Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Kushtetuesja gjen shkelje në vendimin e Supremes, i jep të drejtë kompanisë “Matkos” për lejet e hidrocentraleve

Kushtetuesja gjen shkelje në vendimin e Supremes, i jep të drejtë kompanisë “Matkos” për lejet e hidrocentraleve

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që ta kthejë në rigjykim kontestin ligjor të parashtruar nga “MATKOS GROUP” sh.p.k në të cilin kontestohej kushtetutshmëria e aktgjykimit të Gjykatës Supreme lidhur me një leje të lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit të cilat i kishin mundësuar ndërtimin e infrastrukturës për hidrocentrale kompanisë “MATKOS”.

Kjo ishte kundërshtuar nga dy organizata joqeveritare të cilat kontestuan ligjshmërinë e këtyre vendimeve përmes padive në Gjykatën Themelore ku u kërkua shtyrja e ekzekutimit të vendimeve deri në zgjidhjen e meritave të rastit.

Gjykata Themelore e kishte aprovuar si të bazuar propozimin e dy organizatave joqeveritare dhe nxori vendim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të Ministrisë kompetente për mjedisin, përkatësisht lejes ujore dhe mjedisore, derisa Gjykata Themelore të marrë vendim përfundimtar për meritat e rastit. Pas ankesës së bërë nga parashtruesi i kërkesës, në cilësi të palës së interesuar, Gjykata e Apelit e anuloi aktvendimin e shkallës së parë dhe e ktheu lëndën në Gjykatën Themelore për rivendosje.

Rasti i shkoi Gjykatës Supreme. Duke vendosur lidhur me kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të organizatave joqeveritare, Gjykata Supreme miratoi kërkesën e tyre, e anuloi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe e vërtetoi Aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore.

“Gjatë vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata së pari (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me arsyetimin e vendimeve gjyqësore dhe interpretimin qartazi të gabuar dhe arbitrar të ligjit, dhe më pas (ii) zbatoi të njëjtat parime në rrethanat e rastit konkret. Në këtë drejtim, Gjykata konstatoi se, Gjykata Supreme, përveç përshkrimit të dispozitave ligjore, nuk ka dhënë shpjegime të mjaftueshme lidhur me kriteret që duhet të plotësohen për të vendosur për pezullimin e vendimeve të Ministrisë kompetente për Mjedisin. Përveç kësaj, dhe përkundër faktit se mungesa e shqyrtimit të këtyre dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative është theksuar në vazhdimësi në instancat gjyqësore përmes ankesave përkatëse nga ana e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme pranoi qëndrimin e Gjykatës Themelore, duke mos i shqyrtuar argumentet e thelbësore të parashtruesit përkatës.”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kësisoj, Gjykata Kushtetuese mori vendim se aktgjykimi i Gjykatës Supreme i 28 tetorit të vitit 2021 është nxjerrë “në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së një vendimi gjyqësor të arsyetuar dhe interpretimit dhe zbatimit arbitrar të ligjit, dhe e ktheu rastin për rishqyrtim në Gjykatën Supreme. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues.”.

/TV Arbëria

Themes by WordPress