Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka akuzuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, për shkeljen e rregullores së Kuvendit.
Kjo ndërlidhur me situatën e djeshme ku nuk u lejua pjesëmarrja e deputetëve serbë në seancë.
Postimi i plotë:
Kushtetuta nuk është filxhan i kafes!
Kushtetuta, mes tjerash, parasheh zhvillimet e vlerave demokratike dhe mbrojtën e tyre. Me Rregulloren e Kuvendit parashihen raportet dhe veprimet e pjesëmarrësve të tij.
Shkelja e Kushtetutës nuk arsyetohet me asnjë qëllim madhor. Nëse ka qëllime madhore e nuk janë paraparë në Kushtetutë, atëherë, ajo duhet të ndryshohet.
Mbrëmë ishim dëshmitar të një paraqitjeje e cila nuk parashihet në Kushtetutë as me Rregulloren e Kuvendit. Për fat të keq.
Përfaqësimi demokratik i qytetarëve nuk mund të pengohet në Kuvend, andaj, partia Vetëvendosje bashkë me Glaukun, me gjithë respektin, kanë bërë gabim.
Jam kundër çdo dëmtimi të kredibilitetit të Kuvendit të Kosovës dhe e shoh të dëmshme mospjesëmarrjen e partive kuvendore në seanca dhe debate, sikur mospjesëmarrjen gjashtëmujore të Listës Srpska, por, kjo nuk i jep të drejtë askujt të bëj veprime kundërkushtetuese apo shkelje të Rregullores së Kuvendit.
Ky manifestim në prag të fushatës, ka qëllim por me efekte të ndryshme politike. Efekti më i keq do t’i mbetet Kosovës. Kushtetuta është detyrim për tu zbatuar, ajo nuk është filxhan i kafes!