Nga Agron Hoti
Përderisa pushtetet e kaluara i keqpërdorën veteranët dhe vlerat e UÇK-së në përmasa të padurueshme, edhe atë vetëm e vetëm për t’ua currë votat, sepse pa vota s’merrnin skemlitë e ëmbla që ua frynin xhepat deri në pëlcitje me para, sa shumë sosh bëjnë jetëra përrallore, pushteti aktual shkoi edhe një hap përtej, atë të përcaktimit të fatit të veteranëve përmes ‘ndihmës’ së Vuçiçit të kërkuar nga Mimoza Kusari, e cila në vende normale qysh dje do të ishte futur në burg për të mos e parë më dritën me sy.
Paramendoni se ç’do ta gjente Vuçiçin apo njerëzit përreth tij sikur të ishte zbuluar duke i bërë lëshime AKI-së. Të jeni të bindur që flaka do të t’i dilte Serbisë nga pakënaqësitë që do të shpërthenin për tradhëti kombëtare.
Ndërkaq, fakti që sot s’lëviz askush nga partitë votë-currëse të veteranëve për të protestuar në rrugë kundër poshtërimit të vlerave të luftës së UÇK-së që veçse u konfirmua për të dytën herë përmes tradhëtisë së rëndë kombëtare që doli nga përgjimet ndaj Mimoza Kusarit me UDB-në serbe të Vuçiçit, tregon më së miri se sa shumë janë keqpërdorur dhe tanimë poshtëruar veteranët dhe vlerat e luftës nga të gjithë. Aq shumë janë keqpërdorur e poshtëruar këto vlera, saqë edhe veteranët janë tanimë si të humbur pa e ditur se çfarë të bëjnë.
Të nderuar veteranë: kini mendjen se kë votoni, kuptohet nëse dilni votoni, sepse nëse deri me sot ju kanë keqpërdorur e poshtëruar që të gjitha partitë politike përfshirë dhe këta që janë në pushtet, as nesër s’do të jetë me gjasë ndryshe.
Prandaj, keni dy rrugë: të kapni në duar tuaja përfaqësimin politik për të shpëtuar edhe ato pak vlera të luftës së UÇK-së që kanë ngelur pa u prekur, ose të mos votoni fare ju me të gjithë të afërmit dhe shoqërinë tuaj.
Aq sa i vlerësojmë veteranët dhe vlerat e luftës, aq shtet kemi, prandaj po përjetojmë kaos politik e përçarje brutale, pastaj zbrazje të frikshme të Kosovës nga rinia dhe profesionistët dhe ku s’shihet më kurrfarë drite në fund të tunelit.
Prishtinë, 10 tetor 2024
A.H.