Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe i emëruari për dialog Besnik Bislimi, gjatë raportimit sot në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane, ka pohuar se Kosova i ka dërguar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtar një raport prej 48 faqesh për agresionin në Banjskë.
Madje sipas të njëjtit, këtë raport duhet ta publikojë prokuroria dhe jo qeveria, prandaj ai ka ushtruar “presion” mbi anëtarët e Komisionit për Integrime nga radhët e opozitës që të kërkojnë nga prokuroria që ta bëjnë publik raportin.
Mirëpo, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një intervistë për mediumin Tëvë 1, dje ka pohuar se sulmi në Banjskë nuk do të jetë pa përgjigje, por që ende janë në pritje të një hetimi nga Kosova.
“Ne akoma po presim rezultatet finale të hetimit nga pala kosovare, porsa të marrim ato rezultate, do të bëjmë analizimin e nevojshëm, dhe pastaj do të ndërmarrim hapat. Kjo s’do të kalojë pa përgjigje. Por, akoma nuk kemi rezultatet zyrtare, prandaj duhet të presim”, tha zëdhënsi i BE-së. Për më shumë sipas Stanos “Kushdo që ka qenë përgjegjës, kushdo që ka qenë pjesëmarrës, kushdo që ka organizuar këtë, ose ka lejuar sulmuesit, të bëjnë këtë veprim të tmerrshëm, duhet të dënohet, të përballet me pasojat. Ne do të jemi shumë strikt në këtë pikë, ka përfunduar Stano.
Tash mbetet të verifikohet se kush nuk po e thotë të vërtetën, Besnik Bislimi që paska deklaruar sot se Qeveria e Kosovës e ka dërguar një raport të tillë, apo zëdhënësi i BE-së që e ka mohuar se kanë pranuar një raport final nga Kosova për sulmin në Bajnksë?
/TV Arbëria