Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kush fitoi dhe kush humbi nga takimi në Riad?

Kush fitoi dhe kush humbi nga takimi në Riad?

Shkruan: Afrim Kasolli

Që nga takimi në Riad të Arabisë Saudite, ndërmjet Sekretarit të shtetit, Marco Rubio dhe atij rus Sergei Lavrov, më qëllim ndaljen e luftës në Ukrainë janë shtruar pandehmat, se kush fitoi dhe kush humbi nga një takim i tillë? Ashtu siç pritej, ky konflikt nuk mund të përfundonte nga një takim i vetëm. Mirëpo, atmosfera që i parapriu atij dhe ajo që është duke pasuar mund të jap disa indikacione se çfarë kthese mund të marr procesi.

Fillimisht, të dy palët janë dakorduar për intensifikimin e raporteve diplomatike ndërmjet vete në kërkim të një zgjidhje për krizën më të madhe evropiane që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Çdo gjë u zhvillua më një shpejtësi meteorike. Bie fjala, katër ditë para këtij takimi, sipas mediave ndërkombëtare, as që ekzistonte një komunikatë zyrtare nga Departamenti Amerikan i Shtetit për një takim të tillë, diçka e paprecedent kjo.

E tëra filloi me një telefonatë ndërmjet Presidentit Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin, si dhe nga deklarimet e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në takim më liderët evropianë, se më kontinenti i vjetër nuk do ta ketë vëmendjen e deritanishme të Uashingtonit, si dhe rikthimi i territoreve të humbura nga Ukraina dhe anëtarësimi i saj në NATO, nuk janë opsione realiste. Ndërkohë , deklarimet e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për këto negociata, Gjeneralit në pension Keith Kellogg, se BE-ja dhe Ukraina do të jenë të përjashtuara nga planet e paqes, e alarmuan si të parën ashtu edhe të dytën.

Nuk ka dyshim, se ky zhvillim e vulosi zhvleftësimin gjeopolitik të BE-së , por pse jo edhe të vet shtetit që deri më tani ishte glorfikuar si prijatare e rezistencës ndaj imperializmit të Kremlinit. Në njërën anë , SHBA deklaroi se më siguria evropiane nuk është prioritet primar i saj, dhe në anën tjetër, ajo u pajtua për të vendosur së bashku më Rusinë për këtë temë, duke e shpërfillur BE-në . Në këtë drejtim nuk ka dyshim, se Rusia e përmirësoi pozicionin e saj diplomatik, konkretisht Presidenti Putin. Nga një i izoluar dhe i përjashtuar nga Perëndimi, si dhe i akuzuar nga Gjykata penale ndërkombëtare për krime lufte, ai befas u rikthye në teatrin e madh të politikës. Madje, për të vendosur për Evropën, pa prezencën e saj.

Kurse, ajo që pasoi nga mosmarrëveshjet ndërmjet Presidentit Donald Trump dhe atij të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sipas mediave ndërkombëtare, vetëm do të jetë në funksion të forcimit të pozicionit të Putinit. Akuzat ndaj të parit, se është një diktator që e mban pushtetin pa legjitimitet, si dhe po të ishte më racional as nuk do të fillonte ajo luftë e lëndojnë kauzën mbrojtëse ukrainase. Sepse nuk është vetëm ky vend që i është nënshtruar këtij agresioni, por edhe Gjeorgjia, Moldavia etj. Ndonëse, jo drejtpërdrejtë në këtë formë brutale.

Pra, veprimet e Putinit janë një atak i hapur ndaj rendit ndërkombëtar të inauguruar që nga përfundimi i Luftë s së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë , ku Amerika i prine botës së lirë dhe demokratike kundër diktaturave dhe regjimeve shtypëse. Çmontimin e parametrave të tij, lideri rus, e kishte shpallur si synim strategjik, pikërisht në Samitin e Sigurisë të mbajtur në Munih të Gjermanisë në vitin 2008.

Kështu, Ukraina si dhe shtete të tjera tw sipër cekura, janë vetëm viktimë e ambicieve imperiale për ta restauruar perandorinë e dikurshme cariste. Pra vendet fqinje edhe pse formalisht ekzistojnë si shtete, ato në të vërtetë nuk janë asgjë tjetër, pos disa entitete vasale të Moskës, ku nuk kanë të drejtë ta përcaktojnë të ardhmen në mënyrë të lirë dhe demokratike. Historia deri më tani ka dëshmuar, se paqja nuk mund të vendoset duke i plotësuar apetitet e agresorit, por duke i kufizuar ato./tvarbëria/