Marco Rubios mund t’i ofrohet roli i sekretarit të shtetit në administratën e dytë të Trump.
Kështu raportojnë mediat amerikane.
Sipas raportimeve senatori republikan nga Florida është në bisedime me ekipin e Trump për pozicionin e lartë. Megjithatë CBS raporton se nominimi nuk është finalizuar. Presidenti i sapozgjedhur Trump mund të ndryshojë ende mendim për pozicionin e lartë diplomatik, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Rubio shërben si nënkryetar i Komisionit të Senatit për Inteligjencën dhe është pjesë e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë.
Zëdhënësi i tij nuk i është përgjigjur një kërkese për koment lidhur me këtë çështje.
Për emërimin e mundshëm të Rubion në këtë post, ka raportuar sot edhe gazeta amerikane New York Times.
Edhe NYT potencon se Trump ende mund të ndryshojë mendje në minutën e fundit, por duket se është vendosur me Rubion, të cilin e ka marrë parasysh edhe kur ka zgjedhur kandidatin e tij këtë vit.
Ndërkohë, Reuters raporton se Rubio ishte padyshim opsioni më i ashpër në listën e ngushtë të Trump për Sekretar Shteti, dhe ai në vitet e kaluara ka mbrojtur një politikë të jashtme muskulare në lidhje me armiqtë gjeopolitikë të Amerikës, duke përfshirë Kinën, Iranin dhe Kubën.
Gjatë disa viteve të fundit ai ka zbutur disa nga qëndrimet e tij për t’u lidhur më ngushtë me pikëpamjet e Trump.
Reuters po ashtu raporton se gjedhja e tij e mundshme megjithatë nënvizon një ndryshim të gjerë në pikëpamjet e politikës së jashtme republikane nën Trump.
“Unë nuk jam në anën e Rusisë – por fatkeqësisht realiteti i tij është se mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë është me një zgjidhje të negociuar,” tha Rubio për NBC në shtator.
Rubio u bë një nga kritikët më të vendosur të Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale republikane të vitit 2016, me rivalitetin e tyre që shpesh zbriste në thirrje personale. Trump e quajti publikisht Rubion “Marko i vogël”, ndërsa Rubio bëri komente të mprehta për “duart e vogla” të Trump.
Megjithatë, me Partinë Republikane të vendosur fort në kontrollin e Trump që kur fitoi ato paraprake, Rubio ka kaluar nga kritikues në kampion.
Ata u pajtuan publikisht menjëherë pasi Trump mori detyrën dhe dyshja ndanë një skenë gjatë kësaj fushate.
Gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara në nëntor të vitit 2018, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi ishte takuar edhe me senatorin Rubio.
Sipas një njoftimi në uebfaqen zyrtare të Presidencës së Kosovës, publikuar më 29 nëntor 2018, disa ditë para se Kuvendi i Kosovës ta miratonte transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.
“Për transformimin e FSK-së dhe për dialogun me ndërmjet Kosovës e Serbisë, presidenti Thaçi ka biseduar edhe në takimin e zhvilluar me senatorin republikan Marco Rubio.
“Biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, për transformimin e FSK-së, perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Në të gjitha këto çështje, Kosova ka mbështetjen e plotë, si të republikanëve, ashtu edhe të demokratëve”, ka thënë presidenti Thaçi”, thuhej atë kohë në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Ndërkohë më 2 shkurt 2021 Kosova ishte përmendur nga Rubio në një postim kur mori njohjen nga Izraeli me marrëveshjen e Washingtonit.
“Senatori Rubio përshëndet Izraelin dhe Kosovën për themelimin e raporteve diplomatike. Ky është hap i rëndësishëm për të dyja shtetet si dhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, shkruante ai.