Gjatë javës së ardhshme parashihet mot kryesisht i qëndrueshëm, me alternim të intervaleve me diell dhe vranësirave të shpërndara. Vranësirat të premten vende-vende mund të sjellin riga shiu.Temperaturat minimale do të lëvizin nga -1°C deri në 8°C, ku vlerat më të ulëta priten në viset malore, ndërsa temperaturat maksimale do të sillen nga 18°C deri në 25°C. Era do të jetë kryesisht e lehtë deri mesatare nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore.
Këto kushte paraqesin rrethana të favorshme agrometeorologjike për zhvillimin e kulturave bujqësore. Temperaturat në rritje dhe prania e rrezatimit diellor ndikojnë pozitivisht në proceset vegjetative, duke stimuluar rritjen dhe zhvillimin e bimëve pranverore. Lagështia në tokë mbetet e kënaqshme si rezultat i reshjeve të mëparshme, duke mundësuar mbirje dhe zhvillim të mirë të kulturave të sapombjella.