Shkruan: Afrim Kasolli
Si çdo herë në politikë që liderët ngarendin për të marr meritat për vete kur ndodh ndonjë zhvillim pozitiv për vendin, e njëjta logjikë e përshkroi edhe lajmin për suspendimin gradual të masave sanksionuese ndaj Kosovës të imponuar nga Brukseli.
Pak pas miratimit të këtij vendimi në Samitin ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja e vendit Vjosa Osmani iu drejtua opinionit me këtë kumt duke pohuar se “takimet intensive gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel sollën rezultate konkrete për vendin tonë. Më në fund u mor vendimi që të hiqen masat e padrejta të vendosura ndaj Kosovës”. Në këtë atmosferë ekzaltimi u përfshi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. I njëjti pohoi se ndonëse nuk dëshiron t’i marr meritat për vete, megjithatë nuk mund të mohohet fakti se ky zhvillim ka ndodhur si pasojë e koordinimit të mirë me Kosovën për t’i hequr masat e BE-së. Por që, sipas tij, nuk mund të mohohet kontributi i presidentes së Kosovës në zhbllokimin e fondeve të Brukselit.
Në ndërkohë, numri i dy i Qeverisë në detyrë, Besnik Bislimi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social ka shkruar se ka pranuar një letër “nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës. Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro” Kjo Qeveri sipas zëvedës kryeminstrit në detyrë ka insituar në vazhdimësi për heqjen e tyre. Prandaj ato duhet të largohen plotësisht. Sepse nuk ekziston asnjë “arsyeje që të njëjtat të mbeten në fuqi sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat veriore”.
Në këtë betejë për përvetësim të meritave për këtë zhvillim u përfshi edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, nëpërmjet një letre dërguar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe institucioneve të BE-së, duke kërkuar heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave ndaj Kosovës. Sipas Bedri Hamzës, “masat aktuale të BE-së janë të pajustifikueshme dhe po e dëmtojnë vendin në një periudhë kur kemi nevojë për zhvillim ekonomik, integrim evropian dhe stabilitet politik”.
Me këtë rast, shumë eksponentë të lartë këtij subjekti politik dhe analistë nëpër studio televizive kanë insistuar se ishte kjo letër e shkruar nga Bedri Hazma që ka ndikuar për t’i bindur burokratet e BE-së për këtë largimin e tyre.
Sidoqoftë, krahas përpjekjeve për të korrur frytet e këtij lehtësimi për Kosovën mbetet pyetja se kush është përgjegjës edhe për vendosjen e tyre? Dhe më kryesorja a humbi apo fitoi vendi ynë nga ky sanksionim. “Pushteti” aktual insiston se ky ndëshkim ndërkombëtar ka qenë një keqe e domosdoshme që është dashur ta durojmë, sepse ka qenë rruga e vetme për shtrirjen e autoritetit shtetëror në pjesën veriore. Prandaj, më fund u dorëzua Brukseli dhe jo Kosova në kauzën e saj të drejtë. Pra tash kemi edhe sovranitet edhe mungesë të masave.
Në ndërkohë në atë rajon pas zgjedhjeve të fundit lokale ne pushtet është rikthyer Lista Serbe si dhe duke filluar që nga dje, katër komunat veriore kanë vendosur të dalin nga Asociacioni i Komunave të Kosovës me qëllim të themelimit të një entiteti të komunave serbe.
Në këtë kontekst, partitë “opozitare” që ta fitojnë këtë betejë duhet ta bindin opinionin se asnjë ndryshim pozitiv nuk ka ndodhur në komunat veriore. Përkundrazi, Kosova është ndëshkuar kurse gjendje është përkeqësuar. Heshtja e tyre për këtë temë është duke ndikuar që i vetmi narracion dominues të jetë ai i “pushtetit”.