Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Rajoni > Kuvendi i Serbisë diskuton sot për Kosovën

Kuvendi i Serbisë diskuton sot për Kosovën

Në Kuvendin e Serbisë sot do të mbahet seanca e posaçme parlamentare për Kosovën.

Në atë seancë është ftuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Pritet që ai të flasë për rrjedhën e dialogut dhe propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Deputetëve do t’u prezantohet raporti për procesin e negociatave me autoritetet e Kosovës në periudhën nga 1 shtatori i vitit 2022 deri më 15 janar të vitit 2023.

Raporti është dorëzuar në Kuvend nga Qeveria e Serbisë.

Në atë raport nuk përmendet propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Plani franko-gjerman tashmë është bërë propozim i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ky dokument ka marrë mbështetjen edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky plan nuk është bërë publik, por ai iu prezantua Beogradit dhe Prishtinës, në shtator dhe dhjetor të vitit 2022.

Në atë dokument, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara. Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë angazhuar muajt e fundit për të përfunduar këtë proces.

Për këtë qëllim, propozimi evropian, i njohur si propozimi franko-gjerman, iu dorëzua dy palëve.

Ekipi i diplomatëve, gjatë muajve të kaluar, ka vizituar disa herë Prishtinën dhe Beogradin.

Kosova dhe Serbia, që nga viti 2011 po zhvillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh. Muajt e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve u karakterizuan me incidente dhe tensione./REL/

Themes by WordPress