Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kushtetuesja refuzon kërkesën për pezullimin e rregullores për dinarin

Kushtetuesja refuzon kërkesën për pezullimin e rregullores për dinarin

Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar si të papranueshme kërkesën e avokatit Vasilije Arsiq, për pezullimin e zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, me të cilën valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në sistemin e pagesave është euro.

Kushtetuesja konstatoi që kërkesa të shpallet e papranueshme për shkak të mos-shterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj dhe të refuzohet kërkesa për caktim të masës së përkohshme, përkatësisht pezullimin e zbatimit të Rregullores së lartcekur të BQK-së.

Sipas Kushtetueses, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me miratimin e Rregullores për operacionet me para të gatshme nga BQK, sipas së cilës, ishte përcaktuar që valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro.

Avokati Arsiq, para Gjykatës kontestoi kushtetutshmërinë e Rregullores së BQK-së, duke pretenduar se është nxjerrë në shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë, duke theksuar që neni 35 (valuta euro) i Rregullores së Bankës Qendrore, është në mënyrë të tërthortë diskriminues ndaj komunitetit serb në Republikën e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësinë”.

“…pasi që në radhë të parë prek komunitetin serb në Kosovë […] edhe pse vetë rregullorja nuk përmban shprehimisht dispozita diskriminuese, fakti që zbatimi i saj është diskriminues tregon diskriminim indirekt”, thuhet në njoftim.

Aktvendimi i gjykatës për papranueshmëri vë në theks edhe praktikën e konsoliduar gjyqësore të gjykatës, në kontekst të detyrimit kushtetues për shterimin e mjeteve juridike, përfshirë përkitazi me kontestimin e akteve nënligjore.

Kushtetuesja po ashtu rithekson se bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

“Aktvendimi për papranueshmëri rithekson që, shterimi i mjeteve juridike është detyrim kushtetues dhe ligjor, dhe përtej detyrimit të individit për të shteruar mjetet juridike në dispozicion, gjithashtu saktëson kufizimet në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese në raport me gjykatat e rregullta, dhe të cilat, bazuar në parimin e subsidiaritetit, kanë kompetencën parësore për të shqyrtuar pretendimet e individëve për cenimin e të drejtave dhe lirive të tyre themelore”, thuhet në njoftim.

Tutje, sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet se parashtruesi i kërkesës duhej të argumentonte se kishte shteruar të gjitha mjetet juridike ose që të njëjtat nuk ishin efektive.

“Duhet të argumentojë që (i) nuk ekziston mjeti juridik; ose që (ii) ka ndërmarrë të gjitha masat për të shteruar mjetet juridike të përcaktuara me ligj, por që mjeti përkatës juridik nuk është efektiv, në dispozicion dhe/ose i qasshëm”, thuhet në njoftim.

Në rrethanat e rastit konkret, sipas njoftimit thuhet se avokati Arsiq kishte theksuar se nuk kishte mjet juridik në dispozicion për të kontestuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Rregullores së lartcekur të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, në njoftim u theksua se gjykata konstatoi që kërkesa duhet të shpallet e papranueshme për shkak të mos-shterimit të mjeteve juridike, ashtu siç përcaktohet me Kushtetutë, Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe rregullit të Rregullores së punës së Gjykatës.

Powered by WordPress