Përzgjedhësi i ri i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda ka ndarë mendjen për formacionin që pritet ta zbres në fushë për ndeshjen e sotme (e premte) ndaj Armenisë.
Kosova do të luajë në udhëtim te Armenia, në ndeshjen që do të jetë e para për përzgjedhësin e ri, Franco Foda.
Ky takim është paraparë të zhvillohet në ‘Vazgen Sargsyan Republican Stadium’ të Yerevanit, me fillim nga ora 17:00.
Por, si do të luajë Kosova në këtë ndeshje?
Trajneri gjerman, Foda ka pasur katër seanca stërvitore për të parë nga afër gjendjen e lojtarëve të Kosovës.
Telegrafi mëson se Foda nuk pritet të bëjë shumë ndryshime dhe do të ‘debutoj’ duke iu besuar fanellën e titullarit ‘senatorëve’ të ekipit.
57-vjeçari do të bazohet te lojtarët më të vjetër, për të parë se cilët janë të gatshëm për vazhduar projektin e tij, para se t’u bëjë vend disa të rinjve.
Foda në këtë ndeshje pritet të startojë me një rreshtim 4-3-3, por që shumë lehtë mund të kthehet në 3-4-2-1.
Në portë pritet të jetë Arijanet Muric, ndërsa në mbrojtje Mërgim Vojvoda dhe Leart Paqarada nga krahët dhe Amir Rrahmani e Fidan Aliti në qendër.
Mesfusha do t’i besohet treshes Florian Loshaj, Florent Muslija dhe Donat Rrudhani, i cili mund të luajë edhe në krahun e majtë nëse rreshtimi kthehet me tre mbrojtës qendre dhe Paqarada bëhet partner me Rrahmanin dhe Alitin.
Në sulm, Vedat Muriqi do të jetë në qendër, i ndihmuar nga Edon Zhegrova dhe Milot Rashica. /Telegrafi