Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > ​Kuvendi i Kosovës ndër më të transparentët në rajon

​Kuvendi i Kosovës ndër më të transparentët në rajon

Kuvendi i Kosovës ka lansuar të mërkurën planin e veprimit për Kuvend të Hapur 2023-2026.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se transparenca është esenciale për demokracinë, andaj legjislativi duhet të jetë i hapur.

Konjufca: Transparenca është esenciale për demokracinë

“Transparenca është esenciale për demokracinë, kjo në dy aspekte vitale. Transparenca së pari është esenciale për qytetarët për t’ia mundësuar gjithë mekanizmat e nevojshëm për të drejtat e tyre, ato që iu takojnë. E dyta, duke qenë një vend transparent me institucione plotësisht të hapura dhe të qasshme për qytetarët, ata vetëm atë mënyrë munden t’i bëjnë zgjedhjet adekuate dhe të mira për personat që i zgjedhin ti kryejnë detyrat me përgjegjësi. Kuvendi duhet të jetë absolutisht i hapur”, tha ai.

Pjesë e këtij organizimi ishte edhe drejtoresha e lartë e NDI-së në Kosovë, Nancy Soderberg, e cila tha çelësi për qeverisje të mirë është hapja dhe transparenca e institucioneve.

Soderberg: Kuvendi i Kosovës ndër më transparentët në rajon

“Kosova meriton të përgëzohet për këto arritje të mëdha, pasi Kuvendi është një ndër institucionet më transparente në tërë rajonin, duke e bërë Kuvendin më të hapur dhe transparent në pjesëmarrjen e qytetarëve dhe monitorimin”, tha ai.

Ndërkaq, udhëheqësja për rajonin e Amerikës Jugore dhe Këshilltare e Lartë Parlamentare në OGP, Rosario Paveze, tha se mbikëqyrja parlamentare është shumë e rëndësishme.

Paveze: Parlamentet mund të japin shembull duke pasur llogaridhënie dhe transparencë

“Parlamentet mund të japin shembull duke pasur llogaridhënie, transparencë dhe gjithë përfshirje në institucionet parlamentare”, tha ajo.

Në anën tjetër, më shumë detaje për planin e veprimit dha kryetarja e forumit për transparencë parlamentare, deputetja Arbëreshë Kryeziu Hyseni.

Hyseni: Kuvendi është i dyti në rajon për nga transparenca

“Ky plan përfshinë 18 masa dhe 49 aktivitete konkrete për promovimin e kulturës, transparencës dhe rritjes së llogaridhënies, i cili do të jetë pjesë e planit strategjik të Kuvendi, që synon të jetë lider për gjithë rajonin sa i përket transparencës parlamentare. Kuvendi i Kosovës, sipas matjeve të fundit ka dalë të jetë institucioni i dytë në rajon i të qenit transparent, sigurisht synimi jonë është që të bëjmë atë të parin”, tha ajo.

Pjesë e këtij organizimi në Kuvend ishin edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetë të tjerë opozitarë.    /TV Arbëria

Powered by WordPress