Shkruan: Afrim Kasolli
Është bërë e zakonshme që në Kosovë të hidhen akuza ndaj sistemit gjyqësor në Kosovë se ai është i ndikuar politikisht dhe se shpeshherë nisja e hetimeve ndaj personaliteteve të nivelit të lartë politik është e motivuar më shumë nga një agjendë e tillë, se sa nga imperativi juridik.
Një fushatë të tillë pa dyshim se e ka amplifikuar Lëvizja Vetëvendosje. Sa herë që organi i aktakuzës ka nisur hetime ndaj zyrtarëve të saj, nuk kanë munguar kualifikimet se ato janë pjesë e luftës speciale të orkestruara nga forcat e regjimit të vjetër, për ta inkriminuar të “riun”. Mirëpo, imune ndaj kësaj logjike nuk kanë qenë as partitë tjera parlamentare, kuptohet jo në atë shkallë sa partia e Albin Kurtit.
Bie fjala, para pak ditëve zyrtarë të kësaj partie në Prizren, ngritjen e aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e kanë konsideruar si “veprim të motivuar politikisht nga një prokuror i kapur dhe shërbëtor i regjimit të Albin Kurtit konkretisht Hajrullah Çekut”.
Akuza dhe kundër akuza të tilla pa dyshim se e kanë minuar besimin e publikut në punën e sistemit juridik në Kosovë. Natyrish, nuk mund të mohohet puna profesionale e shumë prej atyre që janë të punësuar në këtë sferë. Personalisht, nuk mund të flas me kompetencë se çka e konsideron prioritetet Prokuroria për ta hetuar.
Megjithatë, dy paradokse kanë ndodhur kohën e fundit që hedhin dyshime mbi punën objektive të Prokurorisë. Gjatë ditës së djeshme u njoftua opinioni se Prokuroria ka urdhëruar policinë që të nisë hetimet lidhur me një audio incizim, ku dëgjohet kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovdci duke biseduar me një biznesmen për ndërtimin e një ndërtese të madhe në pronën komunale dhe ku ky i fundit do të kishte fituar miliona euro. Kryetari i Drenasit insiston se ky material është jo i plotë dhe i cunguar. Kurse mediumi VoX që e ka publikuar atë i ka bërë thirrje të njëjtit se që nëse e posedon të plotin ta dërgojë ne adresë të redaksisë dhe ai do të emitohet i pa censuaurar.
Mirëpo, është interesant se jo shumë ditë më parë, po ashtu, i njëjti medium ka publikuar dëshmi konkrete për njërin nga krimet me të mëdha ekonomike që kanë ndodhur në Kosovën e pas luftës e që ka të bëjë me tolerimin nga Ministria e Bujqësisë për importimin dhe distribuimin e peshkut me krimba në tregun e Kosovës. Për më shumë edhe një vendim gjyqësor kishte rekomanduar asgjësimin e këtij malli, por disa kompani kishin refuzuar ta bënin këtë. E tërë kjo me dijeni të ministrit Faton Peci. Sidoqoftë, publiku mbase mund të mos jetë i informuar, por deri më tani, nuk kemi dëgjuar që Prokuroria të ketë nisur hetime për këtë super skandal.
Me këtë nuk po them që nuk duhet të hetohet kryetari Ramiz Lladrovci. Përkundrazi, jo vetëm zotëri Lladrovci, por ndaj çdo zyrtari që ka bazë se mund të ketë abuzuar me detyrën zyrtare drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj pa humbur kohë. Megjithatë nisja e tyre për një rast që ka mundur të tentativë të jetë korruptiv para një rasti tjetër që ekzistojnë dëshmi dhe dokumente zyrtare për abuzim vështirë se mund të justifikohet vetëm me parametra puro-juridike.
Nuk ka dyshim se si pasojë e kësaj anomalie mund të hapen pandehma tjera. Është thënë shpesh nga njerëz te afërt më Partinë Demokratike të Kosovës se fitorja e Ramiz Lladrocit në Drenas është në interes të Albin Kurtit. Por, nëse ekziston një “aleancë e heshtur” politike ndërmjet këtyre dyve, pse i pari do të kishte interes ta ndërsente prokurorinë kundër Ramiz Lladrovcit, për ta dëmtuar politikisht në këtë fazë sensitive? I vetmi përfitim i tij mund te jetë fakti se në sytë e opinionit do të “legjitimohet” edhe me tej retorika e tij, se Prokuroria është instrument i Partisë Demokratike të Kosovës. Dhe se nisja e hetimeve ndaj Ramiz Lladrvocit dëshmon se një pjesë e saj janë në gjendje ta përdorin atë politikisht sa herë që ju nevojitet për t’i “persekutuar juridikisht” kundërshtarët e saj. E pse tash i pari është kundërshtar me i madh i PDK-së se sa ministri Peci është temë tjetër.
Ndërkohë, ajo që e rëndon më shumë situatën në këto dy raste ka të bëjë me faktin, se askush nga PDK deri më tani nuk ka kërkuar nisjen e hetimeve nga Prokuroria ndaj ministrit Peci në fjalë. Kurse eksponentë të kësaj partie gjatë një konferencë për shtyp kanë kërkuar pa humbur kohë që ato të fillojnë ndaj Ramiz Lladrovcit. Dhe pa kaluar as 24 orë kohë nga kjo thirrje politike dhe partiake ato filluan. Rastësi apo paracaktim, mund ta vleresoni vete këtë “enigmë sfinksi”. /TV Arbëria