36 vitesh, këtë të shtunë iu vendos një pllakë përkujtimore në Prishtinë.

Për të përkujtuar veprën e Ismetit, aty ishte edhe bashkëshortja dhe dy djemtë e tij.

“Kjo pllakë përfshin momentet kryesore të nderimit të dëshmorit përgjatë viteve që nga heronjtë Afrim Zhitia e Fadil Vata në vitin 1989, vitin kur ranë të tre dëshmorët”, tha djali i dëshmorit, Amir Krasniqi.

E të pranishmit nderuan lartë veprën e dëshmorit.

Naim Zhitia, rrëfeu një moment nga biseda me vëllaun e tij, heroin Afrim Zhitia, se si Ismet Krasniqi kishte vdekur në duart e Afrimit.

“Ismeti pra ra në kraharor të udhëheqësit të lëvizjes. Pas demonstratës kur shkuam në shtëpi Afrimi kishte ndërruar rrobat dhe brenda po e pyes, Afrim çfarë është ky gjak, u përgjigj, ky është gjaku i dëshmorit të lirisë”, tha Naim Zhitia.

Pas fjalimeve, i erdhi radha edhe zbulimit të pllakës përkujtimore.

Ismet Krasniqi vdiq në këtë vend në ballë të demonstratave kundër pushtuesit serbo-jugosllav më 27 mars 1989.

Përveç familjarëve të dëshmorit, i pranishëm ishte edhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, kryetari i Shoqatës së Dëshmorëve dega në Prishtinë, Naser Pacolli, Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa e të tjerë.

E gjithë ceremonia përfundoi nën tingujt e muzikës

Powered by WordPress