Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kush është Hasmet Kurum? Mashtrues në Turqi, biznesmen i respektuar në Shqipëri, klani familjar, aferat, lidhjet dhe përfitimet

Kush është Hasmet Kurum? Mashtrues në Turqi, biznesmen i respektuar në Shqipëri, klani familjar, aferat, lidhjet dhe përfitimet

Hasmet Kurum, pronari i Kurumit, është i njëjti person, Haşmet Kürüm, të cilin turqit e kanë akuzuar për grabitje gjigante financiare, ndërsa shqiptarët e shohin KURUMIN dhe helmet toksike të prodhuara në Elbasan si biznes të ndershëm. Së fundi, kamionat e Kurumit që mbushën dhjetra kontenierë me këto mbetje, ata i pane tek shkojnë sa në Durrës, Kinë dhe prapë mbrapsht në Durrës.

Në vitin 2020, Kryeprokurori Publik i Stambollit e akuzoi Hasmet Kurumin për një operacion financiar të padëgjuar në Turqi. Prokurori e quajti Hasmetin “grabitës bankash”. Hasmet Kurumi, një prej ish-pronarëve të klubit “Beşiktaş”, u akuzua për mashtrimin më të madh bankar të 10 viteve të fundit në Turqi. Ai mori kredi rreth 100 milionë euro nga 14 banka në Turqi dhe 19 banka jashtë vendit dhe nuk bëri asnjë pagesë. Hasmet Kurumi falsifikoi dokumentet e pronave të kompanive të tij, ose i transferoi pasuritë tek njerëzit dhe farefisi i afërt para se t’i regjistronte banka për veprime.

Hasmeti ia transferoi pronat dhe pasuritë gruas Hatixhesë (Hatice Melek Kürüm) e cila është edhe aksionere e vetme e “KURUM INTERNATIONAL” në Shqipëri, kushërinjve dhe disa punonjësve të tij të besuar, njëri prej tyre Erdal Demir, administrator KURUM.

Në akuzën e prokurorisë së Stambollit përmendet edhe Shqipëria, ku Hasmet Kurum dyshohet se në operacionin e grabitjes së bankave, përdori kushëririn Serafettin Kirpikli, të cilit i kishte dhënë prokurë të transferonte asetet e Kurumit. Kirpikli krijoi kompani në SHBA, që më pas t’ia shiste aksionet kompanive të Hasmetit në Shqipëri, ku ishin Hatixheja gruaja e tij që ndërkohë ishte bërë shtetase shqipatre, kushëriri Erdal Demir bashkë me familjarët, Melis, Yusuf dhe Selin Kurum.

Kurum akuzohet për mijëra transaksione fiktive në Turqi, Angli, SHBA dhe vende të tjera. Vetëm në Shqipëri nuk është merakosur askush për mashtruesin Hasmet Kurum dhe njerëzit e tij. Të dhënat e fundit mediatike japin shifrën 250 milionë euro kredi të marra nëpër bankat shqiptare nga KURUM.

Në vitin 2016 për shkak të borxheve të mëdha, keqmenexhimit dhe vjedhjeve KURUM përfundoi në gjykatë duke kërkuar shpalljen e falimentimit. Me makinacione në gjykatë, KURUM arriti të shpëtonte miliona euro vjedhje, pasi u lejua të sajonte një plan riorganizimi që të paguante borxhet por të vazhdonte punën pa falimentuar. “Falimentimi i kontrolluar” u ndihmua nga qeveria shqiptare që shpiku një ligj për proceset e falimentimit në Shqipëri. Ky ligj u bë fiks për KURUM, për të organizuar shpëtimin e tij. Kështu mashtruesi Hasmet Kurum vazhdoi të bënte biznes në Shqipëri pa i hyrë gjëmb në këmbë, duke shitur e bërë para me ‘helmet’ për të cilat hetohet sot në Portin e Durrësit.

Powered by WordPress